1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

171011 Brüssel Occupy Reaktionen

18 Tetor 2011

Në kuadër të samitit social të Bashkimit Evropian, të hënën krerët më të lartë të BE u takuan në Bruksel me përfaqësues të sindikatave dhe punëdhënësve. Në konferencën e shtypit u vunë në qendër protestat sociale.

https://p.dw.com/p/12tYo
Nga samiti social në Bruksel: Barroso dhe Herman van Rompuy (17.10.11)
Nga samiti social në Bruksel: Barroso (djathtas) dhe Herman van Rompuy (17.10.11)Fotografi: dapd

Normalisht "samiti për çështje sociale" i krerëve të Bashkimit Evropian me përfaqësues nga sindikatat evropiane, të punëdhënësve dhe Komisionit Evropian është një aktivitet i mërzitshëm para çdo samiti të nivelit të lartë të BE-së. Por këtë herë protestat në mbarë botën kundër pushtetit të botës financiare prekën nervin e duhur në këtë takim. Askush nga përfaqësuesit nuk e preku vetë me dëshirë temën e protestave, por pas pyetjeve të gazetarëve, u bënë disa deklarata të qarta. Askush nuk i dënoi demonstruesit. Kush u shpreh nga krerët evropianë, tregoi mirëkuptim për këtë lëvizje. Por në mënyrë më të diferencuar u shpreh, Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy. Ai i mbrojti masat e kursimit të qeverive të ndryshme, për sa kohë që ato janë të drejta nga pikëpamja sociale.

Protestat "Occupy Wall Street" në Berlin
Protestat "Occupy Wall Street" në BerlinFotografi: dapd

Politikë kursimesh e balancuar nga ana sociale

"Shqetësimet e të rinjve janë plotësisht të kuptueshme, por përgjegjësia jonë është ajo që t'i biem përmes kësaj periudhë jo popullore, për të siguruar një të ardhme më të mirë. Por ndërkohë është bërë e nevojshme një shpërndarje e drejtë e barrës së kursimeve, me qëllim që të marrim një mbështetje të gjerë shoqërore për këtë politikë kursimesh." Herman Van Rompuy kërkoi një politikë kursimesh "që të rrisë sa më shumë mirëqenien dhe të jetë sa më shumë sociale në aspektin e punësimit."

Në këtë pikë ai ishte i një mendimi me Bernadette Segol, Sekretaren e Përgjithshme e Shoqatës së Sindikatave Evropiane, ETUC. Edhe ajo kërkoi parimisht një politikë konsolidimi. Por me qëllim që të mos dëmtojmë rritjen ekonomike dhe punësimin, duhet që kjo politikë të jetë më afatgjatë se sa është planifikuar për momentin. Greqia është një shembull se si nuk duhet të praktikohet një politikë e tillë.

Por gabimet më të mëdha, Bernadette Segol i shikon tek bankat. "Problemi i borxheve publike bëhet edhe më i mprehtë për shkak të një krize të re të bankave. Bankat në dy tre vitet e fundit,që nga kriza e fundit, kanë arritur të sigurojnë fitime, dhe në vend që t'i riinvestojnë, ato i kanë shpërndarë ato në formë bonusesh tek përfituesit. Ne kërkojmë që kjo të marrë fund."

Protestat "Occupy Wall Street" në Romë
Protestat "Occupy Wall Street" në RomëFotografi: dapd

Barroso: Disa veprime në sektorin financiare kanë qenë kriminale

Tone të tilla priteshin nga një përfaqësuese sindikatash. Por habinë më të madhe me deklaratat e tij pa ekuivoke e shkaktoi vetë Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.

"Disa veprime në sektorin financiar kanë qenë plotësisht të pamoralshme, disa herë madje - po, le ta përdorim edhe këtë fjalë,- kriminale. Ne nuk kemi asgjë kundër sektorit financiar, përkundrazi, ne duam të kemi një sektor të fuqishëm financiar në Evropë. Por në të njëjtën kohë, ky sektor duhet të kuptojë se duhet të respektojë minimumin e etikës, gjë që nuk është bërë në kohët e fundit. Ky sektor duhet të japë një kontributin e duhur për mirëqenien e të gjithëve."

Komisioni Evropian angazhohet prej kohësh për një taksë transaksionesh. Këtë javë duhet të diskutohen edhe propozimet për sanksione në rast të manipulimit të tregut. Protestat sociale në mbarë botën janë një sinjal alarmi për KE dhe shtetet anëtare. Deri më tani ato ishin prezente vetëm në shtetet me borxhe si Spanja apo Greqia. Krerët e BE-së e dinë, se më së voni në samitin e fundjavës më 23. Tetor ata duhet të dalin me përgjegjësi, para qytetarëve evropianë, jo vetëm para tregjeve.

Autor: Christoph Hasselbach/Lindita Arapi

Redaktoi: Lindita Arapi