1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

FDP: Me profil të ri për dalje nga kriza

14 Nëntor 2011

Në kongresin e jashtëzakonshëm të mbajtur në Frankfurt mbi Majn më shumë se 600 delegatë të Partisë liberale (FDP) kërkuan përgjigje konkrete për dalje nga kriza aktuale ku gjendet partia.

https://p.dw.com/p/139yL
Philipp Rösler
Philipp Rösler (nuk) e ka gjetur rrugën e duhur...Fotografi: dapd

Kryetari i liberalëve u prezantua si një person i cili u jep kurajo shokëve të tij. Philipp Rösler është zgjedhur në postin e kryetarit të liberalëve para rmë shumë se gjysmë viti, në vend të kryetarit të mëparshëm Guido Westerwelle. Por situata nuk ka ndryshuar shumë për këtë parti në krizë të thellë politike. Sipas sondazheve të fundit, liberalët edhe më tej kanë mbështetjen e vetëm 4 % të elektoratit. Kjo do të thotë se sikur sot të mbaheshin zgjedhjet parlamentare në Gjermani, kjo parti nuk do të futej fare në Bundestag.

Guido Westerwelle
Guido WesterwelleFotografi: dapd

Inkurajim i vetvetes dhe të tjerëve

"Ne po dalim ngadalë nga një fazë e vështirë. Kjo do të ndodhë në qoftë se nuk e humbim guximin dhe nuk e ulim kokën, në qoftë se nuk dëshpërohemi, por e ngrejmë kokën. Unë besoj se ky është sinjali kryesor që do të dërgohet nga ky kongres, sepse nuk bëhet këtu fjalë vetëm për ne, por për të gjithë qytetarët e Gjermanisë, të cilët kanë nevojë për inkurajim. Kjo mund të bëhet vetëm në qoftë se vet ne kemi guximin e duhur", theksoi Rösler.

Partia liberale sërish po përpiqet që me disa tema të cakutara të përfitojë në tregun politik. Ajo kërkon që tregjet financiare të kontrollohen më rreptë në të ardhmen dhe thekson rëndësinë e ekonomisë sociale. Liberalët angazhohen për politikë evropiane dhe kundër futjes së rrogave minimale.

Vlerat liberale

Phillip Rösler dhe Mark Rutte
Phillip Rösler dhe Mark RutteFotografi: dapd

Rösler tha se në këtë mënyrë ata duan të nënvizojnë vlerat e liberalëve. "Ne jemi partia e vetme që angazhohet për një politikë sociale në treg, partia e vetme që e di se kjo s'ka të bëjë vetëm me një sistem të caktuar ekonomik, por është qëndrimi ynë parimor. Përderisa të tjerët po ndryshojnë kurset politike dhe po afrohen me të majtën, ne mbetemi parti e qendrës politike. Ne mbetemi demokratë të lirë", tha ai.

Duartrokitjet në fund të fjalimit të kryetarit të partisë megjithatë nuk ishin edhe aq frenetike. Shumë delegatë kanë pritur nga kongresi në Frankfurt mbi Majn edhe më shumë. Nga Frankfurti liberalët donin të dërgonin një sinjal të qartë: se ata qëndrojnë së bashku edhe në këto kohëra krize politike. Dërgimi i një sinjali të tillë ishte vetëm pjesërisht i suksesshëm. Ajo që FDP-ja ka bërë shumë të qartë është se në koalicionin qeveritar do të insistojnë më shumë në vlerat e tyre liberale dhe realizimin e përcaktimeve programore.

Autor: Volker Witting/ Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani