1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Franca: Macroni do t'i japë impulse BE

8 Maj 2017

Emmanuel Macron shkroi histori mbrëmë në darkë. Ai është Presidenti më i ri në moshë i Francës dhe qeveris pa pasur parti pas vetes. Ai do të sillet në mënyrë pragmatike, mendon Pascal Thibaut për DW.

https://p.dw.com/p/2cbDV
Frankreich Emmanuel Macron
Fotografi: Reuters/B. Tessier

DW: Një fitore e qartë për një të porsardhurin. Por pyetja që duhet shtruar: sa vota për Emmanuel Macronin ishin në fund të fundit vota kundër Le Penit?

Pascal Thibaut: Kjo është natyrisht një sfidat e mëdha për fituesin. Rezultati është i qartë, dy të tretat në dobi të Emmanuel Macronit, por jo çdo zgjedhës, që votoi për Macronin e ka bërë këtë me entuziazëm. Shumë donin të mënjanonin Marine Le Penin dhe shumë prej këtyre zgjedhësve do të ndodhen ndoshta që sot në opozitë, duke nisur me zgjedhësit e kandidatit të majtë, Jean-Luc Mélenchon.

Macroni trashëgon si President i shtetit një shoqëri të përçarë. A ka ai një koncept, si do ta bashkojë vendin?

Ai duhet të ofrojë natyrisht rezultate. Jo vetëm për mbështetësit e tij, por edhe për zgjedhësit e majtë, të cilëve ai u duket ultraliberal dhe që janë shumë skeptikë. Kjo do të thotë se ai nuk duhet të ndërmarrë vetëm reforma liberale, por ndoshta të ofrojë edhe vepra bamirësie. Këtë të dielën ai edhe e tha: ai do të kujdeset që në fund të mandatit pesëvjeçar të tij të entuziazmohen më pak njerëz nga propozimet e Front National.

A ka rëndësi që dy kampet politike klasike - socialistët dhe konservatorët -praktikisht u eleminuan?

Kjo është me të vërtetë unikale: që zgjidhet një President, i cili nuk u përket asnjërës prej partive të mëdha, të konsoliduara. Por natyrisht ai duhet të kujdeset në njëfarë mënyre brenda një muaji, që të jetë në gjendje të qeverisë në Asamblenë Nacionale.

Pascal Thibaut
Pascal Thibaut

Një shumicë absolute duket më pa gjasa. Ndoshta duhet të krijohet një koalicion, ashtu si e njohim në Gjermani. Ndoshta ai duhet ta bëjë këtë me forca nga kampet e majta dhe konservatore. Edhe kjo është një thyerje e traditave të Republikës së Pestë, ku ne kemi pasur gjithmonë kampe shumë të ndara dhe në të cilat Presidenti është pjesë e një kampi, kurse opozita tjetrit.

Franca ka dobësi si politike, ashtu edhe ekonomike - dhe kjo gjendje ka kohë që është e tillë. Si do ta bëjë Macroni Francën sërish të fortë?

Ai do të vërë në jetë reforma të ndryshme, të cilat e përmirësojnë aftësinë për konkurrencë të Francës, për shembull përmes një zhdërvjelltësimi më të madh në tregun e punës. Sipërmarrjet do të kenë një zhdërvjelltësi më të madhe, kur bëhet fjalë për kohën e punës. Ai edhe do t'i thjeshtojë këto gjëra për sipërmarrjet e vogla - të cilat, përsa i përket eksportit, nuk janë pikë e fortë për Francën. Në dallim nga Gjermania. Përsa i përket kuadrit ligjor për punën, në të ardhmen do të ketë para për papunësinë edhe për ata që kanë punuar jo në shtet, pra të pavarur ose që kanë dhënë dorëheqje nga sipërmarrja. Pra kemi një tufë të madh masash, të cilat duhet të ndihen sa më shpejt që është e mundur në ekonomi.

Pascal Thibaut është Korrespondent në Berlin i Radio France International.

Bisedën e zhvilloi Volker Wagener.