1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania financon përafrimin e kuadrit ligjor për noterinë në vendet e Ballkanit Perëndimor

8 Maj 2009

Kuadri ligjor per Noterinë është pjesë e reformave në Drejtësi, që kanë ndërmarrë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që kanë hyrë në procesin e integrimit europian.

https://p.dw.com/p/Hls2
Gjykata, Tiranë
Gjykata, TiranëFotografi: Mimoza Dhima

Mimoza Sadushi, kryetare e Dhomës Kombëtare të Noterisë në Shqipëri, e konsideron përafrimin e kuadrit ligjor të noterisë në nivel rajonal, një bazë solide për lehtësimin dhe përshpejtimin e marrëdhënieve juridike mes vendeve të rajonit. Ndër këto marrëdhënie ajo veçon si më të ndjeshmet për qytetarët përmbarimin, të drejtën e trashëgimisë, atë tregëtare dhe familiare. Gjithë procesi i përafrimit të këtij kuadri ligjor ka si parakusht të domosdoshëm profesionalizmin: "Të gjitha vendet e rajonit duhet të synojnë të kenë një noteri profesionale, të saktë, ligjet e noterisë duhet të jenë ligje që t’i përshtaten legjislacionit të BE, ku Shqipëri edhe vendet e tjera të rajonit synojnë të integrohen," thotë Mimoza Sadushi.

Për të arritur këtë qëllim madhor Dhomat Kombëtare të Noterisë në Bosnjë Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni dhe Shqipëri, kanë marrë nismën për te aplikuar në sistemet e tyre noteriale modelin apo Ligjin Latin të Noterisë. Argumenti bazë pse pikërisht këtë model dhe jo një tjetër është përdorimi i tij në 22 nga 27 vendet e BE. Preferenca bazohet në vëmendjen që modeli Latin i noterisë i kushton kujdesit parandalues jashtë gjyqësorit, respektimit të shtetit të së drejtës, sigurisë ligjore dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Nisma në fjalë mbështetet financiarisht nga Agjensia Gjermane për Bashkëpunim Teknik, GTZ, përmes Fondeve të Hapura Rajonale, të siguruara nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim. Në procesin e përafrimit të kuadrit ligjor për noterinë dhe zbatimit të Ligjit Latin, vendet e rajonit ndodhen në faza të ndryshme. Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë tanimë përvoja të pasura, Mali i Zi, Bosnjë- Hercegovina, Kosova janë në fazat e para të ngritjes së sistemit noterial, kurse Serbia ndodhet në fazën e miratimit të kuadrit ligjor. Por e rëndësishme është që ecuria e deritanishme e këtij procesi po bëhet në shinën e duhur. " Noteritë e vendeve të rajonit kanë ecur shumë mirë. Kroacia, Bosnja. Ligji i noterisë në Kosovë është shumë i mirë, po kështu edhe ligji serb" thotë Mimoza Sadushi

Për Shqipërinë çështje prioritare mbetet hartimi i një ligji të ri të noterisë

Një projektligj i miratuar nga qeveria, vitin e kaluar, është bllokuar dhe nuk ka kalaur në Parlament. Dhoma Kombëtare e Noterëve dhe ekspertë ndërkombëtarë, që asistojnë Shqipërinë në reformimin e sistemit të drejtësisë, kanë kundërshtuar fort liberalizimin e noterisë, të parashikuar në këtë projektligj.

"Në asnjë vend të rajonit nuk është shtruar problemi i liberalizimit të noterisë. Shqipëria është i vetmi vend që e diskuton ketë problem në të gjjitha takimet rajonale. Mendoj se kjo është thjesht ide e qeverisë për të futur liberalizimin kudo, në çdo profesion. Por qeveria nuk ka kuptuar drejt faktin që noteria është një profesion që nuk mund t’i nënshtrohet liberalizimit. Noteria nuk i nënshtrohet ligjeve të konkurrencës, të ekonomisë së tregut. Në të gjitha vendet europinae por edhe në pjesën më të madhe të vendeve të botës, noteri gëzon reputacionin e një personi që jep siguri, besim dhe garanci ligjore. Nëse bëhet liberalizimi i noterisë, do të humbë ideja e njeriut të besuar. Nëse kjo ndodh , atëhere ku do ta gjejë njeriun e besuar shteti, komuniteti, shoqëria që sot e gjen tek noteri?" ngre pyetjen Mimoza Sadushi.

Të tillë noterë, njerëz që japin garanci ligjore dhe besim, Shqipëria ka 310 noterë, nga të cilët vetëm në Tiranë 120. "Tirana është e mbingarkuar me noterë për numër popullsie. Kosova, Maqedonia, Kroacia kanë një noter për 20 mijë banorë kurse në Tiranë ka një noter për 5-6 mijë banorë. Liberalizimi ka ndodhur "de facto" edhe pse jo "de jure" thotë Mimoza Sadushi

Burime zyrtare konfidenciale nga misioni i asistencës së BE për Shqipërinë në reformën në drejtësi, mision i njohur me inicialet EURALIUS thanë për DW se: "problemi më i madh gjithë sistemin e drejtësinë,në Shqipëri është mungesa e profesionalizmit". Liberalizimi i noterisë, për Mimoza Sadushin rëndonte situatën. Ajo thotë se kriteret e pranimit te noterève sipas projektligjit të bllokuar nuk janë të rrepta. Çdo jurist që ka 5 vjet punë mund të futet në provim për t’u bërë noter. Pyetjet e provimit hartohen dhe miratohen nga Ministri i Drektësisë dhe Dhoma Kombetare e Noterëve, nuk merr pjesë. Rotacioni i pushtetit, ndryshimi i Ministrave nuk pëjashton edhe ndryshimin e kritereve të pranimit për ata juristë qe synojne noterinë. " Projektligji për momentin është i bllokuar. Nevoja për hartimin e një ligji të ri të noterisë ekziston. Ekspertët ndërkombëtarë janë gati të japin ndihmesën e tyre. Po kështu edhe Unioni Ndërkombëtar i Noterëve, ku bën pjesë edhe Shqipëria, ka premtuar ndihmën e tij me ekspertët më të mirë të fushës për të hartuar një ligj në përputhje jo vetem me kuadrin ligjirte rajonit, por edhe sipas standarteve evropiane." thotë Mimoza Sadushi.

Këtij synimi do t’i shërbejë edhe organizimi në filim të kësaj vjeshte i një Forumi rajonal ku do të ketë dialog politik për harmonizimin e kuadrit ligjor për noterinë.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama