1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frontex EU

14 Shtator 2011

Agjencisë Evropiane për Mbrojtjen e Kufijve, Frontex do t'i jepen më shumë kompetenca dhe mjete në dispozicion për mbrojtjen e kufijve evropianë. Por eurodeputetët nuk ishin të gjithë të një mendimi për rolin e Frontex.

https://p.dw.com/p/12YTS
Cecilia Malmström komisionere për Çështjet e Brendshme
Cecilia Malmström komisionere për Çështjet e BrendshmeFotografi: AP

Parlamenti Evropian në Strasburg miratoi të martën (13.09) një mandat të ri për këtë agjenci. Në të ardhmen Frontex do të ndihmojë vendet anëtare të BE-së në situata të jashtëzakonshme dhe do të marrë përsipër detyra koordinimi dhe më shumë pajisje. Kështu Agjencisë Evropiane për Mbrojtjen e Kufijve, Frontex po i rritet prestigji. Në të ardhmen ajo do të ketë mundësi të kërkojë vetë si personel kufitar ashtu edhe helikopterë dhe makina. Me këtë ajo bëhet më e pavarur nga shtetet anëtare. Por Frontex do të ketë si detyrë edhe respektimin e të drejtave të njeriut kur bëhet fjalë për mbrojtjen e tyre. Propozimet erdhën nga komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmström. 

Frymë solidariteti dhe përgjegjësi e përbashkët

"Pa kontrolle efektive të kufirit nuk mund të funksionojë siç duhet marrëveshja e Shengenit dhe mund të rrezikohet siguria e BE-së. Në këtë drejtim këto vite kemi pasur  sfida në rritje. Në të njëjtën kohë disa shtete përballen me një valë të madhe migracioni në kufijtë e tyre të jashtëm. Kjo mund të zgjidhet vetëm me frymën e solidaritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët. Njëherazi duhet të kujdesemi që njerëzit që i drejtohen Evropës për të kërkuar ndihmë, dhe që ndajnë vlerat tona, të trajtohen në bazë të normave dhe së drejtës ndërkombëtare."

Policë të Frontexit në kufirin greko-turk
Policë të Frontexit në kufirin greko-turkFotografi: picture alliance / dpa

Por në debatin në Parlamentin Evropian u përplasën opinione nga më të ndryshmet lidhur me rolin e Frontexit. Në një pikë të gjithë janë dakord: Sigurimi i kufijve të jashtëm të BE-së ka nevojë për përmirësime.

Kritika nga e Majta për Frontexin - i ashpër

Por si duhet të veprojë Evropa dhe Frontex me refugjatët? Cornelia Ernst nga fraksioni i së Majtës mendon: parimisht me mikpritje dhe me gatishmëri për ndihmë: "Frotex është në thelb mishërimi i një politike të gabuar kundrejt refugjatëve në Evropë, kundrejt atyre që nuk vuajnë vetëm nga persekutimi, por edhe që për arsye ekonomike, pra për mbijetesë, nga uria, luftërat civile, katastrofat e klimës braktisin vendin e tyre. Nuk ka njerëz ilegalë dhe unë nuk e kuptoj pse kjo nuk pranohet."

Kritika nga Djathtistët - i butë

Nga ana tjetër qëndrojnë deputetë që e shohin si shumë të butë qëndrimin e Frontexit. Ndër ta edhe europarlamentari holandez, Barry Madlener i partisë djathtiste të Lirisë. "Qytetarët pyesin veten ku është Frontexi, pasi dhjetëra mijëra vetë që kërkojnë lumturinë nga Afrika e Veriut kanë ardhur në Evropë dhe i kanë kaluar pa problem kufijtë e jashtëm. Ata ose kalojnë nëpër procesin e azilit, ose kalojnë në ilegalitet." Madlener përmendi korrupsionin në Bullgari që bën të mundur që emigrantët ilegalë që mbërrijnë aty, të hyjnë në BE.

Eurodeputete e Të Gjelbërve Barbara Lochbihler
Eurodeputete e Të Gjelbërve Barbara Lochbihler

Qëndrim i diferencuar

Më e diferencuar se deputetët e tjerë ishte eurodeputetja e Të Gjelbërve, Barbara Lochbihler. "Mendoj se duhet vlerësuar pozitivisht që punonjësit e Frontexit kanë një shkollim që i njeh ata me politikën e të drejtave të njeriut, që ka një të ngarkuar për të drejtat themelore, dhe që në raste të veçanta duhet marrë edhe një vendim gjyqësor. Por dua të kujtoj që ne nuk ia kemi dalë të flasim me shumicë që të ketë vëzhgues të pavarur tek Frontexi, të cilët i vëzhgojnë këto rregulla të reja. Kështu do të mbetet e hapur çështja, nëse ajo që kemi arritur do të bëhet vërtet realitet, ne kemi nevojë si edhe më parë për vëzhgimin e pavarur të aktorëve joshtetërorë."

Komisioni u përpoq që me propozimet e tij të plotësonte kërkesat e të dyja fronteve. Kjo përpjekje duket se korri fryte. Eurodeputetët i miratuan me shumicë propozimet e KE-së për Frontexin. Pritet që rregullat e reja të futen në fuqi nga fundi i këtij viti.

Autor: Christoph Hasselbach/Lindita Arapi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora