1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

China Internetzensur

2 Korrik 2009

Pas protestave në vend dhe atyre ndërkombëtare qeveria kineze heq dorë nga planet që që prej 1 korrikut të gjithë kompjuterat që do të shiten në Kinë të pajisen me software-in filtrues "Green Dam".

https://p.dw.com/p/IeBO
Kineze ne internet
Kina ka një sistem mjaft të sofistikuar filtrimi të internetitFotografi: picture-alliance/ dpa

Software-i filtrues kinez "Green Dam" synonte të forconte më tej cenzurën edhe pse autoritetet kineze përbetohen se kjo ka si qëllim vetëm mbrojtjen e rinisë nga pornografia dhe përmbajtje të tjera të „dëmshme“.

Komisioni Evropian e quajti instalimin e detyrueshëm të software-it të ri filtrues si të papranueshëm. "Ndryshe nga pohimet kineze qëllimi i këtij programi është të cenzurojë internetin dhe të kufizojë lirinë,“ - thuhet në një deklaratë të javës së fundit.

Kina ka tashmë një sistem të sofistikuar filtrimi. Interneti kinez është i lidhur me botën e jashtme me tri nyje komunikimi. Këtu vendosen filtra, të cilat reagojnë p.sh. ndaj disa termave të posaçme. Por edhe teknikat e sofistikuara të filtrimit hasin në kufijtë e tyre, shpjegon Lars Fischer, ekspert i çështjeve të sigurisë në një firme gjermane kompjuterash: "Nga ana e teknikës informatike filtrat kanë efektivitet të kufizuar, se në shumicën e rasteve ka metoda për t'i anashkaluar ato.“

Pllakate kunder cenzures ne internet
Në listën për lirinë e shtypit të organizatës "Reporterët pa kufij“ Kina zë në të vendin e 167 ndër 173 shtete gjithësej. Ky pozicionim i keq i Kinës në listë ka të bëjë edhe me cenzurën e internetit.Fotografi: Reporter ohne Grenzen

Prandaj në Kinë ka afro 30.000 deri 50.000 policë interneti, që merren me kontrollin dhe cenzurën e përmbajtjeve. Me software-in e ri qeveria kineze bën tani një hap vendimtar. Ajo i zgjeron mundësitë e saj kontrolluese - nga infrastruktura e internetit në kompjuterin e përdoruesit. Për ekspertin e kompjuterëve Fischer kjo do të thotë: "Deri tani, kur ishin duke punar në internet kinezët e kishin kompjuterin e tyre aleat. Tani në kompjuter u hyn automatikisht një program, që mund të ndikojë shumë gjëra. Ky program ka në fakt kontroll të plotë mbi kompjuterin. Kështu në veprime të tilla, si anashkalimi i filtrave kompjuteri është më pak aleat, madje mund të them se bëhet direkt kundërshtar."

Programet e reja u ngjajnë të ashtuquajturve „trojanë“. Programet bëjnë të mundur - thënë e thjeshtësuar – drejtimin e kompjuterit nga distanca. Pa dijeninë e përdoruesit në kompjuter mund të shkarkohen p.sh. updates, apo edhe programe të tjera. Parimisht është i mundur një kontroll i plotë i kompjuterit, duke përfshirë edhe ndërhyrjen e plotë në hard-disk.

Kundër këtyre ndërhyrjeve në sferën private në Kinë u krijua rezistencë. Artisti Ai Uei Uei bëri thirrje për bojkotimin e internetit: "Unë u bëj thirrje të gjithëve, që më 1 korrik të heqim dorë nga të gjitha veprimtaritë, që kanë të bëjnë me internetin - qoftë me shkrimin, apo leximin e-maileve, me lojërat online apo me bloget.“

Ndërkohë qarkullon edhe një software, përmes të cilit njerëzit mund ta pastrojnë kompjuterin e tyre nga software-i filtrues.

Në këtë sfond protestash dhe kurajoje civile qeveria kineze vendosi të heqë dorë nga planet që duke filluar prej 1 korrikut të gjithë kompjuterat që do të shiten në Kinë të pajiseshin me software-in filtrues "Green Dam".

Autor: Mathias von Hein/Ruth Kirchner
Redaktor: Pandeli Pani