1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillojnë sot bisedimet e fundit Prishtinë - Beograd

Bahri Cani/ Vjenë26 Nëntor 2007

Në Baden të Austrisë fillojnë sot bisedimet e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhje të çështjes së Kosovës. Trojka ndërkombëtare ka njoftuar përfundimin më 10 dhjetor të mandatit

https://p.dw.com/p/CT8m
Studentë shqiptarë demostrojnë për pavarësinë e Kosovës
Studentë shqiptarë demostrojnë për pavarësinë e KosovësFotografi: AP

Eshtë kjo përpjekja e fundit për marrëveshje në bisedimet e drejtëpërdrjta shtesë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Mandati i Trojkës ndërkombëtare të përbërë prej BE -së, SHBA-së dhe Rusisë zgjatë 120 ditë dhe do të përfundojë me 10 dhjetor, kur duhet t’i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Mirëpo fitohet përshtypja se palët janë tepër larg mundësisë për marrëveshje.

Palët kanë ardhur në Baden të Austrisë me qëndrime plotësisht të kundërta

Zëdhënësi i ekipit të unitetit, Skender Hyseni bëri të ditur se bisedimet do të cilat fillojnë në orën 15:00. Delegacionet sërish udhëhiqen në nivelet më të larta. Ata fillimisht do të kenë një takim të përbashkët e më pas edhe takime të ndara me Trojkën. Marrëveshja është që të mos japin deklarata deri në përfundim të bisedimeve.

Qëllimi ynë kryesor është pavarësia e Kosovës

Megjithatë presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Agim Çeku shfrytëzuan prezencën e shumë gazetarëve të huaj, që në gjuhën angleze të theksojnë edhe një herë qëndrimet e tyre. "Kemi ardhur këtu për të shpjegur vizionin tonë për ardhmërinë e Kosovës. Qëllimi ynë kryesor është pavarësia e Kosovës. Jemi të përgatitur për një Kosovë të pavarur për të gjithë qytetarët e saj dhe mbrojtjen e mirë të minoriteteve. Për këtë jemi duke punuar tërë kohën dhe këtë garantojmë", theksoi presidenti Sejdiu, duke shtuar se qëllimi i delegacionit kosovar është edhe vendosja e raporteve të mira me Serbinë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

Presidenti Sejdiu dhe të gjithë anëtarët tjerë të delegacionit të unitetit, me të cilët pata mundësinë të bisedojë në Baden, përsërisin se nuk do të ketë asnjë marrëveshje kompromisi, e cila mund të dëmtojë rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Delegacioni i Kosovës pohon se oferta e vetme e tyre është traktati për fqinjësi të mirë me Serbinë. Qëllimi i tyre është pavarësia dhe integrimit i vendit në strukturat euroatlantike. Mirëpo edhe një herë përsëritën se pa marrëveshje me SHBA, BE dhe miqtë tjerë ndërkmobëtarë nuk do të ndërmarrin ndonjë hap për shpalljen e pavarësisë. Ata thonë se pavarësia do të shpallet pas 10 dhjetorit, por nuk e saktësojnë nëse do të ketë ndonjë afat të fundit se deri kur do të presin.

Delegacioni i Serbisë në Baden pritet pas mesdite

Mirëpo, presidenti i Serbisë Boris Tadiç dhe kryeministri Vojisllav Koshtunica kanë bërë të ditur se, nuk do të pranojnë pavarësinë e Kosovës. "Unë vazhdoj të besoj në mundësinë e kompromisit, ndonëse të gjitha sinjalet e deritanishme shkojnë në drejtim të kundërt, tha së fundi Tadiç duke shtuar se ata nuk do të pranojnë të bisedojnë për çështjet pas statusit.

Tadiç me propozim të ri

Presidenti Tadiç ka paralajmëruar se në tavolinën e bisedimeve do të hedhë edhe një propozim të ri, që Kosova të ketë autonomi të gjërë në 20 vjetët e ardhëshme dhe më pas të rishqyrtohet çështja e statusit përfundimtar. Ofertat e deritanishme zyrtare të palës serbe ishin, që Kosova të ketë një autonomi substanciale sipas modeleve të Hongkongut apo ujdhesave Olande. Mirëpo esenca e të gjitha propozimeve serbe është rikthimi i sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën dhe ruajtja e integritetit të saj territorial.