1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

031208 NATO Russland Dialog

Karla Engelhard3 Dhjetor 2008

Për shkak të luftës ruso-gjeogjiane NATO ndërpreu e dialogun me Rusinë. Tani tre muaj e gjysëm pas përfundimit të luftës aleanca rinisi negociatat me Moskën. Vendimi shkakton reagime pozitive në Rusi

https://p.dw.com/p/G8Pu
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s de Hoop Scheffer dhe sekretarja amerikane e shtetit Rice në takimin e NATO-s në BrukselFotografi: AP

Moska është e kënaqur me vendimin e NATO-s, që ish republikat sovjetike, Gjeorgjia dhe Ukraina, të presin edhe më tej me anëtarësimin në Nato. Po ashtu është mirëpritur edhe vendimi për rifillimin e Dialogut mes Rusisë dhe NATO-s. Ambasadori rus Dmitri Rogosin thotë se këto vendime dëshmojnë se Rusia është më e rëndësishme për NATO-n, se sa integrimi i Ukrainës dhe Gjeorgjisë.


„Pozicionet e ftohta si akulli nuk qëndruan. Përçarja në NATO është shumë e dukshme dhe do të thellohet me zgjerimin e aleancës. Megjithë intrigat amerikane, para së gjithash të ministres së jashtme Condoleezza Rice, nuk u arrit që të përhapen qëndrimet antiruse. Kjo do të thotë se Europa ka filluar të krijojë vullnetin e saj politik."

Dhe këtë në të mirën e Rusisë. Në veçanti kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ministri i jashtëm Frank Walter Steinmeier janë lavdëruar në mediat ruse për qëndrimin kundër anëtarësimit të menjëhershëm të Ukrainës dhe Gjeorgjisë dhe kundërshtimin e kërkesës amerikane.

Rusia mendon, se është në rrugën e duhur. Presidenti Dimitri Medwedew në qershor në Berlin në konferencën e sigurisë ka propozuar rifillimin nga puna të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, nga vitet e 70-ta. Kjo do të thotë krijimi i një zone sigurie nga Vancouveri në perëndim të Kanadasë e deri në Vladivostok. Një përgjigje konkrete të perëndimit deri tani nuk ka.

Ekspertët rusë mendojnë se Moska po i shfrytëzon në mënyrë të shkathët dallimet mes europianëve dhe amerikanëve për të penguar zgjërimin e NATO-s në lindje. Ndërkohë që përshëndetet edhe vendimi për rifillimin e dialogut mes NATO-s dhe Rusisë. Konstantin Kosacov nga Komisioni i Dumës për politikë të jashtme kumtoi:


„Rusia dhe NATO-ja kanë interesa të shumta të përbashkëta. Megjithë kundërshtimet ne duhet të bashkëpunojmë për të tejkaluar sfidat. Ne duhet të bashkëpunojmë, si në Afghanistan dhe Pakistan, ashtu edhe në Indi dhe në rajonet tjera të cënuara nga shtrirja e terrorizmit ndërkombëtar dhe programet atomike."

Rusia kërkon të jetë e barabartë me NATO-n dhe Europën. Presidenti Medwedew nuk përjashtoi madje edhe anëtarësimin e mundshëm të Rusisë në NATO. Mirëpo njëkohësisht ai kërcënoi me vendosjen e raketave Iskander në kufi me Europën, në rajonin e Kaliningradit.