1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania interesohet për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Bekim Shehu
23 Nëntor 2016

Drejtori për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Christian Hellbach, zhvilloi takime në Prishtinë me drejtuesit më të lartë të Kosovës.

https://p.dw.com/p/2T7yy
Kosovo Christian Hellbach bei Hashim Thaci
Fotografi: Kosovo presidency

Drejtori për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Christian Hellbach, shprehu në Prishtinë (23.11) domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e këtij procesinga Bashkimi Evropian. "Normalizimi i marrëdhënieve është e vetmja rrugë për të ecur përpara”, citon zotin Hellbach një komunikatë e lëshuar nga presidenca pas një takimi me dyer të mbyllura që Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, zhvilloi me Drejtorin për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme gjermane, Christian Hellbach.

"Në këtë takim është folur edhe për domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, por edhe dialogun e brendshëm ndërmjet institucioneve dhe komunitetit serb”, thuhet në njoftimin e presidencës, duke shtuar se zoti Hellbach, është shprehur se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha fushat.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se mbështetja e Gjermanisë për Kosovën vazhdon të jetë jo vetëm në politikën e jashtme por edhe përmes mbështetjes financiare në sektorë të ndryshëm.

"Gjermania mbetet një partner shumë i rëndësishëm i Kosovës drejt rrugës euroatlantike. E kam informuar zotin Hellbach, për ndryshimet që kanë filluar të bëhen në amendamentin e Kodit Penal që të konsolidojmë edhe më tutje sundimin e ligjit në Kosovë. Po ashtu institucionet e sigurisë në Kosovë muajt e fundit kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në parandalimin e pjesëmarrjes së të rinjve në zonat e luftës, si dhe në parandalimin e një sulmi terrorist”, thotë Presidenti Hashim Thaçi.

Drejtori i Qeverisë gjermane për evropën juglindore Christian Hellbach gjatë qëndrimit në Prishtinë ka takuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me të cilin bisedoi edhe për demarkacionin me Malin e Zi dhe çështjen e themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këto dy çështje tash e më shumë se një vit e kanë futur skenën politike kosovare në një përplasje ndërmjet pozitës dhe opozitës ku në disa raste ka pasur edhe dhunë në rrugë dhe brenda parlamentit.

"Kosova është duke kaluar nëpër një fazë mjaft sfiduese, me çështje që duhet të adresohen sa më shpejt, në mënyrë që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen. Kosova është e përkushtuar t'i kryej obligimet që ajo ka para vetes”, tha Kadri Veseli.

Gjermania mbetet e angazhuar në Kosovë me trupat gjermane në kuadër të KFOR-it si dhe me investime në infrastrukturë në sektorin e energjisë dhe ujërave. Sipas Ambasadës Gjermane në Prishtinë, që nga përfundimi i luftës, Gjermania ka investuar në Kosovë afro 500 milion Euro.