1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250510 Merkel Golfstaaten Iran

26 Maj 2010

Kancelarja gjermane, Angela Merkel po udhëton aktualisht në rajonin e Gjirit. Evropa, SHBA dhe shtetet e Gjirit kanë të njëjtat interesa sigurie, ka thënë Merkeli. Po cili është raporti i shteteve të Gjirit me Iranin?

https://p.dw.com/p/NXWe
Angela Merkel u takua të martën (25.05) në Abu Dhabi me Presidentin e Emirateve, sheikun Kalif Zayed al-NahyanFotografi: AP

"Pushtimi mbetet pushtim", - u shpreh ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), sheiku Abdullah Zayed al-Nahyan, në prill. Prej dekadash grinden Emiratet me Iranin për ishujt në rrugën e Hormuzit. Këta ishuj janë të vegjël, por me rëndësi strategjike. Prej gati 40 vjetësh është e pranishme ushtria iraniane atje - nga pikëpamja e ministrit të Jashtëm të Emirateve, ky pushtim është po kaq ilegal, sa pushtimi prej Izraelit të zonave palestineze. Ky, thotë sheiku Abdullah, është një "faktor negativ" në marrëdhëniet midis Abu Dhabit dhe Teheranit.

Tjetri, një faktor ndoshta shumë më i rëndësishëm, që i shqetëson EBA, është programi atomik iranian. Mustafa Alani nga Gulf Research Center, një fabrikë konceptesh në Dubai shprehet se nuk bëhet fjalë për faktin se ndoshta Irani mund të drejtonte kundër nesh një armë atomike. Alani: "Ka të bëjë me faktin se barazpesha e forcave në rajon do të ndryshonte, në qoftë se Irani do të posedonte armë atomike. Papritur atëherë ne do të ishim një vend i dorës së dytë, krahasuar me Iranin. Këtë ne nuk mund ta pranojmë."

Shtetet arabe me qëndrime të ndryshme ndaj Iranit

Atë që e mendojnë shumë në Arabinë Saudite dhe në EBA, Alani e thotë hapur: "Në qoftë se ne këtu në rajon do të vijmë në një pikë, ku të na duhet të zgjedhim - midis jetës nën një kërcënim bërthamor iranian deri në përjetësi apo pasojave të një aksioni ushtarak - atëherë opsioni i dytë do të ishte më i pranueshëm për ne."

Javën e kaluar, ministri i Jashtëm emiratas e përshëndeti homologun e tij iranian për marrëveshjen atomike me Brazilin dhe Turqinë. Kjo marrëveshje parashikon që Irani të dërgojë uranium të pasuruar lehtë në Turqi dhe të marrë në këmbim shkopinj katodikë për një reaktor kërkimesh. Këtu në Gji shumë e konsiderojnë një drejtim mjaft premtues këtë hap.

Shtete si Katari ose Omani kanë gjithsesi marrëdhënie shumë më të ngushta me Iranin se sa EBA. Saif al-Maskery, ish-diplomat omanas, shprehet se kjo temë nuk e shqetëson aspak politikisht Omanin. Kjo është më tepër një temë politike midis SHBA dhe Iranit, thotë al-Maskery." Shqetësimet tona në lidhje me programin atomik iranian kanë të bëjnë më tepër me mbrojtjen e ambientit."

Në Lindje ka nisur një garë bërthamore

USA Iran Zwischenfall in der Straße von Hormus Karte
Konflikti mes Emirateve dhe Iranin ekziston për shkak të ishujve në zonën e HormuzitFotografi: AP GraphicsBank

Prej kohësh Irani është bërë superfuqi rajonale, edhe pa armë atomike, thotë al-Maskery. Problemi kryesor mbeten gjithsesi armët atomike të Izraelit: "Pse të mos fillojmë atje? Për fat të keq, Perëndimi thotë: Izraelin ne nuk mund ta kontrollojmë, sepse Izraeli nuk e ka nënshkruar marrëveshjen e ndalimit të armëve bërthamore. Ky është moral i dyfishtë. Ndryshe nga ajo që kujtohet në Perëndim, kjo nuk është edhe aq një çështje e qeverive, se sa një çështje e mendimit publik - në botën arabe në përgjithësi dhe në rajonin tonë."

Me të vërtetë: shumë njerëz nuk u besojnë paralajmërimeve për përpjekjet e Iranit për armë atomike dhe e konsiderojnë këtë çështje të zmadhuar. Sido që të jetë: prej kohësh në Lindje ka nisur një garë bërthamore. Për shtatë vjet, në rrjetin e furnizimit energjitik të EBA do të lidhet reaktori i parë atomik. Për të nënvizuar karakterin paqësor të programit të tij, Abu Dhabi megjithatë ka hequr dorë nga e drejta e tij për pasurimin e uraniumit, ndryshe nga Teherani.

Autor: Carsten Kühntopp/Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi