1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundi i epokës së artë të vjedhësve të makinave me destinacion Shqipërinë

Arben Muka 1 Gusht 2008

Nga vendosja e sistemit on line mes Tiranës dhe Interpol-it në Lion të Francës i pamundur importimi i makinave të vjedhura në Shqipëri. Rreth 60 përqind e tyre, sipas ekspertëve vinin nga Gjermania.

https://p.dw.com/p/EoJp
InterpoliFotografi: AP

Vjedhja dhe trafikimi i makinave nga vendet europiane për në territorin shqiptar duket se është një fenomen i arkivave policore dhe doganore. Makina të tipeve të ndryshme, duke mos përjashtuar dhe prodhime të viteve të fundit ose jashtë serive gjeje në çdo rrugë kryesore të Tiranës apo rretheve të tjera të vendit.

Pjesa më e madhe e tyre, rreth 60 përqind, sipas ekspertëve janë siguruar nga grupet kriminale në Gjermani, por dhe në Itali, Zvicër, Belgjikë, Francë etj. Ato mbërrinin në territorin shqiptar si nëpërmjet Portit të Durrësit, ashtu dhe nëpërmjet pikave tokësore të kalimit kufitar me Malin e Zi, Kosovën e Maqedoninë. Por ky aktivitet krimnial që sillte fitime të jashtëzakonshme dhe komoditet për autorët nisi të vështirësohet kur sistemi doganor shqiptar hyri në lidhje on-line me zyrën e Interpol-it në Lion të Francës, nga ku autoritetet shqiptare në një hark kohor të shkurtër siguronin çdo të dhënë mbi rastet kur makina ishte e vjedhur apo kishte dokumente shoqërimi të fallsifikuara. Pronari ose drejtuesi i një automjeti të importuar që hynte në territorin e Shqipërisë kalonte në një skaner të tillë dhe ai nuk merrte dokumentin e pronësisë, ose targimin e automjetit nëse të dhënat nga Lioni ishin negative.

Verkehrkaos in Tirana 2008
Në Tiranë qarkullojnë mjaft makina të vjedhuraFotografi: DW / Aida Cama

Kujdes kush blen makinë të importuar!

Kreshnik Bozho, drejtues në Drejtorine e Përgjithshme të Transportit Rrugor në Tiranë tregon me shifra se si është rritur efektiviteti i kontrolleve on-line nga njëri vit në tjetrin. "Nëse në vitin 2005 kanë arritur të marrin targën rreth 780 mjete të cilat kishin doganë të fallsifikuar, nje vit më pas ky numër është ulur në rreth 500. Në vitin 2007 makinat me dokumente të fallsifikuara që morrën targën ishin vetëm 38 mjete, kurse për vitin 2008 nuk ka asnjë rast të tillë", thotë Bozho.

Autoritetet po bëjnë thirrje tek qytetarët, të cilët duan të blejnë një makinë të përdorur të importuar nga vendet e tjera se me kontrollin on line është e pamundur kalimi në dogana i makinave të vjedhura. Gjatë kontrollit që ka ushtruar Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor në Shqipëri në tre muajt e fundit, në rrjetën e shkëmbimit të informacionit mes Tiranës dhe Lionit kanë rënë dhe 46 makina luksoze, të cilat janë bllokuar në doganat shqiptare me dokumente të parregullta, për t'u kthyer në vendet e origjinës.