1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frika është zhdukur - Fqinjët e Gjermanisë për ribashkimin

3 Tetor 2010

20 vjet pas ribashkimit shumë fqinjë nuk i vërejnë më dallimet në mes të Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore. Gjermania konsiderohet si një spirancë stabiliteti në Evropë. Bernd Riegert me përshtypjet nga vendet fqinje...

https://p.dw.com/p/PTAr
Gjermania dhe Evropa
Gjermania dhe EvropaFotografi: DW
Në foto, Helmut Kohl
Në foto, Helmut KohlFotografi: AP

Atëherë edhe vetë aleatët e Gjermanisë i panë me skepticizëm planet e kancelarit Helmut Kohl për një ribashkim të shpejtë. Para së gjithash në Britaninë e Madhe por edhe në Francë dhe Holandë u shtrua pyetja: a do të mbetet e qetë dhe e përunjur Gjermania e madhe e lidhur në Bashkësinë Evropiane dhe në NATO? Thelbi i mesazhit të Helmut Kohl-it atëherë: "Gjermania e bashkuar nuk e dëshiron kthimin në Evropën e djeshme. Rivalitetet dhe nacionalizmat e vjetër nuk guxojnë të ringjallen sërish."

Në foto, Alfred Grosser
Në foto, Alfred GrosserFotografi: picture-alliance / dpa-Zentralbild

Gjermania në vitet pas ribashkimit u angazhua energjikisht për dhënien fund të ndarjes në mbarë Evropën. Pranimi i shteteve të ish-bllokut të Lindjes dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veriatlantike NATO ishte një objektiv i rëndësishëm i politikës së jashtme. Gjermania arriti të bëjë për vete edhe vendet fqinje fillimisht skeptike, siç ishte Franca. Askush nuk ka më frikë nga Gjermania, shprehet Alfred Grosser, politolog dhe publicist në Paris: "Ndjenjat ndaj Gjermanisë janë normalizuar aq shumë çfarë nuk ka ndodhur edhe në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me disa përjashtime anketat tregojnë: ata janë miq të mirë. Është e natyrshme që ata janë sërish të bashkuar."

Në foto, Janusz Reiter
Në foto, Janusz ReiterFotografi: DW

Pas pranimit të vijës kufitare të Oder-Neise-s si vijë përfundimtare kufitare në lindje të Gjermanisë në vitet e 90-ta u përmirësuan edhe raportet me fqinjin më të madh lindor, Poloninë. Ambasadori i atëhershëm i Polonisë në Gjermani, Janusz Reiter bën sot një bilanc: "Madhësia e Gjermanisë sot nuk është arsye që fqinjët të kenë frikë."

Megjithatë mosbesim tek gjermanët kanë ende tek shumë polakë, beson shkrimtari polak Andrzej Stasiuk. Polakët fitojnë me kënaqësi para në Gjermani por ai nuk është vend ku ata do të shkonin të qetë me pushime, thotë Stasiuk. Ndërkaq në Republikën Çeke mosbesimi ndaj Gjermanisë është arritur të mënjanohet në fund të viteve 1990-të pasi që qeveritë e të dyja vendeve në një deklaratë të përbashkët folën hapur për plagët e së kaluarës, pasojat e luftës, ikjet dhe dëbimet.

Logoja e Kampionatit Botëror në Futboll, Gjermania 2006
Logoja e Kampionatit Botëror në Futboll, Gjermania 2006Fotografi: AP

Në Bashkimin Evropian, Gjermania si anëtari më i madh ka marrë një rol udhëheqës, si kontribuesi më i madh dhe si një lloj ndërmjetësi midis interesave të vendeve mëdha dhe të vogla, shteteve anëtare perëndimore dhe lindore.

Sipas një ankete të BBC-së gjermanët duhen nga fqinjët e tyre më shumë sesa që besojnë ata. Para së gjithash atmosfera festive gjatë kampionatit botëror të futbollit ku valëvitej pa ngurrim flamuri kombëtar tringjyrësh ka ndikuar pozitivisht në imazhin e Gjermanisë së bashkuar, thotë shkrimtari danez Knud Romer: "Natyrisht që danezët ashtu si shumica e popujve të Evropës i panë gjermanët si mëkatarë për shumë, shumë vite pas luftës. Por kthesën e parë të vërtetë unë e vërejta gjatë kampionatit botëror të futbollit në vitin 2006. Për herë të parë atëherë e vërejta: Lufta ka mbaruar. Nuk është më..."

Autor: Bernd Riegert / Esat Ahmeti

Redaktoi: Elert Ajazaj