1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania e bashkuar dhe roli i saj në BE

Bernd Riegert29 Shtator 2015

Roli, që luan Gjermania e bashkuar në Evropë është vështirë të përshkruhet dhe ai është vazhdimisht në ndryshim. Një supramaci modeste apo elefant i etur për pushtet në Evropën "dyqan qelqurinash"?

https://p.dw.com/p/1GfDO
Symbolbild Deutschland Europa Flagge
Fotografi: picture-alliance/dpa

25 vjet pas ribashkimit Gjermania është ende "një supremaci e pavendosur përkundër dëshirës", mendon Sasha de Wijs, punonjës në think tankun "Crisis Action" në Bruksel. Gjermania është në rradhë të parë e fortë, sepse fqinjët e saj janë kaq të dobët. Që në vitin 2013 revista britanike "The Economist" shkruante se Gjermania është një fuqi kundër dëshirës, e cila duhet të sjellë më shumë. "Evropa është gjermane", shkruan nga ana tjetër korrespondenti i gazetës së përditshme të Brukselit "TAZ", Eric Bonse. Ai i referohet ndikimit të madh, që kanë gjermanët në institucionet evropiane, si Komisioni BE-së, Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti. Ndërsa ish-ministrja franceze për çështje evropiane Noelle Lenoir nuk është në gjendje të dallojë një "superioritet gjerman" në Evropë. "Kancelarja gjermane Angela Merkel është ndoshta kryeministrja më proevropiane, që ekziston sot në Evropë. Ajo është në gjendje të bëjë në rradhë të parë kompromise duke marrë parasysh Francën", tha Lenoir së fundi në kanalin televiziv francez France24.

Gjermania dhe Franca, si një çift i pazëvendësueshëm

Tradicionalisht tendem franko-gjerman është thelbi i integrimit evropian dhe forca lëvizëse e zhvillimeve të reja. Por në këtë tandem aktualisht Gjermania është në timon, beson deputeti gjerman Elmar Brok. Kjo nuk është kështu, sepse Gjermania do me të vërtetë, por sepse Franca është ekonomikisht më e dobët dhe e zënë me reformat e brendshme, thotë Elmar Brok. Ai kryeson Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe ka qenë që para ribashkimit deputet në Strasburg. "Unë besoj se ne nuk na pëlqen të udhëheqim të vetëm. Prandaj shpresojmë shumë që Franca do të vijë përsëri në formë të plotë. Është shpesh më e lehtë nga ana psikologjike, kur i bën gjërat vetë i dytë, siç ka qenë shpesh rasti në të kaluarën. Unë besoj se këtu zhvillimi ekonomik i Francës duhet të jetë pozitiv, që ne mund ta perceptojnë këtë rol të udhëheqjes së dyfishtë", tha për DW Broku me përvojë. Përveç kësaj është e rëndësishme që të përfshihet edhe Polonia si partner i tretë në ekipin e udhëheqjes.

Frankreich - Krisentreffen Griechenland Angela Merkel und Francois Hollande
Angela Merkel dhe Francois HollandeFotografi: Getty Images/B. Guay

Anëtarësi e menjëhershme në BE për gjermanolindorët

Shqetësimet fillestare të disa shteteve anëtare si Franca dhe Gjermania kundër ribashkimit të Gjermanisë në Bruksel mbahen mend pak. Kjo nuk luan më rol në të përditshmen politike. Anëtarësia në Bashkimin Europian qytetarëve të RDGj-së u ra në prehër brenda natës në vitin 1990 si pasojë e bashkimit me RFGj-në. Nuk pati nevojë për bisedime për pranimin dhe procedura të tejzgjatura, kujton nëpunësi i dikurshëm i Komisionit Evropian, Carlo Trojan. Ai ka qenë pjesëmarrës në bisedimet ndërmjet Bonit dhe Berlinit për traktatin e marrëveshjes në vitin 1990. Që në qershor 1990 BE miratoi pranimin e popullsisë së RDGj-së në BE, i cili quhej akoma Komuniteti Evropian. Në të njëjtën kohë në samitin e Dublinit të vitit 1990 nisi zhvillimi i një bashkimi monetar dhe i një bashkimi politik. Formula e shkurtër: Euro ishte shpërblimi i gjermanëve për bashkimin.

