1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Genscher: T‘i jepet një shans i ri dialogut

Rudolf Geissler (SWR) / Vilma Filaj Ballvora15 Mars 2014

Në intervistë për median gjermane ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Hans Dietrich Genscher tërheq vëmendjen që të ruhet arsyeja lidhur me krizën e Krimesë.

https://p.dw.com/p/1BPvk
Frühe Außenminister Hans-Dietrich Genscher
Fotografi: picture alliance/dpa

Në radion Südwestrundfunk (SWR) Genscher e vlerësoi politikën e qeverisë gjermane ndaj krizës në Krime duke theksuar: "Kancelarja Merkel dhe ministri i Jashtëm Steinmeier po e përfaqësojnë Gjermaninë në një kohë të vështirë në mënyrë të shkëlqyer dhe me përgjegjësi të madhe. Por ngjarjet në Krime kanë arritur në një pikë, kur duhet që të gjithë pjesëmarrësve t'u bëhet thirrje që të përmbahen dhe të jenë të arsyeshëm, që t'i japin një shans, ndoshta të fundit dialogut dhe mirëkuptimit."

Paralele me pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë?

Duke iu referuar vendimit të tij si ministër i Jashtëm i Gjermanisë për të njohur shkëputjen e Kroacisë e Sllovenisë nga ish-federata e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990 dhe i pyetur se përse të mos u lejohet e njëjta gjë njerëzve që nuk duan të jenë pjesë e Ukrainës për t'u shkëputur ashtu siç ata duan, Hans Dietrich Genscher argumenton: "Asokohe ka pasur një rregull në kushtetutën e këtij vendi, që e mundësonte shkëputjen. Besoj se tani nuk duhet të spekulojmë për shkëptuje dhe rezultate të ardhshme, por duhet të mendojmë, se si mund ta drejtojmë zhvillimin e krijuar në një shtrat të sigurtë, që të mos rrezikohet puna e paqes që është bërë për dekada me radhë pas Luftës së Dytë Botërore. Eshtë e pashembullt se si u përballua paqësisht Lufta e Ftohtë, e kjo nuk duhet të vihet tani në rrezik. Për këtë arsye ne duhet të parandalojmë çdo përshkallëzim."

Rusia është "pjesë e Europës"

Se cila mund të jetë rrugëdalja nga kriza, Genscher thekson, se "është e mundur që të krijohet një zonë e tregtisë së lirë për të gjithë kontinentin, në mënyrë që në Europë të mos krijohen mure të rinj ekonomikë. ... Europa Perëndimore duhet ta ketë të qartë, se Rusia është "pjesë e Europës" dhe se "Azia Perëndimore“ nuk fillon në kufirin lindor polak, por se atje është pikërisht kufiri i Europës Lindore. Kjo do të thotë, që ne duhet të mendojmë përtej temave të së sotmes, e në këtë mënyrë do të jetë e mundur të gjendet gjuha e përbashkët edhe për mosmarrëveshjet aktuale."

Në konfliktin aktual - thekson Genscher - janë "bërë gabime nga të gjitha palët, edhe nga perëndimorët". Ndaj aq me e nevojshme është tani të kërkohet "mjeshtëria e drejtimit shtetëror" përtej fundjavës dhe "pavarësisht nga rezultati" i referendumit të planifikuar në Krime.