1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Franca në udhëkryq - Nisin zgjedhjet presidenciale

Elert Ajazaj22 Prill 2012

Favorit i qartë konsiderohet socialisti François Hollande. Ai pritet të fuqizojë rolin e shtetit në ekonomi.

https://p.dw.com/p/14iuU
Fotografi: Bettina Kaps

Në Francë nis sot raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. 44,5 milionë qytetarë kanë të drejtën e votës. Sipas anketimeve kandidati socialist François Hollande pritet të fitojë ndaj presidentit aktual Nicolas Sarkozy. Vendimtar pritet të jetë megjithatë raundi i dytë i votimeve në 6 maj.

Me ligj fushata zgjedhore e kandidatëve ka përfunduar që me fillimin e ditës së shtunë. Dhjetë kandidatë marrin pjesë në votimin e parë këtë të diel, por që zgjedhjet të mbyllen me një raund të vetëm duhet që njëri prej tyre të grumbullojë rreth vetes më shumë se gjysmën e votave. Konsiderohet e sigurt që me daljen në votime francezët do të përcaktojnë dy kandidatë presidencialë, të cilët do të marrin pjesë në raundin e balotazhit të 6 majit. Këta mendohet se do të jenë presidenti aktual konservator Sarkozy dhe sfiduesi i tij, socialisti Hollande. Pjesëmarrjes të tjerë të njohur në garë janë kandidatja e ekstremit të djathtë Marine le Pen, radikali i majtë Jean-Luc Melenchon dhe politikani i qendrës François Bayrou.

Sarkozy apo Hollande?
Sarkozy apo Hollande?Fotografi: Reuters

Nicolas Sarkozy u bëri së fundi thirrje përkrahësve të vet që të shprehen hapur duke zgjedhur një Francë të fortë. Sondazhet tregojnë një avantazh të qartë politikanit socialist François Hollande. Ky u shpreh gjatë një tubimi se është radha e së majtës për të udhëhequr vendin. Fitorja e Hollande-s mund të pasohet nga një rritje e barrës fiskale dhe e rolit të shtetit në ekonomi. Kjo e fundit ishte edhe pika, në të cilën u përqendrua beteja zgjedhore. Të dy politikanët kanë premtuar se do të ekuilibrojnë buxhetin, mirëpo Hollande i ka mëshuar më shumë rritjes ekonomike sesa masave të kursimit.

Autor: agjencitë e lajmeve (Elert Ajazaj)

Redaktoi:Auron Dodi