1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

FAZ: „Kantjeret shqiptare të ndërtimit“

16 Qershor 2011

Shanset që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE brenda një periudhe të parashikueshme, nuk janë përmirësuar pas zgjedhjeve lokale, shkruan gazeta „Frankfurter Allgemeine Zeitung“.

https://p.dw.com/p/11cFt
Pamje simbolike: gazeta gjermane.
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në numrin e së enjtes (16.06.2011) "Frankfurter Allgemeine Zeitung" (FAZ) boton artikullin nga Karl-Peter Schwarz, i cili analizon situatën pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri:

„Sheshi Skënderbe në qendër të Tiranës prej muajsh është shndërruar në një kantjer gjigant ndërtimi. Formësimi i ri i këtij sheshi është një ndër dëshirat e kryetarit të bashkisë dhe kreut të partisë socialiste Edi Rama, i cili ia doli që ta nxjerrë kryeqytetin nga apatia postkomuniste duke e shndërruar atë në një nga qytetet më atraktive në Ballkan. Një ditë makineritë e ndërtimit do të tërhiqen nga sheshi Skënderbe e kësisoj do të hapen edhe rrugët e bllokuara të qarkullimit në këtë pjesë të qytetit. Por në të kundërt nuk duket asnjë shenjë për fundin e krizës së vazhdueshme politike, që nisi qysh me akuzat për manipulim të zgjedhjeve parlamentare para dy vjetësh dhe arriti kulmin tani me zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës. …

Shanset që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për antarësim në BE brenda një periudhe të parashikueshme nuk janë përmirësuar nga këto zgjedhje. Mund të duhen vite, derisa një ditë të hapet sërish vetëm njëri kanat i portës për në dhomën e pritjes së unionit – të paktën për aq kohë sa partitë të mund të bien dakord, për të realizuar zgjedhje korrekte, për t'i numëruar si duhet dhe në kohën e duhur votat e dhëna si dhe për të hequr dorë prej presioneve ndaj votuesve dhe manipulimeve të rezultateve. …

Se sa do të zgjasë rinumërimi i votave, kjo nuk mund të parashikohet. Për socialistët humbja e Tiranës do të ishte një dështim i rëndë. Të dyja qendrat e pushtetit në vend, qeveria dhe kryeqyteti, do të kalonin në duart e partisë demokratike. Vështirë që tendecave autoritare të Sali Berishës do të mund t'u vihej kufi. Rama me bashkinë do të humbiste edhe bazën e pushtetit në partinë socialiste, gjë që mund ta shfrytëzonin forcat radikale brenda saj.

Ndërkohë në rrugët e Tiranës po shtohen pirgjet e plehrave. Për aq kohë sa nuk është e qartë, se kush do ta ketë fjalën në të ardhmen në qytet, punonjësit e qytetit një herë për një herë e kanë ndërprerë punën.”

Nga numri 16.06.2011 i Frankfurter Allgemeine Zeitung

Redaktoi: E.Xhani