1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendje e palejueshme - Ngërçi i drejtësisë kosovare në Veri

8 Janar 2011

Institucionet e drejtësisë kosovare në Veri janë vetëm pjesërisht funksionale. Një bllokim i tillë dëmton interesat qytetare, madje bëhet shkas për shkeljen e të drejtave të njeriut.

https://p.dw.com/p/zv46
Ura e Mitrovicës nuk është kthyer ende në urë të mirëkuptimit

Me 20 shkurt të vitit 2008 serbë të revoltuar me aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës patën pushtuar me dhunë objektet e gjykatës së qarkut, asaj komunale dhe prokurorisë në Mitrovicë duke i djegur dhe dëmtuar rëndë ato. Që nga ajo kohë këto institucione të gjyqësisë kosovare janë pjesërisht funksionale. Për drejtësinë në to vendosin vetëm gjyqtarë të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

Këtë e rikonfirmon kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, zoti Enver Peci: "Gjykatat në pjesën veriore të Kosovës jo vetëm gjykata e qarkut, por edhe gjykata komunale në Leposaviq dhe Zubin Potok janë jashtë funksionimit. Pjesërisht funksionon gjykata me gjyqtarë evropianë në veri dmth. gjykata e qarkut ndërsa të tjerat kanë mbetur tërësisht jashtë funksionit. Pjesa e lëndëve që kanë mbetur atje janë ashtu siç kanë lënë, nuk kemi ndonjë të dhënë edhe pse është bërë një sistemim i lëndëve por me të vërtetë është një gjendje shumë e rëndë", sqaron Enver Peci.

Në foto, Enver Peci
Në foto, Enver PeciFotografi: DW

Sipas Pecit funksionalizimi i këtyre gjykatave tashmë nuk është vetëm problem i Këshillit Gjyqësor, por edhe problem politik. Autoritetet kosovare i kanë zhvilluar disa bisedime me faktorin ndërkombëtar, që në këtë rast është vendimmarrës sa i përket funksionalizimit të këtyre gjykatave, por deri tani nuk ka pasur sukses. Peci kërkon më shumë angazhim të politikës. Çështja e gjykatave në veri e ka tejkaluar edhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe në këtë drejtim niveli politik duhet të jetë më i angazhuar dhe më i vendosur sa i përket funksionalizimit të këtyre gjykatave, nënvizon Peci.

A mund të vijë zgjidhja nga bisedimet Prishtinë-Beograd?

Ndërkohë nuk janë të paktë zërat që thonë se organet e drejtësisë në veri të Mitrovicës nuk do të funksionalizohen plotësisht pa u ulur Prishtina dhe Beogradi në tavolinën e bisedimeve për të diskutuar dhe për të gjetur kompromis për këtë. Peci rithekson se sistemi gjyqësor i Kosovës është unik dhe i pandashëm dmth. funksionalizimi dhe zbatimi i ligjeve duhet me qenë unik për tërë territorin e Kosovës.

"Sa i përket zhvillimit të bisedimeve Këshilli Gjyqësor ka një hezitim ngase në bisedime nuk guxojmë të hyjmë në qoftë se pretendohet diçka që nuk mund të kapërdihet nga pala kosovare. Dmth. shkelja e kushtetutës është në kundërshtim të hapur me ato bisedime që po pretendohen. Ndoshta janë disa çështje teknike që mund të bisedohen, që ndoshta në atë pjesë të Kosovës të punojnë një numër më i madh i gjyqtarëve dhe prokurorëve të nacionalitetit serb. Por deri tash presioni i Beogradit ka qenë i hatashëm sa i përket këtyre gjyqtarëve dhe në momentin, kur ne kemi arritur që sado pak të funksionalizojmë me dy gjyqtarë shqiptarë, dy serbë dhe me faktorin ndërkombëtar menjëherë ka ardhur presioni ndaj gjyqtarëve të nacionalitetit serb dhe nuk ka pasur sukses".

Bild aus Nord Mitrovica
Pamje nga Veriu i Mitrovicës. Gjyqtarët serbë këtu presin një sinjal pozitiv nga BeogradiFotografi: DW

EULEX pro gjykatave shumë etnike në Veri

Sidoqofte EULEX-i shprehet i vendosur që gjykata në veri të jetë një gjykatë shumëetnike ku do të punonin gjyqtarë shqiptarë e serbë. Enver Peci para se të kalonte në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ka qenë pjesë e stafit të gjykatës në veri. Ai i njeh personalisht gjyqtarët dhe prokurorët serbë. Sipas Pecit ata edhe pse kanë dëshirë që të rikthehen në punë presin për këtë një sinjal pozitiv nga Beogradi:

"Në bisedë e sipër me ta pasi që shumicën e tyre i kam edhe kolegë, ata personalisht kanë dëshirën ashtu si edhe popullata në atë pjesë të qytetit në të cilën me të vërtetë nuk vepron ligji por anarkia dmth. zbatimi i ligjit është i barabartë me zero. Kështu ata hezitojnë të punojnë, sepse tërë kohën presin të marrin një sinjal pozitiv nga Beogradi. Ata ma kanë thënë këtë edhe decitivisht dhe në momentin kur ata pranojnë që në mënyrë individuale të kyçen në atë gjykatë menjëherë vjen presioni nga Beogradi dhe nga grupet që veprojnë në veri të Kosovës, konkretisht MUP-it (Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë) dhe strukturave tjera paralele që veprojnë në atë pjesë të Kosovës".

Mosfunksionimi i gjykatave - dëm për qytetarët, shkelje e të drejtave të njeriut

Logoja e Eulex-it, misioni i BE-së për drejtësinë dhe ligjin
Logoja e Eulex-it, misioni i BE-së për drejtësinë dhe ligjin

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës thotë se me mosveprimin e gjykave në veri janë kaluar të gjithë kufijtë e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe konventave ndërkombëtare prandaj mendon që viti 2011: "Ndoshta është momenti i fundit që duhet të rifunksionalizohen gjykatat se me të vërtetë janë shkelur të gjitha të drejtat e njeriut sa i përket zbatimit të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve të Mitrovicës. Rajoni i Mitrovicës përfshin një territor bukur të madh dhe si pasojë e mosfunksionalizimit të këtyre gjykatave njerëzit kanë pësuar si në aspektin ekonomik, por edhe sa i përket realizimit të të drejtave të tyre. Ka të tillë që edhe pse kanë kryer vepra penale gjenden një kohë të gjatë në paraburgim dhe iu janë shkelur të gjitha të drejtat dhe afatet kohore që i parasheh edhe konventa evropiane."

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi