1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fleckenstein: Bojkotet parlamentare mjaftojnë për këtë shekull

Lindita Arapi26 Dhjetor 2014

Eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein në intervistë ekskluzive mbi përvojën e ndërmjetësimit mes Partisë Demokratike dhe qeverisë në Tiranë, si edhe vështirësitë e politikës shqiptare për gjetjen e konsesusit.

https://p.dw.com/p/1EAJB
Knut Fleckenstein
Europarlamentari Knut FleckensteinFotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

DW: Partia Demokratike u rikthye në Parlament, si e vlerësoni tani situatën, ekziston ende rreziku i rikthimit në modelin e bojkotimit, i njohur tashmë në politikën shqiptare?

Fleckenstein: Nuk jam i sigurtë nëse rreziku ka kaluar, por së pari jam i i gëzuar që Partia Demokratike ka vendosur të rifutet në parlament, dhe sigurisht së pari e ka ajo në dorë, por edhe qeveria që të krijohet një atmosferë që e bën të mundur punën parlamentare. Natyrisht është një punë që kërkon rikonfimim çdo ditë, ashtu si në parlamentet e vendeve të tjera, por kemi një fillim të ri, dhe më gëzon fakti që Partia Demokratike vendosi për këtë.

DW: Si ishte përvoja juaj gjatë ndërmjetësimit, cila palë ishte më kokëfortë, cila ishte pika më delikate apo më e vështira për t'u ndërmjetësuar?

Fleckenstein: Besoj se shumë më tepër këmbëngulëse ishte Partia Demokratike, sepse ajo donte të eliminonte ato shkaqe, që e bënë të braktiste parlamentin, dhe në kuadër të ndërmjetësimit pika më e vështirë ishte gjetja e një forme të shkruar. Rezoluta që do të duhej të miratonte parlamenti duhej të formulohej në një mënyrë të tillë që nga njëra anë të mos ishte shumë e përgjithësuar, por nga ana tjetër ajo mund të përmbante vetëm ato gjëra që mund të negocioheshin për një kohë të shkurtër. Por puna në parlament fillon tani, kur vjen puna për dekriminalizimin, ka shumë punë për të bërë.

DW: Dekriminalizimi i parlamentit ishte një kërkesë kryesore e demokratëve. Si do të kryhet ai konkretisht. Nëse ka deputetë të kriminalizuar, pse nuk u bënë publikë emrat e tyre?

Fleckenstein: Nuk e di pse nuk u bënë publikë emrat e këtyre deputetëve, po qe se ka të tillë. Unë nuk jam prokurori që e përcakton këtë. Tani bëhet fjalë dhe ne kemi rënë dakord ta trajtojmë këtë çështje se si veprohet në këso rastesh në vende të tjera të BE-së. Atje trajtohet në mënyra të ndryshme. Duhet të kemi një rregullore dhe sigurisht brenda kuadrit kushtetues, me të cilën bëhet e qartë se nuk duam të kemi të bëjmë me njerëz të inkriminuar qoftë në parlament, qoftë në postet publike.

DW: Është traditë tanimë që Bashkimi Europian vjen e zgjidh mosmarrëveshjet e thella mes dy partive. Pse mendoni ju e duan partitë shqiptare gjithmonë BE-në pranë, sepse nuk kanë aftësi për kompromis, sepse pala mazhoritare është arrogante e nuk dëgjon, apo është thjesht çështje inati dritëshkurtër, sipas motos: Vetëm BE- ua tregon vendin juve...

