1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ftohje mes Berlinit dhe Moskës? Vladimir Putini viziton Gjermaninë

Anila Shuka16 Janar 2009

Për herë të parë që nga zgjedhja e tij si kryeministër i Rusisë, Vladimir Putini viziton zyrtarisht Gjermaninë. Në Berlin me kancelaren Merkel priten bisedime për energjinë. Dresdeni i akordon "Urdhri i Saksonisë".

https://p.dw.com/p/GZys
Takim në një konferencë shtypiFotografi: AP

Çështja kryesore në bisedimet me Angela Merkelin është konflikti i Rusisë me Ukrainën për çështjen e gazit. Në takimin që pritet të zgjasë një orë kancelarja gjermane do të kërkojë dy gjëra nga homologu i saj rus, siç bëri të ditur para takimit një nga zëdhënësat e qeverisë, Thomas Shteg: "Në planin afatshkurtër, që furnizimi me gaz i Gjermanisë dhe Evropës Perëndimore të rifillojë menjëherë dhe me kapacitete të plota."

Ndërsa në planin afatgjatë, që të zgjidhen njëherë e përgjithmonë problemet e mundshme teknike, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten: "Kjo gjendje nuk mund të përsëritet çdo dy vjet", tha Shteg. Zgjidhja në planin afatshkurtër është e karakterit teknik. Bëhet fjala për sasinë minimale të gazit që nevojitet për të arritur presionin e duhur për depërtimin e gazit deri në Evropë.

Thomas Steg Stellvertretender Sprecher der Bundesregierung
Thomas StegFotografi: picture-alliance/dpa

Putini i kishte propozuar më parë kryeministrit italian Sivlio Berluskoni ngritjen e një konsorciumi ndërkombëtar për blerjen e këtij gazi teknik nga Rusia. Ndërsa Ukraina pat sugjeruar që këtë sasi gazi ta paguajë Bashkimi Evropian. Qeveria gjermane është e mendimit se këto janë çështje bilaterale dhe duhet të rregullohen mes palëve kontraktuese. "Nuk është e mundur që barrën e grindjeve mes dy shteteve ose dy ndërmarrjeve ta paguajnë shtetet e tjera, qoftë Gjermania, qoftë vende të tjera evropiane, qoftë Bashkimi Evropian. Kjo mundësi përjashtohet", theksoi zëdhënësi i qeverisë gjermane.

Sipas qeverisë gjermane, as njëra nga palët nuk e ka vullnetin e duhur për të gjetur një zgjidhje. Angela Merkel pra do të jetë e prerë me mysafirin e saj nga Rusia. E prerë ishte kancelarja gjermane edhe me kreun ukrainas, një ditë më parë, gjatë një bisede telefonike.

Gasstreit Russland Ukraine Symbolbild
Pamje simbolikeFotografi: AP

Një lajm i porsa dalë së fundi se rezervat e gazit në Gjermani janë gati të përgjysmuara ndoshta do të bëjë që gjatë vizitës së tij në kryeqytetin e Gjermanisë, Putini ta ndjejë ftohtësinë që po shkakton konflikti ruso-ukrainas. Ngrohtësi do të gjejë Vladimir Putini në një qytet tjetër gjerman, ku do të shkojë menjëherë mbas takimit me kancelaren: Në Dresden, ku në kohën e Bashkimit Sovjetik ai pat shërbyer për një një kohë të gjatë si agjent i shërbimit të fshehtë sovjetik, KGB, kryeministrit rus do t'i akordohet "Urdhri i Saksonisë" për merita në "luftën për të mirën".

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë