1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Finalja e madhe e zgjedhjeve evropiane

exh (dpa, rtr)25 Maj 2014

Rreth 400 milionë qytetarë të BE-së kanë të drejtën e votës për të vendosur për 751 vendet në Parlamentin e BE. Pjesa më e madhe votojnë këtë të dielë, edhe gjermanët. Në shumë vende vihet re indiferencë për zgjedhjet.

https://p.dw.com/p/1C6RO
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në Gjermani dhe 20 vende të tjera të BE-së këtë të dielë (25.05.) votohet për Parlamentin e ri Evropian. Gjermania si vendi me popullsinë më të madhe, dërgon më shumë parlamentarë se të gjithë vendet e tjera në Bruksel dhe Strasburg - 96 europarlamentarë. Në Gjermani gëzojnë të drejtën e votës plot 64,4 milionë njerëz: 61,4 gjermanë dhe gati tre milionë qytetarë nga vende të tjera të BE-së.

Në shtatë vende të BE-së zgjedhjet evropiane janë mbajtur ndërkohë: në Britaninë e Madhe, Holandë, Irlandë, Letoni, Çeki, Sllovaki dhe në vendin më të vogël të BE-së, Maltë, qytetarët patën mundësi të votonin që të enjten, të premten dhe të shtunën.

Pjesëmarrja në zgjedhje në rënie

Parlamenti Evropian në Strasburg
Fotografi: Reuters

Tendencat e para kanë ngjallur shqetësimin se pjesëmarrja në zgjedhje këtë herë mund të jetë edhe më e ulët se pesë vjet më parë. Që në vitin 2009 vetëm 43 për qind e qytetarëvë me të drejtë vote në BE, dhanë votën e tyre. Kryetari i Komisionit zgjedhor në kryeqytetin e Letonisë Riga, pas mbylljes së qendrave të votimit të shtunën (24.5.) përllogariti një pjesëmarrje prej vetëm 30 për qind.

Në Çeki kërkohen ndërkohë shkaqet për pjesëmarrjen me sa duket të ulët edhe atje. Rreth gjysma e çekëve i konsideronin zgjedhjet evropiane të panevojshme, pasi ato nuk ndryshojnë asgjë, ishte rezultati i një anketimi të kryer me porosi të televizionit çek.

Disa parashikime për rezultatet e zgjedhjeve ka tashmë por rezultatet zyrtare mund të publikohen vetëm të dielën (25.05.) në mbrëmje, sapo të mbyllen edhe qendrat e fundit të votimeve ne Itali në orën 23 sipas orës verore të Evropës Qendrore.

Me tension ...

UKIP Wahlplakat Anti EU
Postera anti-BE të partisë së djathtë UKIP në Britaninë e MadheFotografi: Getty Images

... pritet në mënyrë të veçantë rezultati i partive ekstremiste të djathta, populiste dhe euroskeptike. Ndërkohë që në Holandë "Partia për Lirinë" (PVV) e euroskeptikut dhe kritikut të fesë islame Geert Wilders duket se ka pësuar humbje, në Britaninë e Madhe duket se ka pasur rritje të dukshme të numrit të votave për partinë anti-BE, UKIP.

Në Francë institutet e studimit të opinionit presin një rezultat shumë të mirë për partinë me orientim të djathtë "Fronti Nacional" të Marine Le Pen. Pas rënies së kufirit prej 3 për qind në Gjermani, ka mundësi që edhe partia gjermane e ekstremit të djathtë NPD të dërgojë të paktën një deputet në Parlamentin Evropian.