1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

G-7 - emëruesi më i vogël i përbashkët për ekonominë

Christoph Kober/AUD27 Maj 2016

Japonia kërkon që G-7-a t'i japë vrull ekonomisë globale, me një paketë konjukturore prej miliarda eurosh. Numri i mbështetësve të një programi të tillë është në rritje, por dyshimet mbeten.

https://p.dw.com/p/1Iv1O
Japan G7 Gipfel
Fotografi: Reuters/J. Watson

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe nuk mund të akuzohet se përdor retorikë tepër të kujdesshme. Ai kërkoi që prej takimit të G-7-ës në vendin e tij të dërgohet "një sinjal i qartë dhe i fortë" për rritje ekonomike. Ai kujtoi se situata aktuale është në fakt alarmuese dhe solli në mendje vitet e krizës në një kohë jo shumë të largët.

Abe kujtoi që çmimet e lëndëve të para kanë rënë me 50 përqind midis qershorit 2014 dhe janarit 2016, po në atë masë që ranë pas kolapsit të bankës së investimeve Lehman Brothers dhe krizës ekonomike që pasoi.

Kjo është arsyeja pse kryeministri japonez kërkon mbështetje për ta nxitur konjukturën dhe për më shumë investime. Për mendimin e tij, miliarda dollarë janë të nevojshme për të nxitur ekonomitë e vendeve të G-7-ës. Vetëm pak kohë më parë, qeveria në Tokio ra dakord që të bëjë investime te fqinjët e saj aziatikë. Kështu ajo do të ndërtojë për ta termocentrale, spitale dhe trena dhe do të krijojë me këtë vende pune dhe inovacion.Tani Abe shpreson që të hartohet një program global me të njëjtin synim. Ai dëshiron që vendet e G-7-ës të vënë në dispozicion 200 miliardë Euro për pesë vitet e ardhshme, kryesisht për projekte në ekonomitë në zhvillim.

Këndvështrime të ndryshme

Por qeveria gjermane për shembull nuk e favorizon deri tani nxitjen afatshkurtër të ekonomisë me anë të investimeve publike. As kryeministri i Britanisë nuk ka qenë mbështetës i madh i kësaj ideje. Kjo është arsyeja pse takimi i kaluar i G-7-ës nuk përfundoi me një plan të përbashkët investimesh.

"Ne ishim të mendimit se ekonomia globale ishte në gjendje më të mirë se sa kishin parashikuar disa pak muaj më parë", tha ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble, dhe shtoi që ka edhe më pak arsye për t'u bërë nervozë tani. Madje edhe një zëdhënës i qeverisë japoneze ra dakord në takim se quajtja krizë e situatës aktuale do të shkonte shumë larg, megjithë faktin se ekonomitë në ekspansion në të gjithë globin po kalojnë në një fazë të vështirë.

Por Shinzo Abe ka marrë mbështetje nga Kanadaja, ku kryeministri Justin Trudeau po bën përpjekje për ta rikonceptuar politikën ekonomike të vendit. Ministrja e Tregtisë, Chrystia Freeland ka bërë të ditur se do të ketë një zhvendosje në drejtim të investimeve më të mëdha, duke u larguar nga politika e rreptë e kursimeve.

Gjermania sheh mungesa stabiliteti

Po kancelarja Angela Merkel? Ajo mendon se ekonomia botërore po tregon shenja të rritjes së qendrueshme. Por rreziqe ka, pranoi Merkeli. Çmimet e ulëta për lëndët e para kanë qenë fillimisht një surprizë e këndshme për konsumatorët dhe sipërmarrjet dhe për disa sipërmarrje. "Por sot ne vëmë re se në këtë mënyrë në botë krijohen mungesa të konsiderueshme stabiliteti, pikërisht në vendet që nxjerrin naftë, midis tyre janë shumë vende në zhvillim", tha Merkeli.

Në Japoni do të bihet dakord për një inisiativë të përbashkët ekonomike, tha kancelarja. Në të do të reflektohet vullneti që të bëhen të mundura të gjitha masat financiare monetare, që janë të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike. Por ajo shtoi se gati të gjitha hapat e mundshëm në këtë drejtim janë shfrytëzuar.