1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forcat pakistaneze arrestojnë një prej organizatorëve të sulmit terrorist në Bombei

Jürgen Hanefeld9 Dhjetor 2008

Një javë e gjysëm pas sulmit terrorist në Bombei forcat pakistaneze të sigurimit arritën të arrestojnë personin e dyshuar nga India.

https://p.dw.com/p/GCAf
Bombei
BombeiFotografi: AP Graphics

Burri i arrestuar nuk është i panjohur në disa qarqe: Zaki-ur-Rehman Lakhvi konsiderohet nga shërbimi i fshehtë amerikan si specialist për komandimin e sulmeve kamikaze në zonat me trafik të madh, siç është rasti i qytetit të madh Bombei. Dhe siç duket ai ka qenë me mision edhe në Çeçeni, Bosnjë dhe Azi Jugore. Forcat indiane të sigurimit i kanë rënë atij në gjurmë përmes dy rrugëve. Nga njëra anë dhjetë terroristët në Bombei po mbanin kontakt përmes telefonit me organizatorët e sulmit dhe një prej numrave të shpiente deri tek Lakhvi. Nga ana tjetër i mbijetuari i vetëm në mesin e sulmuesve, Mohamemed Ajmal Qasab, siç duket ka thënë gjatë marrjes në pyetje se është zgjedhur për këtë sulm personalisht nga Lakhvi.

Ushtria indiane në Bombei, 27 nëntor 2008
Ushtria indiane në Bombei, 27 nëntor 2008Fotografi: picture-alliance/dpa

Fakti që policia pakistaneze ishte në adresën e duhur për të arrestuar atë është e kuptueshme ndërkohë, që është dyshuar edhe më herët se ajo e dinte mirë këtë adresë. Sapo Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërcënuan edhe në emër të Indisë me pasoja serioze në rast se Pakistani nuk vepron më në fund kundër terroristëve në territorin e tij, forcat pakistaneze të sigurimit ndërhynë pikërisht në kampin ku ndodhej të paktën një prej organizatorëve më të rrezikshëm të sulmeve terroriste. Ato nuk patën nevojë të kërkojnë gjatë, sepse kampi i grupit të rebelëve Lashka-e-Taiba nuk ndodhet larg Muzarafabadit, kryeqytetit të pjesës pakistaneze të Kashmirit. Bëhet fjalë për një kamp trajnimi për guerilët të themeluar më herët nga vetë ushtria pakistaneze me qëllim që prej aty të kryhen sulme në Indi, përkatësisht në pjesën e Kashmirit të administruar nga India. Megjithatë ndërkohë thuhet se Lashka-e-Taiba ka qenë me mision edhe në fronte të tjera. Ky grup dyshohet të ketë planifikuar edhe sulmin ndaj parlamentit indian në vitin 2001 dhe se ka mbajtur lidhje të mira jo vetëm me shërbimin e fshehtë pakistanez por edhe me talebanët e El-Kaidës.

Islamistë pakistanez duke djegur flamurin indian dhe amerikan në Islamabad, 3 dhjetor 2008
Islamistë pakistanez duke djegur flamurin indian dhe amerikan në Islamabad, 3 dhjetor 2008Fotografi: AP

Është e mëse e qartë se bëhet fjalë për njerëz profesionistë dhe të financuar mirë. Sulmet në Bombei janë planifikuar për muaj të tërë dhe janë drejtuar nga shtabi i përgjithshëm. Sulmuesit ishin trajnuar në mënyrë perfekte dhe ishin pajisur aq mirë, sa që kuptohej se në këtë akt kriminal ishin përfshirë më shumë se një apo dy organizatorë. I arrestuari Lakhvi duhet t'i njohë bashkëpuntorët e tij. Por ekziston mundësia që Pakistani të mos dëshirojë të vazhdojë me ndjekjen e tyre. Ka mundësi që Islamabadi të mendojë se tani për tani mjafton një 'kurban' për të shprehur vullnetin e mirë. Dhe që Lakhvi të ekstradohet në Indi, siç pret Nju Delhi është pak e besueshme.