1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundi i dyshtetësisë

Carla Bleiker / Esat Ahmeti9 Shkurt 2013

3.316 të rinjë me shtetësi të dyfishtë në Gjermani duhet të vendosin gjatë këtij viti për të mbajtur njërën pasaportë. Të prekur janë fëmijët e prindërve të huaj të lindur në Gjermani pas 1 Janarit 1990.

https://p.dw.com/p/17bNp
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në ditëlindjen e saj të 18-të Ebru Uzun morri një letër me postë. Përmbajtja e letrës: deri në ditëlindjen tuaj të 23-të ju duhet të vendosni se cilën shtetësi do të mbani, gjermane apo turke. "Unë isha relativisht pragmatike", thotë për DW-në Uzun, e cila më 2 prill të këtij viti mbush 23 vjet. "Unë udhëtoj shumë dhe tani jam duke studiuar jashtë vendit. Prandaj mbajtja e shtetësisë turke është thjesht jopraktike". Vajza e dy prindërve turq vendosi për mbajtjen e shtetësisë gjermane që në vitin 2012. Aktualisht ajo është në përfundim të studimeve të saj Master në Kolegjin Universitar për shkenca neurologjike në Londër. Megjithatë ajo nuk e kishte aq të lehtë kthimin e pasaportës turke. "Nga ana tjetër ajo është edhe një pjesë e identitetit tim, nga i cili mu kërkua që të heq dorë dhe unë me të vërtetë nuk e kisha të qartë përse. Nuk ka asnjë disavantazh real për shtetin, në qoftë se unë kam edhe një shtetësi tjetër," thotë Uzun.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/Bildfunk

Uzun është një nga 3316 të rinjët me shtetësi të dyfishtë të cilët gjatë këtij viti duhet të vendosin për njërën pasaportë. Të prekur janë fëmijët e prindërve të huaj të lindur në Gjermani pas 1 Janarit 1990. Për ata vlen: nëse prindërit kanë jetuar me qëndrim të rregullt në Gjermani për tetë vjet atëherë fëmijët kanë të drejtën e shtetësisë gjermane. Ky ligj zbatohet në Gjermani që nga 1 Janari i vitit 2000, dhe në mënyrë retroaktive për fëmijët që kanë lindur pas 1 Janarit të vitit 1990. Shumica e këtyre fëmijëve kanë shtetësi të dyfishtë: gjermane dhe të prindërve të tyre.

Opsion i detyrueshëm

Maksimumi deri në ditëlindjen e 23-të këta të rinjë duhet të zgjedhin njërën pasaportë. Pastaj vlen i ashtuquajturi opsion i detyrueshëm. Nëse prindërit e tyre janë nga një shtet i BE-së ose nga Zvicra, ata mund të mbajnë dy pasaporta por me kusht që të kenë parashturar kërkesën për këtë deri në ditëlindjen e tyre të 21-të.

Nëse pasaporta e dytë është e një vendi joanëtar të Bashkimit Evropian atëherë dyshtetësia merr fund. Opsioni i detyrueshëm ofron dy mundësi: të rinjtë vendosin për shtetësinë e vendit të origjinës dhe heqin dorë nga shtetësia gjermane ose ata aplikojnë për lirim nga shtetësia e prindërve të tyre dhe ruajnë shtetësinë gjermane. Nëse deri në ditëlindjen e tyre të 23-të ata nuk dorëzojnë dokumentet e nevojshme në zyrën përgjegjëse për natyralizim ata humbasin automatikisht shtetësinë gjermane.

Pjesëmarrës në një kurs integrimi në Gjermani
Pjesëmarrës në një kurs integrimi në GjermaniFotografi: picture-alliance/ZB

Mosveprimi me pasoja fatale

Organet këshilluese të tilla si shërbimet për migrimin e rinisë duan të parandalojnë rastet e tilla ekstreme. "Misioni ynë është që t'i paralajmërojmë të rinjët se do të humbasin shtetësinë e tyre gjermane nëse ata nuk ndërmarrin asgjë", thotë Herbert Luken, drejtor i Shërbimit të Migrimit të Rinisë në Bremen. "Ne duhet thjesht edhe njëherë tua bëjmë të qartë: nëse ti nuk bën asgjë, atëherë nga pasnesër do të jesh "vetëm" turk."

Pikërisht kjo i ka ndodhur në janar një vajze të re në Hessen. Megjithë përpjekjet e saj të vazhdueshme ajo kishte dështuar që të dorëzojë me kohë lirimin nga shtetësia e saj turke. Siç njoftoi Këshilli Qeveritar i Darmstadit vajza ka humbur shtetësinë gjermane më 3 Janar 2013. Nëse ajo dëshiron të marrë sërish atë, atëherë ajo tani duhet t'i nënshtrohet procesit të komplikuar gjerman të natyralizimit dhe madje të kalojë edhe testin e shtetësisë.

Për shkak të rasteve të tilla, Fondacioni Bertelsmann ka kundërshtuar opsionin e detyrueshëm. Eksperti i çështjeve të integrimit pranë këtij fondacioni, Ulrich Kober, nga perspektiva e integrimit e quan atë si një "katastrofë" nëse njerëzit për shkak të panjohurisë apo mosrespektimit të afatit do të humbasin shtetësinë e tyre gjermane. "Kjo nuk është një sinjal i mirë për hapjen dhe kulturën mikpritëse", tha Kober në një deklaratë për shtyp me 4 shkurt.