1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Fenomeni Gruevski”: Cili është sekreti i popullaritetit të tij?

Goran Toevski / Fatos Musliu4 Janar 2014

Emri i kryeministrit Nikolla Gruevski mbante vendin e parë në propozimet e qytetareve për zgjedhjen e personalitetit të vitit 2013. Madje disa propozojnë që ai të shpallet i shenjtë.

https://p.dw.com/p/1Al4A
Nikolla Gruevski në Gjermani
Nikolla Gruevski në GjermaniFotografi: AP

Nuk është sozia e Xhorxh Klunit, nuk është folës i kalibrit të oratorëve të famshëm antikë, nuk ka karizmën me të cilën përshkruhej paraardhësi i tij Lupço Georgievski, por për të shtatin vit me radhë është politikani më popullor dhe lideri me kuotën më të lartë në Maqedoni. Në emisionet e hapura në radio dhe televizion, krahas emrave të sportistëve vendas, yjeve të estradës dhe liderit të LSDM-së opozitare Zoran Zaev, emri i tij kryesonte në propozimet e qytetarëve për zgjedhjen si personaliteti i vitit 2013. Disa shkuan deri aty sa propozuan që Nikolla Gruevski të shpallet shenjtor! Nëse e lemë anash patetikën e tillë, për sociologët shpjegimi i “ Fenomenit Gruevski”, është një sfidë e fuqishme profesionale dhe shoqërore . Duke marrë parasysh veprimet e deritanishme të kryeministrit, ai me siguri udhëhiqet nga fjala e urtë ” Оptimus orator est qui minimis verbis plurimum dicit“: “Orator i mirë është ai që mund të thotë shumë, me shumë pak fjalë”. Prandaj shpesh tregon se për situatat e caktuara “ më mirë flasin veprat” ose “ një fotografi sa një mijë fjalë”. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që ai ka hequr dorë nga fjalimet e gjata “ fideliane”, në raste të caktuara, festa shtetërore, kongrese partiake ose manifestime të rëndësihme publike.

Sekreti i suksesit

Edi Rama dhe Nikolla Gruevski
Edi Rama dhe Nikolla GruevskiFotografi: MIA

Cila është e fshehta e suskesit të njeriut që deri dje ishte i dashuruar pas boksit, e që për shtatë vite rrjesht mban opozitën , sipas disave në nokaut, sipas të tjerëve në nokdaun?

Profesor Branisllav Sarkanjac, të cilin në fillim të mandatit të parë të Gruesvkit mediat e komentuan si këshilltar të tij, thotë se sekreti qëndron tek puna e palodhur. Gruevski është i veçantë dhe njeri i thjeshtë prandaj qytetarët e ndiejnë atë si njërin prej tyre, thotë profesori Sarkanjac: “Ai është punëtor i paparë dhe i palodhshëm. Energjia e tij të mahnit. Ashtu si duket në mëngjes i freskët, ashtu duket edhe në mbrëmje pas seancave të mbledhjeve qeveritare që vazhdojnë deri pas mesnatës. Mendoj se vështirë mund të gjendet dikush që mund të krahasohet me të për sa i përket ritmit të punës. E dyta, ai është i pakrahasueshëm edhe në mënyrën e komunikimit. Deri tani askush nuk është ankuar se ai është arrogant apo i paarritshëm. Me të gjithë bashkëbiseduesit ai sillet sikur të jetë një nga pjestarët e ekipit dhe jo sikur ai është mbi ta. E treta, ai ka njohuri të pabesueshme për punën e të gjithë sektorëve . Mban mend në detaje se çfarë kanë paralajmëruar anëtarët e kabinetit të tij dhe vazhdimisht interesohet për rjedhën e aktiviteteve: “deri ku janë punët për të cilat folëm para një jave”, ..ose “ si po shkon projekti që paralajmëruat në mbledhjen e fundit”? Në takimet me qytetarët ai është shumë i thjeshtë dhe kjo është arsyeja se përse ata e vlerësojnë si njërin prej tyre” , thotë Sarkanjac.

Faktori gjuhë

Linguistët thonë se një pjesë e suksesit qëndron në gjuhën që përdor kryeministri në fjalimet e përditëshme. Ajo është shumë e thjeshtë, e pangarkuar me fjalë të huaja, e pasur me fjalë popullore dhe kjo e bën të kuptueshëm për popullin. Nëse kësaj i shtohet edhe vlerësimi i stilistëve, se përveç rasteve të veçanta kur vishet me kostum, kryeministri preferon xhakavento dhe veshje sportive, ai fiton edhe imazhin stilistik të ‘ djaloshit të lagjes” që e bën edhe më të afërt për qytetarët. Sipas studiuesit të shkencave të komunikimit, Petar Arsovski, “personaliteti” politik i politikanit në thelb përfaqëson konstrukt abstrakt, por me kalimin e kohës, bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm faktori i zgjedhjes së liderëve. Arsyeja për këtë ka të bëjë me faktin se pjesa më e madhe e votuesve nuk kanë as kohë e as kapacitet të njohin çdo detaj të platformave politike, ndaj imazhi personal, pëlqyeshmëria dhe kredibiliteti, bëhen një substitute gjithnjë e më i fuqishëm për ideologjinë, platformat, politikat.

Gruevski është rezultat i mekanizmit reaktiv të elektoratit ndaj politikës në përgjithësi, urrejtjes ndaj politikanëve, thekson Arsovski.

Prodhim i partive lidere

Nikolla Gruevski dhe Ban Ki-moon
Nikolla Gruevski dhe Ban Ki-moonFotografi: MAKFAX

Një pjesë e analistëve vlerësojnë se popullariteti i liderëve në përgjithësi është rezultat i faktit se më tepër funksionojnë partitë lidere. Sipas profesorit të sociologjisë politike, Dimitar Mirçev, të ashtuquajturat parti lidere paraqiten jo në bazë ideologjike, etnike apo programore, por në bazë të vetive të “ liderit” dhe karakteristikave të tij. “ Nuk mund të flitet për “ karizëm” për “ autoritet publik”, apo për oferta autoritative deri te qytetarët, por bëhet fjalë për simbolikën e liderit. Ai e ngre ose e ul kuotën e përkrahjes nga shumica e qytetarëve. Të gjitha anketat tek ne tregojnë se përkrahja për liderin përcakton edhe përkrahjen e partisë. Kjo vlen edhe sot: anketat tregojnë se liderët ndikojnë edhe në “ përkrahjen” e partisë , shembuj tipik për këtë janë Gligorov, Trajkovski, Tupurkovski, Georgievski, para së gjithash Cërvenkovski, por edhe disa të pavarur. Mendoj se Gruevski i kuptoi këto të vërteta dhe ngjarje dhe çdo herë prezantohet nga ky këndvështrim. Me siguri e ndjen trendin: jo probullgarizëm ose proserbizëm ose joshqiptarizëm, jo treg klasik liberal, por politikë të gjerë sociale, modernizim, të rinj, sport, inovacione, shëndetësi, investime, masa, projekte. Këtu u tregua si efikas dhe “ i pranueshëm” si menaxher i mirë, si njeri i ofertave . Mundemi ta vlerësojmë edhe në mënyrë kritike: reklamues, antikuizim, qëndrim i ashpër ndaj fqinjëve, punë jo e mjaftueshme për pëkrahje të jashtme për Maqedoninë, por Gruevsi ka edhe një stil modern të lidershipit, në paraqitjet dhe në punë , karakteristika që nuk janë vërejtur tek liderët e mëparshëm. Personalisht më pengon paraqitja e rregullt në “ hapjen” e ngjarjeve lokale, në veçanti me priftërinjtë e KOM-it. Nuk jam jobesimtar e as ateist, pastër - laik. Por mbi të gjitha nuk ka lider alternativë”, thotë Mirçevski

Demokracia “e dëmshme”

