1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: racizimi në jetën e përditshme

Klaudia Prevezanos / Amarildo Topi28 Gusht 2013

Askush nuk duhet të diskriminohet për shkak të ngjyrës së lëkurës apo prejardhjes. Por realiteti në Gjermani është tërësisht ndryshe. 50 vjet pas fjalimit të Martin Luther Kingut është koha për një vështrim pas.

https://p.dw.com/p/19XYL
Fotografi: picture-alliance/chromorange

Racizëm ka edhe në Gjermani, e jo vetëm ai i ekstremistëve të djathtë. Kuptimi i racizmit në vend ka ndryshuar. Çfarë qëndron pas tij? Cilët janë ligjet kundër tij? Deutsche Welle ka biseduar me përfaqësues të Iniciativës të njerzëve me ngjyrë të zezë në Gjermani dhe Hendrik Cremer, ekspert i racizmit nga Instituti Gjerman i të Drejtave të Njeriut (DIRM).

"Njerëzit me ngjyrë të zezë përballen me racizmin në çdo pjesë të shoqërisë në Gjermani. Në jetën profesionale, për të gjetur një banesë ose për çështje politike. Natyrisht edhe në jetën private", thotë Tahir Della, i cili është fotograf në Mynih dhe anëtar i bordit të "Iniciativës të njerzëve me ngjyrë të zezë në Gjermani" (ISD). Organizata do të bashkojë afro-gjermanët kundër racizmit me anë të projekteve të ndryshme.

Tahir Della
Tahir Della, anëtar i bordit të "Iniciativës së Zezakëve në Gjermani"Fotografi: ISD/Tahir Della

Martin Luther King para 50 viteve: "Unë kam një ëndërr"

Në SHBA në vitet 50 nisi një lëvizje kundër diskriminimit racor në vend. Para 50 viteve, më 28 gusht 1963, Martin Luther Kingu mbajti fajlimin e tij të famshëm "I have a dream". Ai përshkruan në vizionin e tij një Amerikë pa racizëm, ku ngjyra e lëkurës dhe prejardhja nuk kanë më një rol të rëndësishëm në shoqëri.

Si shihet kjo gjë në Gjermani pas 50 vitesh? "Ndonjëherë pyetem nga njerëzit në rrugë nëse kam drogë për të shitur", tregon Della. "Ose pritet që t'i të flasësh një gjermanishte të keqe e jo te mirë, gjithashtu edhe në zyra. Në pamje të parë një gjë e tillë nuk duket e keqe, por mbrapa fshihen paragjykime negative për njerëzit me ngjyrë të zezë", thotë Della, i cili u aktivizua që në vitet 80‘ tek ISD.

Spontan ose i organizuar, i hapur, i maskuar, i dhunshëm ose verbal

Një përcaktim i qartë i racizmit nuk ekziston. "Ka dimensione dhe forma të ndryshme shfaqjeje të racizmit. Ai mund të jetë spontan ose i organizuar, i hapur ose i maskuar. Ka edhe racizëm të dhunshëm, thënie raciste dhe diskriminim në jetën e përditëshme", thotë Hendrik Cremer nga Instituti Gjerman për të Drejtat e Njeriut, ku punon që prej vitit 2007.

Hendrik Cremer vom Deutschen Institut für Menschenrechte
Hendrik Cremer nga Instituti Gjerman i të Drejtave të NjeriutFotografi: Hendrik Cremer

Në ndryshim nga e kaluara tani racizmi nuk ka më vetëm baza biologjike, por edhe kulturore. Racizmi shfaqet ndaj ‘kulturave', ‘kombeve', ‘etnive' dhe ‘përkatësisë fetare' thotë Cremer.

Nga racizmi në Gjermani nuk janë të prekur vetëm njerzëit me ngjyrë të zezë. Këtu ekziston edhe antisemitizmi, anticiganizmi (kundër romëve dhe sintëve) ose racizmi ndaj myslimanëve. Della thotë: "Ka shumë paralele me grupe të tjera, të cilët vuajnë diskriminim racial. Eksperiencat janë të njëjta."

Mbi ç'baza ligjore ndalohet racizmi në Gjermani? "Të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të të drejtave të njeirut të nënshkruara nga Gjermania ndalojnë diskriminimin me baza racore ", thotë juristi Cremer. Por në luftën konkrete kundër racizmit, ligjet gjermane nuk janë të mjaftueshëm. "Akti i Trajtimit të Barabartë në Gjermani hyri në fuqi në vitin 2006. Ky ligj ka të bëjë me tregun e punës dhe tregun e shtëpive, por sërish ka shumë probleme."

Shteti gjerman ka detyrë të mbrojë njerëzit nga diskriminimi racor nga persona të tjerë apo aktorë shoqërorë. Por edhe vetë shteti nuk duhet të diskriminojë. Kontrolli i identitetit nga policia mund të jetë një problem. "Profilizimi racor", sipas Cremer është një praktikë e ndjekur rregullisht nga policia gjermane. Ata që zgjidhen për tu kontrolluar gjykohen nga pamja e tyre e jashtme.

Schleuserjagd an der Kabinentür
Fotografi: picture alliance/dpa

"Edhe policia është pjesë e shoqërisë"

Në mënyrë të tillë policia federale kontrollon emigrantët në aeroporte, stacione treni dhe trena. DIMR publikoi në fund të muajit qershor 2013 një studimin për "Profilizimin racor" në Gjermani dhe sugjeroi heqjen e kësaj metode kontrolli nga Ligji i Policisë Federale. Sepse sipas autorit Cremer, "policia në këtë mënyrë ka të drejtë të bëjë kontroll identitëti me bazë racore." Della nga ISD thtotë: "Pothuajse të gjithë të zinjtë që njoh, kanë patur probleme me kontrollet e shpeshta të identitetit nga policia pa patur asnjë arsye. Por policia është gjithashtu pjesë e shoqërisë dhe ka paragjykime."

"Racizmi në Gjermani lidhet shpesh me ekstremistët e djathtë. Por kjo është një pikëpamje e ngushtë. Racizmi i përditshëm në shoqëri nuk shihet", mendon Cremer. Racizmi në jetën e përditëshme vihet re rrrallë dhe nuk mund të adresohet. "Racizmi është një fenomen shumë i qartë, vihet re në gjithë hapat e shoqërisë dhe mund ta gjesh kudo."