"Ne jemi vend i madh e për këtë arsye nuk duhet të japim mend"

Në krizat aktuale për Euron Greqinë dhe Ukrainën dhe tani refugjatët Gjermania jep vazhdimisht tonin. Sidomos epërsia në politikën ekonomike dhe fiskale bën që klisheja e gjermanit të urryer të përsëritet sërish. Pllakatat në Greqi dhe Itali, që tregonin kancelaren gjermane Merkel në uniformë SS apo si kundërfigurën e Hitlerit, e dëshmojnë këtë. Me politikën e saj të kursimit Gjermania përçan Evropën.

Deputeti kristiandemokrat evropain Brok këshillon modesti: "Ne duhet të kemi vetëm kujdes, që si vend i madh të mos e shprehim këtë vazhdimisht, sepse kjo do të kishte pastaj si rrjedhojë mosbesimin e të tjerëve. Ne nuk duhet t'u japim atyre gjithmonë mend. Këtë duhet ta kemi përherë parasysh."

Elmar Brok Abgeordnete des Europarlaments
Eiroparlamentari gjerman Elmar BrokFotografi: CW/A. Sawizkiy

"Gjermania duhet të jetë e fortë në drejtim"

Po si e sheh këtë një përfaqësues i një vendi të vogël? Ish-kryeministri belg Guy Verhofstadt i tha DW se Gjermania mund të jetë pa teklif më ambicioze në Evropë dhe më energjike. "Ndoshta e kemi humbur pak këtë që pas ribashkimit.

Gjermania mori rolin udhëheqës duke thënë se duhet të çojmë përpara integrimin e kontinentit evropian. Kjo ka qenë gjithmonë detyra historike e Gjermanisë në fund të shekullit të 20-të. Unë shpresoj se Gjermania do ta vazhdojë atë. Ne kemi nevojë për personalitete udhëheqëse gjermane", mendon belgu Guy Verhofstadt, i cili drejton tani grupin liberal në Parlamentin Evropian.

Belgien EU Europaparlament Guy Verhofstadt
Europarlamentari belg Guy VerhofstadtFotografi: FREDERICK FLORIN/AFP/Getty Images

Defiçite në rolin gjerman në Evropë politikani për çështje të politikës së jashtme Elmar Brok sheh sidomos në politikën e përbashkët të jashtme të Gjermanisë dhe Francës: "Unë besoj se ne kemi nevojë për një koordinim më të mirë të strategjisë. Francezët janë shumë të interesuar për Afrikën, janë shumë më tepër të interesuar për Mesdheun. Ata janë më të gatshëm dhe më të aftë për të marrë ushtarakisht drejtimin. Kjo është ajo që ne kemi nevojë për të diskutuar së bashku, për të zhvilluar një strategji të përbashkët në kontekstin e Evropës. "Në krizën Ukrainë-Rusi është vënë në dukje ky bashkëpunim", vë në dukje Noelle Lenoir. "Merkel dhe Presidenti Hollande bashkëpunojnë mirë", thotë Lenoir në transmetuesin francez France24. Megjithatë tandemit franko-gjerman i mungon një objektiv i qartë, se ku do të shkojë projekti Evropian në të ardhmen.

Të guxojmë për të ecur më shpejt përpara

Kështu mendon edhe ish-kryeministri belg Guy Verhofstadt. Ai ankohet për mungesën e një vizioni afatgjatë për Europën. "Gjithmonë ecet vetëm hap pas hapi përpara. Por hap pas hapi është shumë pak, në qoftë se keni të bëni me krizën e Euros apo krizën e refugjatëve. Gjithmonë mbetesh prapa. Nganjëherë duhet të guxosh të bësh një hap të madh përpara. Kjo vlen në jetën private, kjo vlen edhe për organizatat mbinacionale si Evropa."