1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100509 Merkel Karsai treffen

11 Maj 2009

Në vizitën e presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai në Berlin të dielën (10.05.), kancelarja e RFGJ, Angela Merkel premtoi se Gjermania do të angazhohet më fort për përgatitjen e policëve dhe ushtarëve afganë.

https://p.dw.com/p/Hne5
Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai në Berlin (10.05.09).
Gjermania do të angazhohet edhe më fort në Afganistan. Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai takohet në Berlin (10.05.) me kancelaren e RFGJ, Angela Merkel.Fotografi: AP


Gjermania do të angazhohet edhe më shumë në Afganistan. Këtë e tha kancelarja Angela Merkel, pas një takimi në Berlin me presidentin afganas, Hamid Karzai. Ndihma do të ofrohen para së gjithash për përgatitjen e policisë dhe ushtrisë, duke u bazuar edhe në sukseset e arritura: "Besoj se nuk duhet harruar, që muajt dhe vitet e fundit ne kemi shënuar suksese të rëndësishme. Duhet të kujtojmë se në rajonin e Kabulit, forcat afgane mbajnë një pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë. Natyrisht, ISAF-i duhet të jetë gjithmonë në sfond, por kjo është një situatë, të cilën ne as që e përfytyronim dy vjet të shkuara."

Stacion lazareti në Afganistran.
Atje ku trupat e ISAF-it drejtohen nga ushtarët gjermanë, atje popullsia afgane mund të tregojë më shumë prezencë, se sa në provincat e tjera, thotë Presidenti Karzai.Fotografi: picture-alliance/dpa

Megjithatë, deri tani si duhet janë përgatitur vetëm dhjetë përqind e forcave të armatosura afgane. "Përpara nesh ndodhet ende një rrugë e gjatë për t'u përshkruar. Ne duhet të përmirësohemi më shpejt, dhe të mos vazhdojmë në vijë lineare si deri tani. Por, dëshira ekziston, dhe parakushtet janë duke u krijuar, kështu që mudnn të them se ne jemi në rrugë të mbarë, rrugë e cila sidoqoftë përmban në vetvete shumë përpjekje. Unë nuk dua ta paraqes këtu gjendjen të zbukuruar."


Në ndërtimin e Afganistanit ka ende deficite të mëdha, tha më tej Merkeli. Por njëkohësisht mund të flitet edhe për suksese: "Në Afganistan ne kemi dritë dhe hije. Ka suksese të respektueshme, të cilat nuk duhet t'i harrojmë, megjithë vështirësitë. Këtu bëjnë pjesë gjashtë milionë nxënësit që shkojnë në shkolla, midis tyre shumë vajza. Në vizitën time në veri të vendit unë u binda edhe për këtë."

E kënaqur u tregua Merkeli, që Karzai e siguroi se u ndryshua ligji i diskutueshëm bashkëshortor për pakicën shiite të vendit, i cili i detyron gratë për të pasur rregullisht seks me bashkëshortët.

Ushtar gjerman i ISAF-it në Afganistan.
Merkel konstatoi se megjithë vështirësitë në terren, ka edhe suksese. Ajo lëvdoi bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet afganase.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Amendamentet i kanë vajtur tashmë parlamentit, tha Karzai, i cili e falenderoi kancelaren për mbështetjen: "Ju sjell përshëndetje dhe mirënjohjen e popullit afgan për gjithçka, që ka bërë Gjermania në shtatë vitet e fundit për Afganistanin, në përgatitjen e policisë afgane dhe të ushtrisë, në rindërtimin dhe zhvillimin e Afganistanit, në mbështetjen për përkujdesjen shëndetësore, për arsimin dhe administratën. Ju falenderoj, që me ushtarët tuaj dhe me paratë e taksapaguesve tuaj, ju keni ardhur tek ne, për të përmirësuar shanset për të ardhmen e popullit afgan."

Atje ku trupat e ISAF-it drejtohen nga ushtarët gjermanë, atje popullsia afgane mund të tregojë më shumë prezencë, se sa në provincat e tjera, theksoi Karzai. Presidenti afgan lëvdoi angazhimin e forcave speciale gjermane, si pasojë e të cilit javën e kaluar u arrestua një i dyshuar terrorist i rangut të lartë. Karzai nuk deshi të komentonte faktin që personi në fjalë mbante një post të lartë qeveritar.

Merkeli dhe Karzai u treguan të shqetësuar për gjendjen dramatike në Pakistan, ku Talibanët vazhdojnë të avancojnë dhe ku luftimet me trupat qeveritare, kanë shkaktuar një largim masiv të popullatës nga lugina Swat.

Autor: Betina Marks / Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama