1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E mbikqyrur dhe e papërsosur?

AG/Ajazaj10 Shtator 2012

Kosova fiton të hënën zyrtarisht sovranitetin e plotë. Zëra nga shtypi gjerman në lidhje me ngjarjen historike.

https://p.dw.com/p/1666f
Fotografi: picture-alliance/dpa

Frankfurter Allgemeine Zeitung duke analizuar mbylljen e pavarësisë së mbikqyrur vëren: "...Megjithatë, në retrospektivë 10 shtatori 2012 me gjasa do të vlejë më shumë si një pikë e shënuar formale, pasi pavarësia e Kosovës do të vazhdojë të jetë si e mbikëqyrur ashtu edhe e papërsosur. E papërsosur, sepse shteti i dytë më i ri në botë, ndryshe nga ai më i riu (Sudani i Jugut), nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara si dhe i organizatave të tjera të bashkësisë ndërkombëtare, për sa kohë që Serbia dhe Rusia vazhdojnë ta pengojnë aderimin në to. E mbikëqyrur, sepse me gjithë shpërbërjen e ICO-s ka ende një sërë institucionesh, të cilat nuk ua shqepin sytë politikanëve kosovarë. Mandati i misionit të BE-së për policinë dhe shtetin ligjor EULEX zgjat të paktën deri në qershor 2014, e edhe trupa mbrojtëse ndërkombëtare për Kosovën KFOR, e cila drejtohet prej vitesh nga komandantë të Bundeswehr-it që ndërrohen, vazhdon të jetë e stacionuar në Kosovë.

Süddeutsche Zeitung: Një kapitull i errët mbetet historia e papërpunuar e Kosovës

Süddeutsche Zeitung e vendos theksin edhe tek mungesa e ballafaqimit me historinë e re në Kosovë dhe vëren se elita e re e Kosovës, me karakter fshatar dhe e dalë nga ushtria ilegale UÇK, e ka infiltruar administratën me ndihmës militantë. "Partia Demokratike e Thaçit (PDK) cilësohet prej vëzhguesve të pavarur si rrjet klientelizmi dhe 'oktapod korrupsioni'."

"Një kapitull i errët mbetet historia e papërpunuar e Kosovës: Sipas të dhënave të minionit të BE-së EULEX, prej shërbimit të fshehtë të UÇK-së SHIK pas luftës nuk u vranë me armë zjarri apo u frikësuan vetëm civilë serbë, po edhe me duzina të tëra politikanë të matur të Lidhjes Demokratike (LDK) të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Kosova mbetet edhe pas tërheqjes së autoritetit administrativ ndërkombëtar një problem për BE-në, me lloj-lloj potenciali rreziqesh."