1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270511 G8-Gipfel Abchluss

28 Maj 2011

G8 do të mbështesë vendet reformatore në Afrikën e Veriut me ndihma financiare miliardëshe, në rrugën e tyre drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Ndërkohë shtohet trysnia ndërkombëtare ndaj pushtetmbajtësit libian.

https://p.dw.com/p/11PjI
Foto në grup e liderëve të G8 në Deauville të Francës.
G8 në Deauville të Francës.Fotografi: AP

G8 do të mbështesë transformimet demokratike në vendet reformatore afrikanoveriore Tunizi dhe Egjipt me ndihma të gjera financiare. Të dy vendet do të marrin 14 miliardë euro deri në vitin 2013. Këtyre u shtohen edhe ndihma bilaterale me BE-në. Një pjesë e ndihmave do të jepen përmes bankës për Evropën Lindore. Mandati i saj, i cili deri tani kishte në qendër Evropën Lindore, do të zgjerohet me Afrikën e Veriut. Kancelarja gjermane Angela Merkel insistoi për përshpejtimin e ritmeve:

Merkel dhe Sarkozy në Deauville gjatë punimeve të samitit të G8.
Merkel dhe Sarkozy në Deauville gjatë punimeve të samitit të G8.Fotografi: dapd

„Mendoj se tani është koha që ndihma të jepet shpejt dhe të bëhet konkrete. Mendoj se na duhen struktura të reja, të shpejta dhe eficiente edhe në BE, në formën e një 'task force', për të çuar përpara objektivat tanë. Veçanërisht Tunizia ka tashmë një plan të vetin të qartë ekonomik, në përmbushjen e të cilit mund të marrim pjesë shumë shpejt."

Me ndihmën për këto vende, evropianët veprojnë edhe në interesin e tyre. Ata i druhen flukeseve të mëdha të refugjatëve, nëse ekonomia në Afrikën e Veriut nuk stabilizohet së shpejti. Por çfarë mendojnë njerëzit në këto vende për këtë, ata të cilët mbështetën revolucionet? Ragia Omran është një avokate egjiptiane dhe aktiviste për të drejtat e njeriut.

"Ne e përshëndesim ndihmën vetëm nëse do të mbështesë fusha të caktuara. Si pjesëtare e shoqërisë civile dhe aktiviste unë nuk dua që të jepet ndihmë pa ditur se ku shkon ajo. Nëse për shembull me këtë ndihmë mbështeten forcat e armatosura apo nëse ajo e lë rregjimin në stadin aktual, ne nuk e duam këtë ndihmë. Ka ende mbetje nga rregjimi i vjetër, të cilat përpiqen t'i kundërvihen parimeve dhe ideve të revolucionit dhe unë shpresoj që këto ndihma të mos shkojnë në mbështetje të sistemit të vjetër."

Ndërkohë kryetari i shtetit në Libi, Muammar al-Gaddafi, po humbet gjithnjë e më shumë mbështetje. Edhe Rusia kërkon tani largimin e tij. Dy muaj pas fillimit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, fundi i luftës civile në Libi nuk duket në horizont. Por presidenti i SHBA-së Barack Obama në një bisedë me mikpritësimin e samitit, presidentin francez Nicolas Sarkozy, bëri të qartë se Gaddafi nuk do t'i shpëtojë përgjegjësisë:

Obama dhe Sarkozy në samitin e G8.
Obama dhe Sarkozy në samitin e G8.Fotografi: dapd

„Ne jemi të një mendje se në misionin në Libi kemi arritur përparime, por mandati i OKB-së për mbrojtjen e popullsisë civile nuk mund të përmbushet përsa kohë Gaddafi mbetet në Libi dhe përdor trupat e tij kundër popullit libian. Së bashku jemi të vendosur ta çojmë deri në fund detyrën tonë."

Një përfaqësues i qeverisë ruse, deri tani vendi më i rezervuar ndaj ndërhyrjes ushtarake në grupin G8, ka sinjalizuar se vendi i tij mund të iniciiojë një përpjekje ndërmjetësimi.

Autor: Christoph Hasselbach / E. Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti