1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forcimi i dialogut politik mes parlamenteve të Shqipërisë dhe Gjermanisë

Arben Muka8 Qershor 2014

Grupi parlamentar I miqësisë Shqipëri-Gjermani me përbërje nga i gjithë spektri partiak synon të shërbejë si një instrument mbështetës për çdo sipërmarrje gjermane, që është e interesuar për të investuar në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/1CEQ8
Albanien Parlament erste Sitzung
Fotografi: DW/A. Ruci

Në vazhdën e funksionimit të një strukture parlamentare për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë ditët e fundit u finalizua në Tiranë konstituimi i grupit të miqësisë mes dy vendeve, ku aderojnë 37 deputetë nga gjithë spektri politik. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili drejton grupin e miqësisë, thotë se krahas mirënjohjes për gjithçka Gjermania ka bërë për Shqipërinë, është domosdoshmëri rritja e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve.

“Ne vlerësojmë se modeli transformues i Gjermanisë, modeli i suksesshëm në kulturën e sipërmarrjes të sektorit privat në Gjermani, janë një mundësi por edhe edhe një kërkesë legjitime, për të kërkuar më shumë prezencë të kompanive gjermane në rajon dhe sigurisht, edhe në Shqipëri”- shprehet Balla për DW.

Instrument mbështetës për çdo kompani gjermane

Duke e përshkruar grupin parlamentar të miqësisë Shqipëri-Gjermani, si ndër grupet më të mëdha në në parlament Taulant Balla thotë se synimi parësor është forcimi i dialogut politik mes dy parlamenteve.

“Por ai do të shërbejë gjithashtu edhe si një instrument mbështetës për çdo kompani gjermane që është e interesuar për të investuar në Shqipëri. Grupi ynë do të kërkojë dhe do të mbështesë më shumë praninë të kompanive gjermane në Shqipëri dhe do të mbajë kontakte shumë të ngushta edhe me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë”.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, si partia më e madhe e opozitës, Edi Paloka, ka qenë për disa vjet kryetar i grupit të miqësisë Shqipëri-Gjermani. Ai thotë për DW se Gjermania është partneri më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë që me punë konkrete ka mbështetur dhe mbështet proceset demokratike, që me projekte zhvilluese ka kontribuar në forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Dua ta theksoj cilësimin si partner i rëndësishëm strategjik, pasi kohët e fundit kemi dëgjuar që partnerë strategjikë janë andej dhe këtej. Ata mund të jenë të vlefshëm, por sipas mendimit tim nuk kanë vlerën e Gjermanisë. Kemi një traditë të konsoliduar në bashkëpunimin parlamentar, ku deputetët e Bundestag-ut kanë treguar interes, na kanë vlerësuar, por dhe na kanë vënë në dukje çështje të cilat kërkojnë reformim apo përmirësim në rrugën e pandalshme të integrimit europian dhe forcimit të institucioneve. Sidomos kanë theksuar domosdoshmërinë e raporteve normale mes grupeve të deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës. Une jam i bindur se ky kooperim mes parlamentit të Shqipërisë dhe Bundestagut do të vijojë me intensitet dhe qëndrimit pozitiv të palës gjermane duhet t'i përgjigjemi me reflektimin tonë po aq pozitiv.”

Der Botschafter Deutschlands in Tirana Hellmut Hoffmann
Ambasadori gjerman, Hellmut HoffmannFotografi: picture-alliance/dpa

Kanal i rendësishëm komunikimi

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffmann, shprehet i kënaqur, për atë që e quan si intensifikim i vazhdueshëm i marrëdhënieve gjermano-shqiptare. Rrjetëzimi mes dy shteteve dhe popujve tanë është në rritje, thotë për DW ambasadori Hoffmann. “Këtë e dëshmojnë shkëmbimet gjithnjë e më të shumta mes nxënësish e studentësh, bashkëpunimi ynë gjithnjë e më intensiv në sektorët e furnimizimit me ujë dhe energji elektrike, menaxhimit të mbetjeve, zhvillimit të bujqësisë dhe arsimit e formimit profesional, aktivitetet e shumta kulturore si dhe numri në rritje i turistëve. Konstituimi së fundmi i grupit parlamentar të miqësisë Gjermani-Shqipëri prej 37 anëtarësh, përbën për mua një kënaqësi të veçantë, sepse kësisoj është krijuar edhe një kanal tjetër i rëndësishëm komunikimi, përmes të cilit unë jam i sigurt se do të vinë impulse të rëndësishme në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona.“

Ilir Meta Parlamentspräsident Albanien
Kryetari i Kuvendit, Ilir MetaFotografi: Ralf Gjoni

Ndërkohë kryetari i parlamentit të Shqipërisë Ilir Meta në ceremoninë konstituuse të këtij grupi ka vënë në dukje faktin se mbeten ende shumë potenciale dhe hapësira të pashfrytëzuar dhe se në përbërje janë deputetë nga i gjithë spektri politik. “Natyrisht që ne sot jemi të lidhur shumë ngushtë me Gjermaninë edhe në planin bilateral, edhe si anëtar të NATO-s, por edhe në procesin tonë të integrimit evropian, por mbeten ende shumë potenciale dhe hapësira të pashfrytëzuar për konsolidimin dhe zgjerimin e këtyre marrëdhënieve”.