Fleckenstein: Nuk jam i sigurtë se cila nga këto do të ishte përgjigja e duhur. E vërteta është se kur dy parti kanë një grindje kaq të thellë, nuk është keq të kesh avokatë në anën tënde. Prandaj edhe unë nuk isha vetëm atje, por me kolegun tim, Eduard Kukan nga Partia Popullore Europiane. Dhe avokatët nuk janë për të ndezur klientët, por kanë edhe detyrën që të bindin klientët që të heqin dorë nga ndonjë pozicion që kanë. Në këtë kuptim ky kombinim është i rëndësishëm. E dini se cila është vështirësia kryesore: e gjitha është një çështje e kulturës politike. Në Gjermani psh. socialdemokratët do të bënin fushatë zgjedhore kundër konservatorëve, CDU, sepse ne besojmë se është një politikë më e mirë ajo që propozojmë ne, socialdemokratët, por ne nuk do të shkonim aq larg, sa të pretendojmë se ajo që bëjnë kundërshtarët drejtohet kundër popullit. Ne e kemi besimin se secila palë bën më të mirën që mundet për vendin. Ne nuk jemi të një mendimi vetëm për rrugën që na çon aty. Këtë mirëkuptim bazë nuk e gjen në Shqipëri.

DW: Pse atëherë shkohet në Shqipëri kaq larg...

Fleckenstein: Besoj se ka të bëjë me përvojat e ndryshme që partitë kanë bërë në procesin e tranzicionit dhe jam i sigurtë kjo do të ndryshojë me kalimin e kohës. Kjo kërkon kohën e vet, me sa duket në Shqipëri do më shumë kohë se në vendet e tjera.

DW: Me marrëveshjen mazhoranca nuk duhet ta përdorë pushtetin e saj të shumicës së cilësuar për reforma të rëndësishme, por vetëm me konsesusin e opozitës. Çfarë frike të opozitës reflekton kjo kërkesë?

Fleckenstein: Mendoj se reflekton frikën se nuk mund të bëhet punë e vërtetë opozitare në Shqipëri me një mazhorancë të tillë. Por duhet të them se as Herr Kukan dhe as unë nuk shkuam në Tiranë për të ndryshuar mazhorancat në parlament, sepse këtë e vendosën votuesit dhe do ta vendosin rishtazi herën tjetër. Këtu bëhej fjalë për një konsensus të gjerë për reforma të rëndësishme që duhen ndërmarrë për t'u integruar në Bashkimin Europian. Ky projekt nuk është projekt i një partie, pavarësisht kush qeveris.

DW: Cilat reforma janë më të rëndësishmet për demokratët - pra që të merret edhe konsesusi i tyre?

Fleckenstein: Këtu hyn qëndrimi ndaj komisioneve hetimore, si respektohen të drejtat e partive vetë në parlament, po ashtu edhe dekriminalizimi i parlamentit, apo të kihet kujdes që të mos vihen në poste publike elementë të kriminalizuar. Këtu bën pjesë edhe lufta kundër kriminalitetit të organizuar, -këto janë punë, për të cilat duhet gjetur gjithmonë një konsesus i gjerë, ndryshe nuk ndjehen të gjithë të adresuar. Prandaj është edhe për ne e rëndësishme që përtej Parlamentit kemi edhe Këshillin e Europës, ku marrin pjesë edhe ata që nuk janë anëtarë të Parlamentit, por që përfaqësojnë organizata të rëndësishme të shoqërisë civile.

DW: Ua keni bërë ndonjëherë të qartë gjatë bisedimeve palëve politike në Shqipëri se sa të paaftë duken në sytë e publikut shqiptar, por edhe në BE, kur nuk e gjejnë dot vetë kompromisin, por duan të dërguarit e BE-së që të zgjidhin problemet e tyre?

Fleckenstein: Nuk di të them se si duken ata në publikun shqiptar, por për BE mund të them se sigurisht që ne do të dëshironim më shumë që partitë të binin në ujdi vetë pa ndërmjetësues, por nëse kjo është e nevojshme, ne jemi të gatshëm. E dini cila është më e rëndësishmja këtu: partitë duhet të flasin më shumë me njëra-tjetrën dhe jo mbi njëra-tjetrën. Po qe se një dialog i tillë zhvillohet, atëherë gjërat do të lëvizin më shpejt se tani edhe në Shqipëri.

Po qe se lejohem, po bëj një formulim me pak ironi: Secila palë e ka tani përvojën e saj me bojkotimin e gjatë të parlamentit. Dhe besoj se kjo për këtë shekull mjafton.