1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mos me dhunë! Ne jemi populli!

18 Prill 2009

Në Lajpcig u rrokullis guri i parë i revolucionit paqësor në RDGJ. Nga lutjet e paqes në demonstratat e së hënës: DW-WORLD foli me ish-priftin e Kishës Nikolai, Kristian Fyrer (Christian Führer).

https://p.dw.com/p/GM0s
Pamje nga demonstrata. Burimi: dpa
Nuk duam dhunë! Duam ndryshime! Demonstrata e së hënës në Lajpcig, më 9 tetor 1989Fotografi: picture-alliance/dpa
Deutsche Welle: Një muaj para se të binte muri i Berlinit – më 9 tetor 1989 – në Lajpcig u zhvillua një demonstratë që nuk kishte marrë leje, më e madhja në RDGJ deri në atë moment me mbi 70 mijë pjesëmarrës, një turmë, kundër të cilës SED, (Partia e Unitetit Socialist) nuk mund të ndërmerrte asgjë. Si ishte e mundur që u mobilizuan kaq shumë njerëz?
Kristina Fyrer, Quelle: dpa
Kristian Fyrer - nismëtari i lutjeve për paqen në LajpcigFotografi: picture-alliance/ dpa

Kristian Fyrer: Kjo është një pyetje që shtrohet vazhdimisht. Që nga viti 1982, kur filluam të organizonim lutjet paqësore të së hënës, në Kishën Nikolai, ne ishim kthyer në një strehëzë për kritikët dhe ata që donin të flisnin për çështje që nuk mund tematizoheshin në RDGJ – e kjo dihej. Numri i pjesëmarrësve u rrit në mënyrë dramatike nga maji i vitit1989, kur pushteti shtetëror i bllokoi të gjitha hyrjet për në Kishën Nikolai. Qevria kujtonte se duke mbyllur kishën do të trembte njerëzit, por në fakt ndodhi e kundërta. Në panairin e 4 shtatorit ekipet televizive perëndimore kishin marrë leje për të xhiruar në gjithë qytetin. Ata kishin zënë vend para kishës, kur dolëm ne dhe njerëzit tanë që shpalosën tabelën ku shkruhej: "Për një vend të hapur me njerëz të lirë". Tabela ndenji ndoshta 15 sekonda në ajër, pastaj u gris nga njerëzit e Shtazit (STASI – sigurimi i shtetit). Por gjithshka ndodhi përpara kamerave të televizioneve perëndimore. Pamjet e xhiara u transmetuan në lajmet e mbrëmjes dhe kështu, çudirat që po ndodhin në Lajpcig nuk i mësuan vetëm në Gjermaninë perëndimore, por edhe ata në RDGJ. Ne të gjithë shikonim kanalet perëndimore.

Deutsche Welle: Pastaj erdhi 7 tetori 1989, 40 vjetori i RDGJ-së

Kristian Fyrer: Në kishën e Nikolait në Lajpcig atë ditë u arrestuan qindra njerëz. Honekeri (Honecker) vetë kishte thënë: "Kisha Nikolai duhet të bllokohet". Policia ishte pajisur më shumë se kurrë më parë – me helmeta, shkopinj gome, qen, mburoja – dhe rrihte njerëz. Gjithë ditën nga mëngjesi deri në mbrëmje. Ndërsa në gazeta shkruhej: "Të hënën (më 9 tetor) do t’i jepet fund kundërrevolucionit, po të jetë nevoja edhe me armë në dorë". Më 8 tetor në meshë erdhën mjekët që tregonin se nëpër spitale ishin hapur departamente për të trajtuar të plagosurit me armë zjarri. Kështu 9 tetori po afrohej me një frikë të tmerrshme.

Deutsche Welle: Si kaloi pastaj demonstrata masive e 9 tetorit?

Gra dhe fëmijë me qirinj në dorë. Burimi: dpa
"Me qirinj do të thotë pa dhunë"Fotografi: picture-alliance/dpa

Kristian Fyrer: Ne lejuam që 6000 deri 8000 njerëz të hynin në kishat e qytetit, për më shumë nuk kishte vend, por në fakt kishin ardhur 70 mijë vetë. Asnjë nga ne nuk doli nga kisha, i gjithë oborri i Kishës Nikolai ishte plot me njerëz! Të gjithë mbanin qirinj nëpër duar – dhe qiri do të thotë - mos me dhunë. Sepse për të mbajtur qiririn nevojiten dy duar, përndryshe ai shuhet. Kështu që nuk mund të mbash në duar as gurë e as shkopinj gome. Një anëtar i komitetit qendror të SED-së më vonë tregonte : "Ne kishim planifikuar gjithçka, ishim përgatitur për gjithçka, vetëm për qirinjtë dhe lutjet nuk ishim përgatitur. Për këto policia nuk kishte urdhër arresti. Po të ishin hedhur gurë ose të sulmoheshin policët, atëherë do të ishte vepruar si më parë me dhunë. Por kur panë qirinjtë, tanket u zmbrapsën dhe kur turma arriti sërish tek Pallati i Koncerteve (Gewandhaus) e kuptuam që RDGJ-ja nuk ishte më i njëjti vend që ishte gdhirë në mëngjes, diçka kishte ndryshuar. Në ato çaste ne nuk e dinim, por e parandienim se po ndodhte diçka e madhërishme. Më vonë e kuptuam se çfarë kishte ndodhur.

Deutsche Welle: Ju gjithmonë keni apeluar për mospërdorimin e dhunës dhe i keni inkurajuar demonstruesit që të mos druhen nga ushtria – madje dhe në ato raste kur kjo vinte me tanke. Ku e merrnit sigurinë, që gjithshka do të mbetej paqësore?

Kristian Fyrer: Ne nuk kishim fare siguri. Ditë e natë ne kishim frikë, por besimi ishte gjithmonë më i madh se frika. Fuqinë që të jep mungesa e dhunës e kishim njohur nga Jezu-Krishti dhe e dinim që kjo ishte gjëja e vetme që mund të përdornim. Sepse që nga ai çast që përdorim dhunë, ne bëhemi si pala kundërshtare dhe bekim i zotit largohet prej nesh. Këtë jam përpjekur t’ua shpjegoj të rinjve gjatë lutjeve të paqes dhe çuditërisht të gjithë e respektuan dhe hoqën dorë nga dhuna. Pastaj përjetuam diçka, që edhe sot më bën përshtypje. Masat në këtë vend të pakrishterë i përmblodhën të gjitha lumturitë e predikimit të Jezu Krishtit me dy fjalë: "Mos me dhunë!". Ata jo vetëm që e thanë, por edhe e zbatuan këtë me vendosmëri. Në se ka diçka që e ka merituar përshkrimin "mrekulli", atëherë është ajo ishte një e tillë. Asnjëherë nuk ia kemi dalë me revolucion, kjo ishte hera e parë – dhe pa u derdhur gjak. Me të vërtetë që gjithshka filloi këtu.

Deutsche Welle: Kjo do të thotë se pa lajpcigasit nuk do të kishte pasur revolucion paqësor në RDGJ?

Pamje e jashtme e Kishës Nikolai. Burimi: dpa
Kisha Nikolai në Lajpcig - simbol i kthesës në vjeshtën e vitit 1989Fotografi: picture-alliance/ ZB

Kristian Fyrer: Po. Ne kishim disa gjëra, që të tjerët nuk i kishin. Ne zhvillonim rregullisht çdo javë lutjet paqësore në një periudhë të gjatë kohe, pastaj kishim një grup të madh njerëzish që donin të largoheshin. Ky grup qëndroi i bashkuar nën kulmin e kishës sonë dhe kjo është diçka që nuk ndodhi në qytete të tjera. Kjo ishte bërthama që mblodhi masat. Njerëzit erdhën nga e gjithë RDGJ-ja. Më 9 tetor 1989, ata 70 mijë demonstrues nuk ishin vetëm nga Lajpcigu ose Saksonia, por nga e gjithë RDGJ-ja. Pra pa Lajpcigun, nuk do të kishte as 9 nëntor 1989, 3 tetor 1990 jo e jo.

Deutsche Welle: Çfarë mbetet sot nga revolucioni paqësor në RDGJ?

Kristian Fyrer: Unë mendoj, se ne edhe sot kemi nevojë për guxim dhe kurajo civile për të ndërhyrë e për të mos thënë: ata do ta rregullojnë disi, ose do bëhet si do bëhet dhe do të rregullohet vetvetiu, por për të marrë përsipër përgjegjësinë për vendin. Ne gjermanët kemi bërë shumë sakrifica për gjëra nga më të marrëzishmet. Tani ia vlen të sakrifikohemi për diçka të drejtë, të angazhohemi për t’u bërë ballë vështirësive – për këtë Gjermani të bashkuar, këtë vend të mrekullueshëm, këtë demokraci. Unë mendoj, se nuk duhet të ankohemi për gjithçka, sipas traditës së vjetër gjermane, e të kërkojmë ku është fshehur qimja në supë, por tani ka ardhur koha të themi: Ky është vendi ynë, dhe ne duam të marrim pjesë në zhvillimin e kësaj demokracie, që e fituam me shumë guxim e mund duke vënë jetën në rrezik. Gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë është një pjesëmarrje më e madhe në votime, kjo, për shembull, ishte një nga kërkesat e vjeshtës së vitit 1989: Zgjedhje të lira! Tani ato i kemi.

Deutsche Welle: Ju thoni: "Gjermania është një vend i mrekullueshëm, një demokraci e mrekullueshme,", e megjithatë ju vetë e keni kritikuar ashpër procesin e bashkimit. Ku është gabuar, sipas mendimit tuaj?

Pamje nga demonstrata. Burimi: dpa
Demonstrata e së hënës më 23 tetor 1989 në LajpcigFotografi: dpa

Kristian Fyrer: Bashkimi i Gjermanisë u desh të bëhej me shpejtësi, menjëherë mbasi erdhi oferta e Gorbaçovit në korrik 1990 nga Kaukazi. Por, nevojitej më shumë kohë për ta bërë bashkimin me përgjegjshmëri. Kështu për shembull, mendoj se festa kombëtare duhej të ishte më 9 dhe jo më 3 tetor. Kjo do t’i jepte vendin e merituar vetëdijes së qytetarëve të ish-RDGJ-së, sepse parakushtet për bashkimin u krijuan në lindje, pa ndihmë nga jashtë. Së dyti, çështja e emrit. Nuk mund të mbetet edhe më tej thjesht RFGJ. Kjo për mua është një pjesë e Gjermanisë në periudhën 1949 -1989. Po sikur të kishim kërkuar edhe ne që Gjermania e re të quhej RDGJ! Do të na kishin shpallur të çmendur. Ndërsa kështu gjermano-perëndimorët kanë përshtypjen se ata mbetën ashtu siç ishin, u shtuan me ca nga lindja, i dhanë një dorë renovimi RDGJ-së dhe me kaq mbaroi. Por, ja që nuk ishte kështu. Dhe së fundi, çështja e himnit. Kjo këngë është prishur dhe njollosur nga nazistët njëherë e përgjithmonë, ajo nuk mund të shërbejë si himn kombëtar. Cila ishte e reja për perëndimin? Kodet postare dhe disa targa makinash – dhe kaq edhe mezi e përballuan! Kurse këtu në lindje ka ndryshuar gjithçka. Dhe kjo nuk mund të shkonte vaj. Ka disa gjëra që janë problematike për procesin e bashkimit.

Deutsche Welle: Në Kishën e Nikolait vazhdojnë të mbahen lutjet e paqes. Njerëzit tani për shembull luten për Afrikën, për një bujqësi pa teknologji gjenetike ose për aksionin "Shenja pajtimi" (Sühnezeichen). A nuk do të ishte më mirë sikur njerëzit të mobilizoheshin kundër një problemi të madh, në vend që tëluten çdo javë për diçka tjetër?

Demonstruesit me plakatë "Hiqeni Hartz IV! Ne jemi populli!", burimi: AP
Në gusht 2004 lajpcigasit dolën sërish në demonstratën e hënës: Kundër reformave të tregut të punës (Hartz IV)Fotografi: AP

Kristian Fyrer: Çdo vit ne zhvillojmë tre lutje paqësore për papunësinë, në vitin 1992 në Kishën Nikolai kemi krijuar rrethin "Shpresë për të Papunët". Kemi bërë demonstrata me javë të tëra dhe njerëzit e çmojnë shumë këtë. Edhe kundër neofashizmit organizojmë vazhdimisht aktivitete. Kishim një neonazist nga Hamburgu, i cili kishte kërkuar leje për të zhvilluar në Lajpcig demonstrata neonaziste, çdo 1 maj dhe çdo 7 tetor deri në vitin 2014. Nga viti 2001 deri në 2007 ato u zhvilluan. Aty dilnim edhe ne nga kisha për t’iu kundërvënë nazistëve, pa dhunë - vetëkuptohet. Dhe së fundi arritëm që në vitin 2007 ky neonazist të hiqte dorë. Ne organizojmë aktivitete edhe në qytete të tjera. Qyteza saksone Koldic (Colditz) për shembull, gjithmonë ka qenë strehë naziste, qyteti ka qenë sunduar nga frika dhe tmerri. Ne organizuam në bashkëpunim me bashkinë një ditë të madhe me temën "Një qytet ngrihet në këmbë" ku mbajtëm lutjet e paqes, priftëresha dhe shoqatat kanë qenë shumë aktivë atje, duke na dhënë një sinjal të qartë.

Deutsche Welle: Tani nuk ka më ekstremistë të djathtë në Koldlic?

Kristian Fyrer: Ata sërish do të dalin, por në se popullsia nuk do të frikësohet menjëherë, atëherë kemi arritur shumë. E rëndësishme është që populli të mos e lërë veten të terrorizohet nga disa vetë, që bëjnë shumë zhurmë dhe që krijojnë përshtypjen se janë të fortë – ata jetojnë vetëm nga frika e anës tjetër. Dhe pikërisht kjo frikë duhet hequr. Kjo vlen edhe për temën e papunësisë dhe për çdo problem të njerëzve. Lutjet e paqes janë shumë të përshtatshme për ta hequr këtë frikë.

Kristian Fyrer ka qenë prift i Kishës Evangjeliste Nikolai në Lajpcig nga viti 1980 deri 2008. Në mars 2008 ai doli në pension.