1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania fiton festivalin Eurovision 2010

30 Maj 2010

Lena Meyer-Landrut quhet fituesja e Eurovisionit 2010. 19-vjeçarja nga Gjermania mahniti miliona evropianë me këngën e saj "Satellite".

https://p.dw.com/p/Nd60
Si një satelit - Lena Meyer-Landrut
Si një satelit - Lena Meyer-LandrutFotografi: EBU

Eshtë hera e dytë në historinë e këtij festivali tradicional evropian, që Gjermania fiton vendin e parë. 19-vjeçarja nga Hannoveri, Lena Meyer-Landrut, arriti të bindë miliona teleshikues në mbarë Evropën me tingujt e këngës së saj me një rezultat mahnitës: 246 pikë.

Kënga "Satellite" ishte që përpara festivalit të Eurovision-it një hit në Gjermani. "Jam shumë e lumtur që arritëm vendin e parë", tha Lena pas shpalljes së votave."Ju falenderoj, kjo është absolutisht një mrekulli, nuk mund të jetë reale."

Brohorima gëzimi e festë në Gjermani

Lena Flash-Galerie
Fotografi: picture alliance/dpa

Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, mijëra teleshikues nga Gjermania brohoritën e festuan nëpërmjet ekranit televiziv me star-in e tyre.

Në fakt Lena duhet të përgatitej për provimet e maturës. Por ajo e shtyu përkohësisht mësimin, sepse donte të këndonte patjetër. Suksesi dëshmoi se 19-vjeçarja morri vendimin e duhur. Sidoqoftë tani, menjëherë pasi të kthehet në Gjermani, ajo do t'u rikthehet librave të shkollës.

125 milionë teleshikues nga mbarë Evropa

Kostume ekstravagante si edhe drita e efekte pafund e kthyen festivalin e Eurovizionit në Arenën Telenor pranë Oslos, në një spektakël të vërtetë. 25 vende nga Evropa morrën pjesë në të. Turqia morri vendin e dytë, e ndjekur nga Rumania. Në vendin e katërt u rradhit Danimarka, në të pestin Azerbajxhani.

Shqipëria në vendin e 16-të

Juliana Pasha - "It's all about you"
Juliana Pasha - "It's all about you"Fotografi: picture-alliance/dpa

Shqipëria morri pjesë me Juliana Pashën dhe këngën "It's all about you" (Nuk mundem pa ty). Megjithëse arriti të marrë vetëm vendin e 16-të, Pasha dëshmoi me zërin e saj kumbues dhe paraqitjen sovrane në skenë, se Shqipëria është ndërkohë një vend pjesëmarrës i denjë për spektakle të tilla si Eurovisioni.

Autore: Sonila Harasani/dpa

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi