1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Francë: Identifikohen dorasit e sulmit në kishë në Normandi

Ryan Allen29 Korrik 2016

Njëri nga dy atentatorët në një kishë në Saint Etienne-du-Rouvray në Normandi, që vranë një prift, njihej prej autoriteteve e madje mbante edhe një prangë elektronike në këmbë: megjithatë atë nuk mundën ta ndalojnë.

https://p.dw.com/p/1JXUn
Frankreich Geiselnahme Polizei in Rouen
Fotografi: picture-alliance/dpa

Pas sulmit në një kishë katolike në Normandi në Francë është zbuluar edhe identiteti i një dorasi të dytë. Fjala është për Abdel P., njoftoi prokuroria franceze. Siç mësohet nga qarqet e hetuesisë, shërbimet sekrete kishin hapur një të ashtuquajtur "Akte S" më 29 qershor për shkak të radikalizimit të 19 vjeçarit.

Në një dosje të tillë klasifikohen të gjithë ata që bien në sy si islamistë radikalë. sipas këtyre të dhënave P. ishte përpjekur të shkonte në Siri. Dosja S (S nënkupton siguria e shtetit) normalisht nuk presupozon mbikqyrje të vazhdueshme nga organet e sigurisë. Shpesh të dyshuarit mbikqyren në mënyrë sporadike për një periudhë të caktuar kohe, si p.sh. duke iu përgjuar telefonatat.

Frankreich Geiselnahme Polizei in Rouen
Fotografi: Reuters/P. Rossignol

Hetimet në Normandi

Në vendin e sulmit të fundit në Francë në Saint Etienne-du-Rouvray njerëzit mbajnë zi për priftin e tyre të vrarë Jacques Hamel. Atentatorët i prenë atij gurmazin (26.07) gjatë një meshe të mëngjesit. Të dy dorasit kishin lidhje me milicët e terrorit të Shtetit Islamik. Tani policia po zhvillon hetimet në qytezën e Normandisë. Këtu banonte njëri prej vrasësve të pandehur, një 19 vjeçar.

Fqinjët thonë, se ai ka qenë një adoleshent normal, që interesohej për vajzat dhe për modën, përpara se të orientohej nga xhihadi. Redvani, një ish-shok i shkollës thotë, se „ne përpiqeshim t'ia mbushnim mendjen atij, që të hiqte dorë. Por ai na përgjigjej me ndonjë sure të Kuranit. Na tregonte, se duhet shkuar në Siri, për të luftuar atje për vëllezërit. Ne i thonim, që kjo nuk është në rregull, por ai përgjigjej, se Franca është vendi i mëkatarëve e nuk duhet jetuar këtu. Këto leksione mundohej të na jepte ne, kur i thonim, se duhet të heqë dorë."

Policia e arrestoi atë vitin e kaluar gjatë përpjekjes për të udhëtuar për në Siri. Prokurori François Molins: „Deri në mars 2016 ai ishte në burg. Më pas një gjyqtar i anti-terrorit udhëzoi arrest shtëpie - me një prangë elektronike në këmbë për mbikqyrje.“ Por ai pavarësisht kësaj me sa duket mundi të largohet nga shtëpia pa u penguar, shkoi në kishën e Saint-Etienne-du-Rouvray, ku mori pengje dhe vrau priftin.

Sulmi ndaj një urate - sulm ndaj paqes

Prifti ndërkohë u kishte bërë thirrje gjatë meshës anëtarëvve të komunitetit që të luten për paqen dhe bashkësinë. Një mesazh, që do ta kishte shqetësuar atentatorin tani, thotë një zëdhënës i kryeipeshkvisë, i cili e njihte mirë priftin. Philippe Mahut, zv/gjeneral i kryeipeshkvisë në Rouen: „Të sulmosh një prift do të thotë sulm ndaj kishës dhe njerëzimit. E njëjta gjë vlen edhe për përfaqësuesit e një religjoni tjetër qoftë një rabin apo një imam. Sulmi ndaj një urate është sulm ndaj paqes, dashurisë dhe tolerancës.“

Policia ka arrestuar një të ri tjetër. Hetuesit besojnë, se ai mund të thotë më shumë mbi atentatorët dhe lidhjet e tyre me IS-in. Po ashtu pritet që të mësohet më shumë prej tyre edhe se përse ata e zgjodhën rrugën drejt terrorit në këtë qytezë franceze.