1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

„Fol“ për të drejtat e tua

Fatos Musliu / Shkup15 Maj 2013

OJQ-të në Maqedoni përmes artit duan të rrisin vetëdijen qytetare, për të kërkuar respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Projekti „Fol“ nxit qytetarët për të ngritur zërin në kërkimin e të drejtave të tyre.

https://p.dw.com/p/18Xp4
Fotografi: DW

“Fol- Arti për të drejtat e njeriut”, është projekti më i ri i Organizatës joqeveritare “Civil”, për pëforcimin e vetëdijes për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe nxitjen e solidaritetit mes njerëzve. Përmes evenimenteve publike dhe interaktive, projekti “Fol”, do të artikulojë kërkesat e qytetarëve drejtuar strukturave të fuqisë, për respektimin konsekuent të të drejtave dhe lirive të njeriut, thotë Xhabir Derralla, kryetar i OJQ-së “Civil”.

Arti në shërbim të të drejtave qytetare

Në Maqedoni në shumë segmente ka rënie evdiente të cilësisë dhe vlerave të jetës, padrejtësi, dhunë dhe tensione, shkelje së lirisë së fjalës, pushtim të hapësirës publike, shkelje të të drejtave dhe lirive individuale dhe kolektive. Një atmosferë e tillë është e padurueshme thotë Deralla, andaj përmes projektit "Fol", synohen ndryshime rrënjësorë për t'u mundësuar qytetarëve që të ndryshojnë situatën. “Fol” është platformë përmes së cilës forcohet solidariteti në mes njerëzve dhe vendosja e komunikimit do të bëhet përmes artistëve, të cilët me veprat e tyre do të trajtojnë motive që dalin nga projektet në mënyrë kreative.

Xhabir Derralla, kryetar i OJQ-së “Civil”.
Xhabir Derralla, kryetar i OJQ-së “Civil”.Fotografi: DW

“Në Maqedoni qytetarët heshtin. Në Maqedoni artistët, intelektualët por edhe qytetarët e tjerë, jetojnë në atmosferën e frikës, presionit dhe dhunës Andaj ne synojmë që të hapim dyert që pikërisht këta njerëz të gjejnë mënyrë për të ngritur zërin e tyre kundër padrejtësive që bëhen në Maqedoni”, shprehet Xhabir Deralla.

Ndal heshtjes

"Intelektualët dhe një pjesë e artistëve në hapësirat tona kanë heshtur, shpesh herë ata përdoren si vegël primitive për përforcimin e pozicioneve të dikujt, që është pjesë e strukturave të fuqisë", thotë Deralla. Në projektin "Fol", të gjithë njerëzit që kanë shpirt krijues mund të gjejnë folenë ku lirshëm e të pavarur të thonë mendimin, vizionin dhe fjalën e tyre të lirë.

"Artistët përmes fjalës, fotografisë, projektimeve multimediale, pikturës apo fjalës së shkruar ose dialogut në skenë apo rrugë, do ta sendërtojmë platformën përmes së cilës njerëzit do të jenë më të vetëdijshëm për të drejtat dhe liritë e tyre. Projekti 'Fol' do të jetë një vepër e gjallë, e cila duhet të jetojë në shpirtin e qytetarit të lirë", shprehet Deralla.

Në projektin “ Fol” janë të inkuadruar 15 artistë, që performancat e tyre do t'i shfaqin në disa qytete të Maqedonisë. Ata do të jenë urë lidhëse me qytetarët dhe do t'u mundësojnë atyre një model se si shprehet fjala e lirë në shoqëri dhe si ata bëhen pjesë për ndryshimet shoqërore.

Besim te fuqia e artit

Albulena Karaga, nga OJQ "Civil".
Albulena Karaga, nga OJQ "Civil"Fotografi: DW

Albulena Karaga, nga OJQ "Civil", beson në fuqinë e artit për të bërë ndryshime shoqërore. Ajo është e vetëdijshme se ndryshimi nuk do të jetë i menjëhershëm dhe rrenjësor, as se ai do të vijë menjëherë pas përfundimit të këtij projekti, sepse në shoqëri ka ndikime të shumta që ndikojnë në formimin e vetëdijes publike.

"Ndikimet janë të mëdha, megjithatë ne punojmë dhe besojmë që në një periudhë më afatgjatë do të kemi ndikim. Besojmë se arti është formë e fuqishme për të shprehur dhe krijuar një vizion dhe një realitet të ri. Projekti 'Fol' do të përpiqet t'u mundësojë qytetarëve të flasin qartë dhe fuqishëm për gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut” , shprehet Karaga.

„Fol“ me mbështetje gjermane

Gertrud Steinacker, ambasadore e Gjermanisë në Maqedoni
Gertrud Steinacker, ambasadore e Gjermanisë në MaqedoniFotografi: DW

Ambasada gjermane në Maqedoni i jep mbështetje të plotë realizimit të projektit “Fol”. Sipas ambasadores Gudrun Shtajnaker, qytetarët e Maqedonisë njohin shumë pak të drejtat e tyre elementar. Në këtë drejtim, sipas saj, duhet të punohet më së shumti. "Nuk mund të them se të gjithë qytetarët e Gjermanisë i njohin të drejtat elementare që përmban Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Por atje ka programe të shumta edukimi, përmes të cilave qytetarët njihen me të drejtat dhe liritë e tyre. Në Maqedoni duhet shumë punë për t'i njohur fillimisht qytetarët se cilat liri dhe të drejta iu takojnë."

Ambasadorja Shtajenaker, për gati 40 vjet, është e inkuadruar në mënyrë aktive në Këshillin e Evropës dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ajo është njohëse e mirë e rrethanave në të cilat cënohen të drejtat dhe liritë e njeriut. Sipas saj, çdo vend ka specifikat e veta dhe OJQ-të nuk merren me të njëjtat problematika në vende të ndryshme.

"Në Gjermani, OJQ-të më tepër trajtojnë të drejtat dhe liritë e grupeve të caktuara, siç janë azilkërkuesit apo personat me aftësi të kufizuara. Ndërsa në Maqedoni, më tepër fokusohen në të drejtat e grave, fëmijëve, punëtorëve dhe të drejtat e shprehjes së lirë. Por unë jam shumë entuziaste që në Maqedoni, përmes artit u mundësohet qytetarëve të flasin lirshëm për të drejtat dhe liritë e tyre”, shprehet ambasadorja Shtajnaker.

Projekti "Fol", financiarisht mbështetet nga ambasada Gjermane në Republikën e Maqedonisë.