1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Letra e Snowdenit për kancelaren Merkel

Marcel Fürstenau / Lindita Arapi18 Nëntor 2013

Kancelarja Merkel ka marrë një letër nga personi, i cili shkaktoi ortekun e skandalit të përgjimeve të NSA-së, Edward Snowden. Pikërisht për të debatohet në Bundestag të hënën (18.11.).

https://p.dw.com/p/1AJKS
Fotografi: Reuters

Angela Merkel duhet të jetë e përgatitur që të zgjedhurit me votën e popullit do të bëjnë pyetje të pakëndshme në parlament të hënën. Për shembull, pse ajo nuk është e gatshme t'i ofrojë zbuluesit të skandalit, Edward Snowden azil në Gjermani. Ose: Pse e minimizoi ajo për një kohë të gjatë aferën e botërore të përgjimit të komunikimit elektronik dhe të internetit përmes Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, NSA? Por koha e sheshimit mbaroi qëkur u bë publike se shërbimi sekret përgjon edhe celularin e saj. Papritur Merkel reagoi me zemërim: "Kështu nuk shkon." Po punët në të vërtetë kanë shkuar kështu, dhe si funksionon programi i përgjimit, për këtë Snowden është gati të japë sqarime.

Në foto, Peer Steinbrück dhe Angela Merkel
Në foto, Peer Steinbrück dhe Angela MerkelFotografi: Nigel Treblin/Getty Images

"Unë gëzohem të bisedoj me ju në vendin tuaj, kur situata të jetë sqaruar", shkruan ai në një letër drejtuar kancelares Merkel, presidentit të Bundestagut, Norbert Lammert (CDU) dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Snowdenit nuk i jepet azil në Gjermani

Korrieri ishte deputeti i të Gjelbërve Hans-Christian Ströbele, i cili në fund të tetorit udhëtoi drejt Moskës, për të biseduar me Snowdenin për disa orë. 30 vjeçarit i është ofruar azil në Rusi për një vit. Sipas qeverisë gjermane, ky vend nuk do t'i ofrojë atij azil. Këtë e bëri të ditur ministri i Brendshëm Hans-Peter Friedrich (CSU) pas një takimi të komisionit parlamentar të kontrollit (PKG) në 6 nëntor. Më parë Ströbele kishte raportuar pas dyerve të sigurta nga përgjimet për takimin me Snowdenin.

Në rastin më të mirë, qeveria gjermane mund ta pyesë zbuluesin në Rusi. Ministria Gjermane e Drejtësisë po shqyrton mundësitë e sqarimit ligjor të kësaj çështjeje. Ndërkohë koordinatori i kancelares Merkel, Ronald Pofalla (CDU) bëri të ditur vëzhgimin me hollësi të bashkëpunimit me shërbimet amerikane. Para disa muajsh ishte rënë dakord për përpilimin e një marëveshjeje "No Spy", e cila do të përjashtonte mundësinë e spiunimit të dyanshëm. "Ky do të ishte një shans unik për të rifituar besimin e humbur", është shprehur Pofalla.

Në foto, Peter Schaar
Në foto, Peter SchaarFotografi: picture-alliance/dpa

Pofalla: Nuk ka "shkelje milionëshe të të drejtave themelore"

Gjatë muajve të verës në kulmin e fushatës zgjedhore në Gjermani, Pofalla kishte theksuar: "Në Gjermani nuk ka shkelje milionëshe të të drejtave themelore". Me dyshim u shprehën atëherë përfaqësuesit e opozitës socialdemokrate, të Gjelbërit dhe e Majta. Peer Steinbrück, kandidati për kancelar që humbi në zgjedhjet u shpreh: "Zonja Merkel nuk distancohet nga amerikanët, dhe e pranon pa asnjë lloj kritike shkeljen e të drejtave dhe interesave të gjermanëve."

Përkundër këtyre kritikave, Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Hermann Gröhe i akuzoi socialdemokratët për antiamerikanizëm. Por vetëm pas kohë më vonë, ai u shpreh pas një takimit të komisionit të kontrollit në Bundestag se qeveria do të shqyrtojë një për një të gjitha detajet. Dokumente, letra, ndër to edhe konfirmime me shkrim nga ana e NSA-së do t'i paraqiteshin në respektim të parametrave të sigurisë, komisionit të Bundestagut.

Njëri prej atyre personave që dëshironte të hidhte një vështrim tek këto dokumente, bazuar edhe në postin që mban është i ngarkuari i qeverisë gjermane për ruajtjen e të dhënave, Peter Schaar. Por ministri i Brendshëm, Friedrich nuk i ka lejuar atij marrjen në shqyrtim të këtyre dosjeve, sepse sipas tij Schaar nuk është përgjegjës për këtë. Schaar e kishte kritikuar qeverinë gjermane indirekt për mosveprim, dhe vetëm cënimi i drejtpërdrejtë bëri që të veprohej.

Pamje nga protestat në Berlin
Pamje nga protestat në BerlinFotografi: picture-alliance/dpa

Prokuroria e Përgjithshme ende nuk vepron

Megjithatë Merkeli nuk qëndroi duarkryq. Hans- Peter Friedrich fluturoi drejt Uashingtonit, që në qershor, kur u bënë të ditur informacionet e Edward Snowdenit. Pas takimeve në Uashington ai deklaroi se kishte pasur bisedime mjaft konstruktive e të hapura me partnerët amerikanë.

Tanimë duket se qeveria gjermane po i merr shumë më tepër seriozisht shqetësimet e popullatës. Përgjimi i celularit të Merkelit dhe letra e Snowdenit i dhanë një dimenson të ri aferës së NSA-së. Ministri i Brendshëm, Friedrich ka bërë presion që amerikanët të kërkojnë falje. Nëse Prokuroria e Përgjithshme do të zhvillojë hetime kjo nuk dihet ende. Megjithëse pas përgjimit të celularit të Merkelit u bë fjalë për hetime nga ana e saj. Por pas një kërkesë të agjencisë gjermane të lajmeve, dpa, nga Prokuroria e Përgjithshme thuhet se ende nuk është e konfirmuar kompetenca e Prokurorisë së Përgjithshme.