1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forca e Sigurisë së Kosovës - ende e pakompletuar

5 Qershor 2009

Në Kosovë po vazhdon procesi i trajnimit të pjesëtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Por deri tani shtatë përqind e pjesëtarëve që janë pranuar në këtë forcë kanë braktisur trajnimet.

https://p.dw.com/p/I4Bw
Pamje nga Prishtina
Fotografi: picture-alliance/dpa

Disa pjesëtarë të FSK edhe pse janë pranuar si pjesëtarë të saj, e kanë braktisur këtë forcë

Numri i pjesëtarëve të zgjedhur për Forcën e Sigurisë së Kosovës deri tash ka arritur në 1400 trupa. Kësaj force duhet t'i bashkohen edhe 900 të tjerë për të arritur numrin prej 2500 ushtarësh, sa do të ketë krejtësisht Forca e Sigurisë së Kosovës. Mirëpo disa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës edhe pse janë pranuar për të qenë pjesë e saj, e kanë braktisur këtë forcë për shkak të kritereve të rënda të praktikuara gjatë stërvitjeve që bëhen nga NATO-ja. Zëdhënësi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala, thotë se shtatë përqind nga 1400 pjestarët e FSK-së të pranuar, tashmë i kanë braktisur trajnimet.

“Kjo përqindje është në kuadër të përqindjeve të tolerueshme, që ndodh edhe tek ushtritë e NATO-s. Kjo për faktin që në fazën fillestare nuk mund ta ndjekin kursin dhe tempon e trajnimeve të gjithë ata që pranohen në këtë trupë”, thotë Ibrahim Shala.

Ekipe të specializuara të NATO-os vazhdojnë trajnimet në FSK

Megjithkëtë, ekipe të specializuara të NATO-os po vazhdojnë trajnimet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sic ishte parashikuar që në fillim të krijimit të kësaj trupe të re. Zëdhënësi Ibrahim Shala thotë se rezultatet janë inkurajuese.

Rezultati është inkurajues. Disa oficerë nga gjenerata e parë që kanë përfunduar trajnimet janë shpërndarë në kazermat e ndryshme të FSK-së gjithandej Kosovës dhe po i kryejnë detyrat që u takojnë në këtë fazë. Kemi edhe gjeneratën e instruktorëve të parë të certifikuar nga NATO-ja, të cilët po ndihmojnë në trajnimet për kandidatët e rinj,” thotë zëdhënësi Shala.

Qehaja: Procesi i funksionalizimit të FSK është i vonuar

Forca e Sigurisë së Kosovës, akoma është në fazën e trajnimeve dhe nuk është plotësisht funksionale. Këto vonesa sipas analistëve janë shkaktuar sepse, partitë politike në pushtet nuk arrinin që të dakordoheshin se kush do të jetë në krye të kësaj trupe kosovare të sigurisë. Pas emërimit të Sylejman Selimit, komandant i kësaj trupe, nisën trajnimet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila megjithatë deri në vjeshtë të këtij viti nuk do të jetë plotësisht funksionale. Procesi i funksionalizimit të kësaj trupe, sipas ekspertit për cështje ushtarake, Ramadan Qehaja, është i vonuar.

“Jemi në një vonesë një vjeçare. Nëse bëjmë një analizë të shkurtër unë do të thoja që ka shumë dobësi, të cilat vërehen duke filluar nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila ende nuk është kompletuar me të gjithë kuadrin, edhe pse kjo ministri është formuar që tetë muaj më parë”, thotë Ramadan Qehaja.

FSK nuk do të kryejë funksione ushtarake për një periudhë disa vjecare

Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila do të përbëhet nga 2500 anëtarë do të jetë e armatosur lehtë dhe nuk do të kryejë funksione ushtarake të paktën për një periudhë disa vjecare. Ajo vazhdimisht do të jetë nën mbikqyrjen e oficerëve të NATO-s. është thënë se më vonë Forca Kosovare e Sigurisë mund t'u bashkohet trupave të NATO-s në misione paqerujatëse në vende të ndryshme, aty ku ka vatra krizash.


Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi