1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fermerët në Greqi: Duam të ardhur minimale të garantuar

Niko Anagnosti27 Janar 2009

Për të shprehur protetstën e tyre fermerët grekë bllokuan të hënën (26.01) arterien kryesore rrugore Athinë-Patër.

https://p.dw.com/p/Gh9u
Fotografi: dpa

Qeveria greke u tregoi fermerëve vijën e kuqe të paketës së saj pej 500 milionë eurosh dhe fermerët iu kundërpërgjigjen me vendosmerinë për të vazhduar protestën. “Përshkallëzim të luftës sonë. Atë që nuk arritëm vetë për një javë, të forcojmë luftën tonë, e arriti ministria” thotë Vasilis Qilafas, përfaqësuesi i Komitetit Koordinues të Fermerëve të Vendit që të hënën (26.01) bllokuan edhe arterien kryesore rrugore Athinë-Patër nga bëhet transporti kryesor i mallrave lindje-perëndim. Me Athinën të bllokuar 100 km jashtë saj, qendrën kryesore të transportit të mallrave dhe pasagjerëve, shfuqizohet edhe rëndësia e pikëkalimeve të vetme të hapura me Shqipërinë, kur ato me Turqinë, Bullgarinë dhe “Maqedoninë” janë të bllokuara prej ditësh dhe radha e automjeteve në të dyja anët e kufirit i kalon të 20 kilometrat. Ministria e Jashtme bullgare, që përllogarit koston në miliona euro, protestoi sërish pranë Athinës dhe kërkoi ndihmën e Brukselit për një zgjidhje sa më të shpejtë.

Situata është kritike. “Në këtë moment është nevojë urgjente të hapen rrugët e vendit, të mos jetë peng e gjithë shoqëria me djersën e së cilës sigurohen të ardhurat për mbështetjen e fermerëve”, ishte apeli i vetë Kryeministrit Karamanlis kur ndërkohë në media shkruhet dhe dëgjohet edhe termi “kryengritje e fermerëve”. Apeli gjen sigurisht jehonë në një pjesë të shoqërisë dhe politikës, që e shikon si abuzive dhe ekstreme mbylljen e rrugëve, ashtu siç disaprovohet nga pjesa tjetër, që akuzon qeverinë pse nuk mori masa esenciale në kohë duke vënë në konflikt njërin grup social me tjetrin.


“Qeveria ka shtrydhur shpirtin e saj, ka shtrydhur buxhetin , arriti në cakun e konfliktit me grupe të tjera sociale” ishin dhe fjalët e ministrit të Zhvillimit Bujqësor Haxhigaqis që nuk arriti, siç shpresohej, të gjejë gjuhën me fermerët dhe që ndoshta i kalon me zili nëpër mend metoda e socialistëve, që para 12 vjetësh u kishin shfryrë gomat traktorëve. “Asnjë euro më shumë se 500 milionë euro”, thotë ministri kur fermerët kërkojnë 1 miliardë për kompesimin e dëmeve vetëm për pambukun, grurin dhe misrin. Duam të ardhur minimale të garantuar, thonë fermerët. Nuk na e lejon Bashkimi Evropian, përgjigjet ministri pa dhenë një përgjigje të qartë edhe për përpilimin e strategjisë kombëtare për bujqësinë në krizë dhe në reduktim të vazhdueshëm të numrit të fermerëve. Një luftë e ashpër nervash. Një duel nga i cili qeveria vështirë se mund të dalë fitimtare, pa mompromis dhe duke mundur fermerët që përbëjnë 17% të popullsisë.

(VFB)