1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Israel Libanon

4 Gusht 2010

Shkëmbimet vdekjeprurëse të zjarrit në kufirin libanezo-izraelit e kthejnë vështrimin tek rreziku në rritje i luftës në Lindjen e Afërme.

https://p.dw.com/p/ObX3

Shpërthimi deri tani më i rëndë i dhunës në kufirin libanezo-izraelit që prej fundit të luftës para katër vjetësh është një sinjal i qartë paralajmërimi: Bashkësia ndërkombëtare duhet të kujdeset shumë më vendosmërisht për kufizimin e konflikteve në Lindjen e Afërme. Gjendja midis Izraelit dhe Libanit, por edhe Izraelit dhe Gazës, është aq e tendosur saqë me sa duket edhe një grindje në në pamje të parë e vogël për një pemë në brezin kufitar mund të kthehet në shkaktare luftimesh vdekjeprurëse.

E rrezikshme është para së gjithash një gjë me të cilën duhet llogaritur gjithmonë.Në të gjitha palët e përfshira ka forca që deri në një gradë të caktuar shohin avantazhe në aventura ushtarake ose në një shkallëzim krahasimisht të kontrolluar. Milicë radikale islamikë si Hamasi dhe Hisbollahu kanë arritur disa herë të fitojnë legjitimitet dhe popullaritet nga veprimet e dhunshme kundër Izraelit. Me këtë ato mund të krijojnë një trysni publike, e cila shpie automatikisht në ashpërsimin e qëndrimit të pothuajse të gjithë aktorëve arabë. Asnjë udhëheqës arab nuk mund t'ia lejojë vetes në situata krize që të akuzohet për mungesë solidariteti me "vëllezërit" në Gazë ose në Liban.

Edhe në Izrael ekziston një rrezik i rritur që ndjekësit e vijës së ashpër të priren nga përdorimi i dhunës për arritje synimesh politike: Me veprime kundër forcave që janë hapur kundër Izraelit mund të mblidhen pikë në planin e politikës së brendshme. Për strategë të caktuar aksione ushtarake kundër Hisbollahut ose Hamasit mund të jenë edhe një aksion symbolik i përshtatshëm për t'i bërë të qartë Iranit se Izraeli mbrohet që tani në mënyrë aktive kundër aleatëve të Teheranit. Dhe se ai nuk do të lejojë kurrë armë bërthamore iraniane.

Konsiderata strategjike të këtij lloji janë të rrezikshme: Aksione ushtarake gjoja të kontrollueshme dalin në këtë rajon shpejt jashtë kontrollit dhe në situatën e tanishme mund të shkaktojnë madje një luftë të përmasave të mëdha.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të tjerë u bëjnë tani thirrje palëve për përmbajtje sa më të madhe të mundshme. Ky është sinjali i duhur dhe në të njëjtën kohë tepër pak. Jo vetëm apele dhe përpjekje ndërmjetësimi, edhe më shumë përzierje aktive nevojitet. Kush do të sjellë paqen në Lindjen e Afërme ose të paktën ta stabilizojë atë, duhet t'u kërkojë po aq besueshëm kompromise izraelitëve sa libanezëve dhe palestinezëve. Ai duhet të ketë një plan të dallueshëm dhe të dëshmojë konsekuencë. Këtë mund ta bëjnë aktualisht vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti i tanishëm amerikan përpiqet më shumë sesa paraardhësi i tij, por ai bën ende tepër pak.

Autor: Rainer Sollich

Redaktoi: Elert Ajazaj/ Aida Cama