Sipas politikologëve, emri i dytë i partive lidere është parti-sulltan, ku sundon në mënyrë absolute pushteti i liderit, hierarkia e rreptë , dëgjueshmëria e verbër dhe frika nga humbja e mëshirës së liderit. Prandaj edhe nuk kemi polemikë me liderin, as debate publike për tema dhe çështje të caktuara apo kahjeve se si duhet të veprohet. Deri më tani askush nga eshalonet partiake nuk ka provuar publikisht të testojë demokracinë partiake të liderit të VMRO-DPMNE-së. Dr.Emilia Simovska, profesore në Institutin për kërkime Sociologjike dhe Politike, thotë se arsyet për këtë gjendje mund të lokalizohen në : kontekstin dhe mënyra në të cilat përdoren politikisht: “Sa i përket kontekstit, të gjitha hulumtimet gjatë 25 viteve të kaluara tregojnë se kultura dominante politike te ne është autoritare sipas të gjitha parametrave. Te shumica e qytetarëvbe dominon nevoja për një “ lider të aftë” ndërsa te një pejsë tjetër nevoja për një “ lider me dorë të fortë, “. “Dëgjueshmëria” llogaritet si e mirëqënë dhe është kthyer në normale dhe praktike. Jetesa sipas parimit “ kokën e ulur nuk e pret shpata”. Për një pjesë të qytetarëve, që asnjëherë nuk ka qenë më e vogël se raporti 1-3, demokracia i “komplikon” punët dhe kur është me tepricë atëherë është “e dëmshme”. Është mëse e qartë se për shumicën e qytetarëve, si në aspektin politik po ashtu edhe në atë ekonomnik, liria më tepër është barrë sesa përfitim. Asryeja e dytë është rrjedhojë e shfrytëzimit të këtij kontesti nga ekspertët të cilët e konceptojnë fushatën e Gruevskit. Në fillim ishte korrekte dhe pa gabime, sepse ndiqte deri “në detaje” elementet e librave nga parimet e pupulizmit. Dhe është shumë e logjikshme që qytetarët të identifikohen me një lider të tillë, i cili do t'u përngjajë atyre dhe jo elitave politike me dimensionet e së cilës ata nuk mund të identifikohen”, thotë Simovska

Tri mrekulli

Është e qartë se Gruevski pati sukses të imponohet si lider me të cilin shumica e qytetarëve vetëidentifikohen. Kompleksiteti i këtij fenomeni mund të sqarohet me thjeshtësinë e sjelljes së tij: i dëgjon, u përgjigjet në “ gjuhën “ e tyre, i viziton vendet e tyre, mban këpucë të njëjta, shkel në baltën e tyre, madje edhe “rr-ja” e tij franceze i bind se ai nuk është i përsosur siç nuk janë edhe ata. Nuk i intereson çështja e procedurave dhe demokracisë, për ata këto janë terma abstrakte dhe nuk duken siç duken investimet e reja ose “ Shkupi 2014”. Atë që e shohin është se Gruevski nuk e shfaq familjen në publik, se vajza e tij mësojnë në shkolla publike dhe jo në shkollat private siç preferonin ish-paraardhësit e tij, e nuk jeton në rezidencën kryeministrore, por në një pallat në qendër të qytetit. Ata që propozojnë të shpallet shenjtor, besojnë se ka bërë më shumë se tre mrekulli: ndonjëri pas 20 viteve është punësuar për herë të parë, tjetri ka fituar banesë sociale, i treti pa pagesë ka shkuar në llixha , dikush ka fituar subvencion apo bursë… Është e qartë se në mikroplan Gruevski ka siguruar “beatifikimin politik”. Në makroplan, premtimi për antarësimin e vendit në BE dhe NATO, tanimë është lartësuar në nivelin e mrekullisë. Sipas kryeministrit, realizimi i këtyre dy mrekullive nuk varet vetëm nga ai. Mrekullia e tretë do të ishte kur ai të arrinte të krijonte kushte që realizimi i dy mrekullive të sipërpërmendura të varej vetëm prej tij.