1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futja e kartave në sistemin bankar lufton informalitetin

12 Gusht 2010

Banka gjermane ProCredit në Shqipëri dhe homologia e saj në Kosovë kanë nisur prej disa javësh një fushatë sensibilizuese për klientët e tyre që të përdorin në shkallë të gjerë kartat elektronike.

https://p.dw.com/p/OmVz
Pagesa me karta lufton informalitetin
Pagesa me karta lufton informalitetinFotografi: Bilderbox

Për nisjen e fushatës ProCredit ka shfrytëzuar fluksin e lartë të lëvizjes të qytetarëve nga Kosova drejt Shqipërisë në këtë sezon turistik veror, për t'ju krijuar atyre lehtësi në realizmin e transaksioneve nëpërmjet atomatëve në pika të ndryshme të zonave urbane ose pikave të përdorimit elektronik në ambjetet tregtare.

Pagesa me kartë redukton informalitetin

Drejtoresha e Dizivionit për Individët dhe Biznesin në Bankën ProCredit në Shqipëri, Ardita Dragusha, u shpreh për DW se kjo fushatë sensibilzuese synon të bindë qytetarët se kartat janë një produkt konkurues për kryerjen e pagesave të ndryshme elektronike, duke mos patur limite gjeografike, brenda dhe jashtë vendit, por dhe një përpjekje kundër informalitetit në ekonomi.

Drejtoresha e Dizivionit për Individët dhe Biznesin në Bankën ProCredit në Shqipëri, Ardita Dragusha
Drejtoresha e Dizivionit për Individët dhe Biznesin në Bankën ProCredit në Shqipëri, Ardita DragushaFotografi: DW

“Ne i theksojmë avantazhet e pagesës me kartë, si një sjellje konsumatore që është tipike në vendet evropiane. Ofron një siguri maksimale, komoditet për klientin, shpejtësi në kryerjen e transaksionit, gjithçka në këtë rast pas asnjë kosto shtesë për klientin”.

ProCredit në Shqipëri dhe ProCredit në Kosovë, sipas Dragushës, ka patur disa rezultate konkrete në këto javë të para të fushatës sensibilzuese, “me bindjen se formalizimi dhe qarkullimi i shpejtë i parasë qoftë dhe në formë elektronike jep ndikim të drejtpërderjtë në zhvillimin ekonomik të një vendi”.


Ekspertët kërkojnë ndërgjegjësim për bashkëpunim me bankat

Për ekspertët e ekonomisë shqiptare, aktualisht rreth 25 përqind e parave që qarkullojnë në vend janë jashtë sistemit bankar. Drejtori i Qëndrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike në Tiranë, dr. Zef Preçi, tha për DW, se pavarësisht përmirësimeve në sistemin bankar ende qarkullimi i parave KESH përbën një faktor negativ në zhvillimin ekonomik të vendit dhe shkak kryesor për nivelin e lartë të informalitetit.

“Kjo shpreh dhe nivelin e ulët të grumbullimit të taksave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, GDP, që është nga më të ulëtit në vendet e rajonit. Ka vende si Kroacia e Sllovenia që kanë dyfishin e të ardhurave buxhetore ndaj GDP-së, çka tregon se kapaciteti fiskal i atyre vendeve shfrytëzohet më shumë se vendi ynë, dhe ne kemi një shkallë të lartë të informalitetit” - thotë Zef Preçi.

Drejtori i Qëndrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike në Tiranë, dr. Zef Preçi
Drejtori i Qëndrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike në Tiranë, dr. Zef PreçiFotografi: DW

Ai e lidh fenomenin KESH-izimit ekonomik me nivelin e ulët të ndërgjegjësimit të publikut për bashkëpunimin me operatorët bankarë, por dhe me kostot direkte e të fshehuara, jo shumë të favorshme, që aplikojnë bankat në shërbimet për klientët. Duke iu kthyer ngjarjeve të vitit 1997, kur u shënua dhe niveli më i lartë i humbjes së besimit të qytetarëve për sistemin bankar, Preçi shikon tre faktorë që e përmirësojnë situatën. Së pari, është organizimi i fushatave ndërgjegjësimit për të afruar më shumë qytetarët në sportelet e bankave dhe përdorimin e kartave elektronike për kryerjen e veprimeve, thotë Preçi për DW.


“Por dhe një politikë bankare më e kontrolluar dhe më e rreptë, më ligjore që ruan balancat mes pushtetit, qeverisë dhe bizneseve, si dhe aspekt tjetër është nxitja e formave që i bëjnë politikat shtetërore më miqësore me biznesin. Këto do të ishin tre drejtime që do të kontribuonin për të ulur gradualisht, pasi nuk është gjë që arrihet brenda natës, prezencën e parave jashtë qarkullimit bankar”.

Ai shton se edhe opsioni i zëvendësimit të lekut me euro në një periudhë afatmesme do të ishte një kontribut pozitiv në këtë drejtim. “Ka një perceptim të gjerë në publikun shqiptar për qëndrueshmërinë e besueshmërinë e monedhës euro”, tha për DW, drejtori i Qëndrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike në Tiranë, dr. Zef Preçi.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi