1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendje e rënduar në fshatrat në kufi me Shqipërinë në Mal të Zi

5 Janar 2010

Përmbytjet në rrethin e Shkodrës dhe hapja e portave të hidrocentrale kanë rënduar situatën në fshatrat kufitarë në Mal të Zi. Përfaqësuesit e pushtetit lokal të Ulqinit kanë kërkuar vendosjen e kontakteve ndërministrore

https://p.dw.com/p/LLdL
Fotografi: AP

Reshje të shumta dhe hapja e portave të hidrocentraleve në Shqipëri kanë rënduar situatën edhe në disa fshatra kufirate me Malin e Zi e veçmas ato në bregun e lumit Buna. Kryetari i Ulqinit, Gëzim Hajdinaga ka ngritur shtabin e emergjencës për situata të jashtëzakonshme, për t'u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Sipas tij në disa fshatra situata është e rëndë:

“Është mjaft situatë e vështirë, pa ndonjë alarmim që është gjendja tepër tepër e rrezikshme, por vërtet ka përmbytje të mëdha në disa shtëpi . Tani menjëherë nga këtu do të shkoj në Lisna Borë, ku kemi informacion se në disa vende uji ka kapërcyer edhe bendin. Të shohim në terren se si është situata konkrete në përgjithësi . “

Zoti Hajdinaga thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me kolegët e tij në Shkodër :

“ Presim që të na informojnë se në cilat momente dhe në cilat kapacitete janë të detyruar që të lirojnë akumulimet e veta që kanë.”

Për shkak të situatës së krijuar zoti Hajidnaga thotë se ka ftuar për një vizitë pune zëvëndësministrin e brendshëm të Malit të Zi, që në terren të përcjell situatën më për së afërmi. Në terren sot ka dalë edhe shërbimimi i mbrojtjes . Udhëheqësi I këtij shërbimi, Flamur Sella thotë per Deutsche Welle-n se në disa vende lumi Buna ka dalë nga shtrati.

“Kemi ngritje të lumit Buna. Pjesa e Shën Gjergjit diku prej mëngjesit e deri tani minimum është ngritur deri ne 10 cm. Buna ka një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe ka dalë nga shtrati ”.

E tërë kjo situatë e krijuar nga reshjet e dendura në këtë rajon ka ndërprerë edhe komunikimin ndërjmejt dy shteteve respektivisht Ulqinit dhe Shkodrës . Një numër i madh i studentëve nga Mali I Zi që studiojnë në Universitetin “ Luigj Gurakuqi “ të Shkodrës janë në pushim te detyruar dhe po përcjellin situatën për t'u kthyer sërish në mësim. Ja se çfarë thotë një studente :

“ Ne studentët nga Mali i Zi që studjojmë në Shkodër jemi në kontakt me kolegët tanë në Shqipëri . Ata na kanë njoftuar se për shkak të situatës së krijuar mësimi në Universitet është shtyrë deri nga mesi i Janarit . Presim që situata të stabilizohet dhe mësimi të vazhdojë i rregullt , pasi jemi në prag të provimeve “.

Ditët e fundit në sheshet e Ulqinit po vërehet nje rënie e dukshme e punëtorëve sezonalë, të cilët nga qyteti i Shkodrës jo rrallë herë angazhohen për punë të ndryshme në Ulqin.


Autor: Vera Katana/ Ulqin

Redaktoi: Auron Dodi