1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fshatrat e zbrazëta në Republikën Srpska - kthimi i refugjatëve shumë i ngadaltë

12 Mars 2011

Në Republikën Srpska janë kthyer vetëm pesë për qind e kroatëve, ndërsa në Zhupaninë e Posavinës janë ende të parindërtuara rreth 1400 shtëpi. Shumica e ish-banorëve tani jetojnë në Kroaci, Zvicër apo Gjermani.

https://p.dw.com/p/10YAm
Fshati Peqnik në Posavinë.
Fshati Peqnik në Posavinë.Fotografi: Mirsad Camdzic

Marko Grgiq çdo ditë shëtit rrugëve të fshatit, që dita t'i kalojë më shpejt.

Marko Grgiq është kthyer pas 11 vjetësh në Peqnik.
Marko Grgiq është kthyer pas 11 vjetësh në Peqnik.Fotografi: Mirsad Camdzic

"Në Peqnik dhe në disa fshatëra përreth, të cilat sot i përkasin komunës së Voksavles (Republika Srpska) dikur kanë jetuar 700 familje ndërsa sot nuk janë as 100 banorë", tregon burri i moshuar, i cili me gruan është kthyer para 11 vitesh.

"Jemi vetëm, nuk kemi të ardhura, jetojmë nga kjo pak tokë që kemi, ndërsa ndihma kryesor na vjen nga fëmijët. Dy djem jetojnë në Zvicër ndërsa më i riu drejton tramvajin në Zagreb", sqaron Marko Grgiq duke ecur dhe treguar rrugën, që shpie në fund të fshatit.


Fshati është i zbrazët. Shumë shtëpi janë të shkatërruara ndërsa në ato që janë rindërtuar ndërkohë nuk jeton askush. Josip Krizhan është kthyer nga Kroacia para dhjetë vitesh me gruan Ivanken dhe djalin Juraj. Pas kthimit atyre iu lindin edhe dy djem, Dario dhe Antonio.

Flüchtlinge aus Bosnien kehren nicht zurück
Josip, Ivanka, Juraj, Dario dhe Antonia Krizan janë kthyer pas 10 vjetësh në Peqnik.Fotografi: Mirsad Camdzic

Sikur të kërkohej me të vërtetë, njerëzit do të ktheheshin

"Nuk kam asnjë punë, kurrfarë të ardhurash. Në fillim kam mirëmbajtur varrezat sot dërgoj ndokënd me makinë deri në Odxhak apo në Kroaci, punoj pak tokë dhe kjo është e tëra. Kam vëllain dhe kunatën në Zadër dhe kur ka punë më thërrasin dhe fitoj diçka", thotë Josipi.

Në pyetjen rreth kthimit ai përgjegjet si shumica e njerëzve në Posavinë.

"Po të punohej me të vërtetë në këtë drejtim, po të ekzistonte vullneti i duhur, kthimi do të realizohej në këto pesëmbëdhjetë vite pas Dejtonit. Nuk ka punë, mjekë, shkolla. Njerëzit janë vendosur në Kroaci, Zvicër dhe Gjermani dhe përse të kthehen. Kthehen vetëm ata, që nuk kanë rrugëdalje tjetër", thotë Josipi duke luajtur me djalin e tij më të vogël.

Rrëfime të njëjta dëgjon njeriu edhe në fundin tjetër të Posavinës. Në kafenenë "Tek Bella" në Tramoshnicë të Poshtme, komuna e Pelagiqevës, Jozo Gaguliq tregon se si në këtë fshat dikur kanë jetuar rreth 5.000 banorë, ndërsa sot kanë mbetur vetëm 250. Mbishkrimi anës rrugës, "Shes makinën për përpunimin e duhanit", shtëpitë me objektet përcjellëse dhe fushat e mëdha flasin se ky rajon ka qenë dikur shumë i pasur.

Në Posavinën boshnjake kthehen kryesisht të moshuarit, të rinjtë ekzistencën e tyre e kanë siguruar jashtë vendit. Shumë prej tyre janë në Kroaci, një pjesë ka shkuar edhe më larg, në Zvicër apo në Gjermani. Pagat e tyre, paratë e tyre që u nisin familjeve me të cilat mbajnë shtëpitë dhe paguajnë faturat, sipas mendimit të shumicës, në të vërtetë e mbajnë Posavinën në jetë.

E vetmja që punon është kisha

"Janë kthyer pleqtë, nuk ka as 20 të rinj. Punë nuk ka, gjithçka është rrënuar, nuk ka mjekë, shtatë fëmijë shkojnë në shkollë deri në klasë të katërt, të gjithë mësojnë në një klasë. E vetmja që funksionon është kisha. Nëse intensiteti i kthimit do të mbetet i tillë, fshati do të zhduket për 10 ose 15 vjet", thotë Jozo, i cili nuk është i sigurtë as për mbijetesën e kafenesë së tij.

"Ka njerëz të pasur të cilët jetojnë jashtë vendit dhe që do të investonin këtu paratë e tyre, por askush nuk garanton se si do të jenë vitet e ardhshme, nesër vjen një pushtet tjetër, i cili gjithmonë ka mekanizmat që të bëjë presion dhe të t'i marrë ato që ke investuar. Dashuria për vendin e lindjes është diçka, ndërsa jeta diçka tjetër", thekson Jozo.

Ivan Kovaçeviq referent për refugjatë dhe persona të zhvendosur në Zhupaninë e Posavinë.
Ivan Kovaçeviq referent për refugjatë dhe persona të zhvendosur në Zhupaninë e Posavinës.Fotografi: Mirsad Camdzic

Paratë nga mërgimtarët mbajnë gjallë Posavinën

Kroatët, të cilët jetojnë në pjesët e Posavinës, që nuk janë pjesë e Republikës Srpska jetojnë në Brçko dhe në tri komuna të tjera të Zhupanisë së Posavinës: Odxhak, Orashje dhe Domaljecav-Shabac. Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 1991 aty kanë jetuar rreth 60 mijë banorë, kryesisht kroatë. Sot prej tyre mungojnë rreth tetë mijë.

Po të shikosh në bazë të viteve, kthimi më i madh është bërë në pesë vitet e para pas Dejtonit, ndërsa më vonë intensiteti i kthimit ka rënë", thotë Ivan Kovaçeviq referent për refugjatë dhe persona të zhvendosur në Zhupaninë e Posavinës. "Donacionet ndërkombëtare janë gjithnjë e më të pakëta, popullsia e siguron ekzistencën jashtë vendit, në Zhupani pa u rindërtuar kanë mbetur ende 1400 objekte..."

Një numër i madh i banorëve ndodhet në vendet perëndimore, vetëm nga Zhupania e Posavinës janë 6000 punëtorë të cilët dërgojnë para, mbajnë shtëpitë, paguajnë faturat dhe sipas mendimit të shumicës janë ata që mbajnë në jetë Posavinën.

Autor: Mirsad Čamdžić / Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani