1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Libyen Wirtschaft

16 Shtator 2011

Pushtetmbajtësi libian Gaddafi është rrëzuar, në vend qeveris Këshilli Kalimtar. Shtetet e industrializuara përpiqen të përmirësojnë shanset e tyre, për të marrë pjesë në rindërtimin e Libisë.

https://p.dw.com/p/12a0K

Sarkozy, Cameron, Erdoan - lista e kryetarëve të qeverive, që mbërrijnë këto ditë në Tripoli, në vizita përgëzuese, për udhëheqjen e re në vend, po bëhet gjithnjë e më e gjatë. Është një garë për të fituar simpatinë e popullit të çliruar libian. Të një populli, vendi i të cilit vlerësohet si nga më të pasurit e Afrikës Veriore, falë rezervave të mëdha të naftës dhe triumfi i të cilit në luftën kundër diktatorit Gaddafi, shkakton tërbimin e fqinjëve arabë.

Më parë evropianët vinin si kolonialistë apo për t'i paraqitur nderimet diktatorit Gaddafi, në çadrën e tij prej beduini - nga këndvështrimi i sotëm një servilizëm aspak i lëvdueshëm.

Tani presidenti i Francës Nicolas Sarkozy dhe kryeministri britanik David Cameron, mund të prezantohen me shkëlqimin e çlirimtarëve. Një triumf i merituar!

Nën shenjën e triumfit

Franca dhe Britania e Madhe mbajtën peshën kryesore të misionit të NATO-s. Pa ato fitorja e rebelëve libianë kundër Gaddafit, nuk do të kishte qenë e mundur. Ata e vazhduan me këmbëngulje misionin e tyre, edhe në muajt e vështirë, kur zhvillohej lufta për pushtet dhe dukej fare e pasigurt, që rebelët mund të triumfonin ushtarakisht ndaj armatës me mercenarë të Gaddafit.

Sarkozy ishte i pari që njohu në plan diplomatik Këshillin Kalimtar, dhe u angazhua që në fillim me forcë për misionin ushtarak. Franca i furnizoi për një farë kohe nga ajri me armë rebelët libianë. Britania e Madhe mbajti pjesën tjetër të peshës së misionit të NATO-s në mbretërinë e Gaddafit në shkretëtire dhe kryeministri i saj Cameron mund të ndihet me të drejtë fitimtar.

Francezi dhe britaniku vizituan Sheshin e Martirëve në fortesën e rebelëve, Bengazi. Pamjet e kësaj vizite do të zbukurojnë fushatën elektorale të Sarkozy-së. Edhe për britanikun Cameron, nën trysni në politikën e brendshme, vizita do të jetë e favorshme, pasi britanikët e ndoqën me shumë simpati luftën për liri të libianëve.

Kontratat fitimprurëse për naftën, mund të shihen si një divident i mirëseardhur lufte, për misionin ajror të kushtueshëm, në mbështetje të revolucionit libian. Të mirëpritura edhe pasi koncerni britanik i naftës British Petroleum, sapo doli me duar bosh në Rusi. Kështu, një të mire i shtohet një tjetër.

Fitimet e ardhshme janë joshëse

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan, gjendet gjithashtu për vizitë në Afrikën Veriore, për të theksuar profilin osman si fuqi e ardhshme rajonale. Ai nuk dëshëron të mungojë në festën e madhe të lirisë në Tripoli.

Po Gjermania? Edhe ajo duhet të ndihmojë në zhvillimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe në kualifikimin e të rinjve. Në masat për infrastrukturën dhe masat shumëpalëshe, të cilat kanë në fokus të gjithë hapësirën afrikanoveriore dhe arabe, përtej kufijve. Nëse abstenimi i argumentuar i Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit, do të shkaktojë pezmatim edhe në të ardhmen në Libi, mbetet të shihet. Me siguri firmat gjermane nuk do të jenë në vend të parë në investimet e ardhshme në Libi, por as në vend të fundit. Ekspertiza gjermane është shumë e kërkuar edhe në botën arabe.

Ndihmë në rindërtimin e shtetit

Gjermania në të vërtetë, me përjashtim të ndihmës ushtarake, u ka dhënë rebelëve libiane çdo lloj tjetër ndihme. Edhe kjo duhet të jetë regjistruar nga Këshilli Kalimtar libian dhe duhet të pengojë që pushtetmbajtësit e rinj në Libi të kenë ende shije të hidhur ndaj Gjermanisë.

Eksperienca e veçantë e Gjermanisë me tranzicionet nga diktaturat në shtetet e rendit dhe ligjit, do të jetë e mirëpritur në Libi, në mos sot, nesër. Dhe nëse të gjithë europianët së bashku e ndihmojnë Libinë për një fillim të ri të suksesshëm, Gjermania sigurisht që nuk do të bëhet pengesë.

Autor: Daniel Scheschkewitz

Redaktoi: Elert Ajazaj