1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fund i kursimeve greke

8 Maj 2012

Rezultati i zgjedhjeve në Greqi nuk e ka lehtësuar gjendjen. Partitë në pushtet nuk kanë marrë asnjëra shumicën. Mbyllja e deficiteve buxhetore nuk duket, mendon Spiros Moskovou.

https://p.dw.com/p/14rQX
Antonis Samaras
Antonis SamarasFotografi: picture-alliance/dpa

Në parlamentin grek do të marrin tani pjesë shtatë parti, jo pesë si deri tani. Megjithëse asnjëra nga partitë nuk morri më shumë se 20 përqind të zgjedhësve dhe mandateve. Një koalicion i qëndrueshëm duhet të krijohet nga të paktën tre parti. Se cilat mund të jenë ato është krejt e paqartë.

Shoku i shkaktuar nga zgjedhjet ka të bëjë me faktin që të dy partitë e mëdha, Nea Dimokratia konservatore e Antonis Samaras-it dhe PASOK-u socialist, i ish ministrit të financave Evangelos Venizelos, nuk morrën të bashku shumicën absolute. Në këtë mënyrë kursi politik i ndjekur prej tyre në muajt e fundit, duket se ka qenë i gabuar.

Parlamenti grek
Parlamenti grekFotografi: dapd

Kundër dëshirës dhe nën presionin e partnerëve ndërkombëtarë dhe donatorëve, partitë ranë dakord në muajin nëntor 2011 për krijimin e një qeverie kalimtare, të drejtuar nga Loukas Papademos. Synimi i kësaj qeverie do të ishte të përpilonte pikat kryesore të politikës së kursimeve dhe reformave strukturore dhe të fillonte zbatimin e tyre. Por, partnerët e koalicionit të padëshirueshëm patën rënë dakord që të çonin vendin gati të falimentuar në zgjedhje të reja të parakoshme.

Kjo nuk ishte urtësi burrash shteti. Të mbash pa nevojë zgjedhje, kur populli vuan nën përpjekjet për kursime si dhe nga recesioni, dhe kur nuk është duke parë dritë në fund të tunelit, nuk duhet të habitesh nga një rezultat i tillë. Duket si ironi e hidhur, por tani kur PASOK-u dhe Nea Demokratia janë dakord për krijimin e një qeveri koalicioni, nuk mjaftojnë votat që të dy partitë kanë marrë së bashku.

Rezistencë ndaj politikës së kursimeve

Fillimisht mandatin për të krijuar një qeveri të re e morri Antonis Samaras- këtë parashikon kushtetuta për kryetarin e partisë që ka marrë më shumë vota në parlament. Por konservatorët grekë, që zgjedhjet e parakohshme të së dielës i afirmuan si forcën e parë politike me 108 vende në parlament, nuk munden të krijojnë qeveri. Kreu i tyre Andonis Samaras e dorëzoi mandatin pa rezultat gjashtë orë pas marrjes së tij nga presidenti. Tani shansin e ka partia e dytë, Aleanca e të majtës radikale SYRIZA, e drejtuar nga demagogu Alexis Tsipras. Ajo ka paralajmëruar se do të hidhen poshtë të gjitha marrëveshjet me donatorët ndërkombëtarë. Kështi rritet rreziku që në të ardhmen ekspertët ndërkomëtar të financave të mos dijnë se me kënd duhet të bisedohet në Athinë.

Spiros Moskovou
Spiros MoskovouFotografi: DW

Të gjitha gabimet e të kaluarës

Të gjitha gabimet e të kaluarës hakmerren tani ndaj dy partive më të mëdha të Greqisë. Ato e kanë çuar vendin në shkatërrim. Dhe kur kjo u bë e qartë, nuk ndihmuan as martesat e detyruara të muajve të kaluar. Në vend që të merrnin nisma për konsensin e nevojshëm kombëtar, ato e vunë theksin vazhdimisht në marrjen e një mandati të ri, i cili do të ishte kushti për zgjidhjen e të gjitha problemeve. Nea Dimokratia, pati zgjuar madje shpresat se do të bëheshin të mundura bisedimet e menjëhershme me donatorët tndërkombëtarë. Por zgjedhësit nuk e vlerësuan këtë kurs. Zgjedhësit iu drejtuan partive që nxisin shpresa më radikale, për shembull me anullimin e të gjitha detyrimeve që Athina ka marrë përsipër në dy vjetët e fundit.

Shtohet numri i atyre që nuk votojnë

Gjendja në Greqi bëhet gjithnjë e më e paqartë. Përpjekjet e mundimshme për krijimin e një qeverie sjellin pasiguri të mëdha për stabilitetin politik. Dhe nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje për një koalicion të qendrueshëm atëherë duhet të mbahen zgjedhje të reja. Ndërkohë shumë pjesë të shoqërisë vuajnë nga pasojat e politikës së kursimeve, të cilat nuk tregojnë ende rezultate pozitive.

Kjo e bën tokën pjellore për partitë radikale të spektrit të majtë dhe të djathtë, deri sa të krijohen mundësitë për zgjedhje të tjera. Sepse gjithnjë e më shumë qytetarë i qëndrojnë larg zgjedhjeve. 35 përqind e votuesve nuk shkuan kësaj here për të hedhur votën në kutitë e votimit. Greqia ka qenë dikur djep i demokracisë. Sot, siç duket është djep i krizës së Evropës.

Autor: Spiros Moskovou

Redaktoi: Aida Cama