1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillojnë votimet për referendumin në Greqi

AUD (L.Sanders)5 Korrik 2015

Greqia po vendos, nëse do të pranojë propozimet e kredidhënësve në një referendum, që e ka polarizuar vendin. Qeveria greke ka bërë thirrje që të kundërshtohen propozimet e kredidhënësve.

https://p.dw.com/p/1FsvM
Cipras voton
Fotografi: picture-alliance/dpa/Kay Nietfeld

Negociatat disamujore midis qeverisë greke dhe kredidhënësve - Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane (BQE) dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) - përfunduan në fund të qershorit, kur kryeministri Cipras i shokoi kredidhënësit: ai shpalli papritur se do ta hedhë në referendum propozimin e kredidhënësve, për zgjatjen e programit të ndihmave për Greqinë.

Sondazhe të pavarura të opinionit kanë sugjeruar një garë të ngushtë midis kampeve kundërshtare para votimit, me gjithë thirrjen e Ciprasit për të votuar me "jo". Rreth 10 milionë grekë po vendosin në kutitë e votimit, nëse i pranojnë apo refuzojnë kërkesat e kredidhënësve ndërkombëtarë.

Në pesë muajt që kur kryeministri erdhi në pushtet mbi bazën e një platforme për të rinegociuar kushtet e programit të kredive për Greqinë dhe për t'i dhënë fund politikës së rreptë fiskale, nuk u arrit asnjë marrëveshje në negociata me kredidhënësit. Kjo bëri që Greqia të mos i kthejë dot FMN-së një kredi në 30 qershor.

Këtë ditë, Greqia hyri në histori, duke u bërë vendi i parë i industrializuar që nuk i kthen një kredi FMN, një ngjarje që shkaktoi tronditje në tregjet financiare botërore dhe në Eurozonë.

Votimi ka bërë që grekët majtistë dhe evropianët të jenë në kampe të ndryshme. Të premten, dy mitingje masive në mbështetje të kampeve opozitare u mbajtën në Athinë, duke shkaktuar skepticizëm tek grekët në botën e jashtme.

Por referendumi ka polarizuar edhe Evropën. Mijëra vetë kanë demonstruar në disa kryeqytete evropiane në mbështetje të një vote "jo" si përgjigje ndaj drejtuesve të Eurozonës, duke përfshirë edhe kancelaren Angela Merkel, që ka bërë thirrje që të votohet me "po".

Rezultatet e para rreth orës 20

Ky referendum është përshkruar si plebishit për qendrimin e Greqisë në Eurozonë si dhe një mocion votëbesimi për qeverinë. Me vëmendje pritet reagimi i qeverisë greke pas shpalljes së rezultateve të referendumit.

Qytetarët do t'i japin votat e tyre deri në orën 18, rezultatet e para priten rreth orës 20.00. Nëse shumica voton me "po", pritet dorëheqja e ministrit të Financave Yanis Varoufakis. Ai vetë ka thënë se do të japë dorëheqje. Disa vëzhgues besojnë se në rast të votimit pro reformave të kërkuara nga kredidhënësit, dorëheqje do të japë edhe Tsipras vetë. Në këtë rast duhet të zhvilloheshin zgjedhje të reja.