1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fushatë njollosëse në zgjedhjet presidenciale në Amerikë - në shënjestër Barack Obama

Ralf Sina/ Uashington19 Qershor 2008

Fushatat njollosëse kundër kandidatit demokrat për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Barak Obama po marrin forma të turbullta.

https://p.dw.com/p/EMmS
Kandidati demokrat për president të SHBA, Barak Obama
Kandidati demokrat për president të SHBA, Barak ObamaFotografi: AP

Fushata njollosëse në zgjedhjet presidenciale në Amerikë ka shumë fytyra. Viktima e preferuar e saj ka muaj që është senatori me ngjyrë Barack Obama. Pikërisht klubi nacional gazetaresk me emër i Uashingtonit, ku janë të anëtarësuar gazetarët më të njohur amerikanë dhe shumë presidentë amerikanë, në mënyrë indirekte i dha një shtysë të mirë kësaj fushate. Klubi në fjalë i ka lëshuar me qera një pjesë të hapësirave të tij një burri, i cili ka 20 vjet që është në shënjestër të policisë amerikane. Si mashtrues i njohur botërisht. Me një dozë nervozizmi që binte në sy menjëherë, Larry Sinclair, i dënuar disa herë nga drejtësia amerikane, doli para korrespondentëve në kryeqytet:

"Obama ka urdhëruar blerjen e kokainës".

Në nëntor të vitit 1999 Barack Obama ka blerë kokainë në qytetin e lindjes Çikago dhe së bashku me të, në ulësen e pasme të një limuzine, e kanë konsumuar atë, pohon Sinclair.

"Obama ka përdorur kokainë".

Për të gjitha këto krimineli i vogël nuk ka ofruar dëshmi. Ekziston një shofer, i cili para nëntë vitesh e ka parë këtë skenë. Por atë duhet ta gjejnë vetë gazetarët. Vetë Obama e ka pranuar në biografinë e tij të parë se në moshën rinore ka konsumuar mariuhanë. Por akuzat e padëshmuara se senatori i Ilionisit ka konsumuar droga të rënda edhe para nëntë vitesh janë pika kulmore e fushatës njollosëse kundër Obamës, e cila po nxitet para së gjithash nga gazetarët e internetit dhe mbajtësit e blogeve në internet. Mbajtësitë e blogeve në internet kanë pohuar se Obama është mysliman, emri i tij i dytë është Muhamed dhe se është kundërshtar i Izraelit. Vetë Obama reagon energjikisht ndaj këtyre akuzave:

"E di se disa prej jush kanë marrë E-Mejle provokuese me shpifje të liga ndaj meje. Nëse takoni dikënd me emrin Obama, atëherë më tregoni edhe mua. Ky emër të fut frikën".

...tha me shpoti kandidati me ngjyrë i demokratëve në paraqitjen e tij në Uashington. Megjithatë Obama e ka të qartë se vetëm ironia nuk mjafton për të neutralizuar helmin e lig, që po shpërndahet përmes internetit. Andaj ai po përdor një armë të njëjtë si të kundërshtarëve të tij. Ai ka hapur një faqe speciale interneti me mbishkrimin 'Luftoni fushatën e njollosjes'. Së fundi duke publikuar në internet çertifikatën e tij të lindjes ai i është kundërpërgjigjur shpifjeve se ka lindur në Kenia dhe nuk mund të bëhet president i amerikanëve.