1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Haindl i mirëpritur në Maqedoni

6 Maj 2016

Gjermania ofron ndihmë në zgjidhjen e krizës maqedonase me emërimin e përfaqësuesit special për Maqedoninë, Johannes Haindl. Vendimi përshëndetet si një shtysë në drejtim të zgjidhjes së krizës.

https://p.dw.com/p/1Iiwf
Diplomat Johannes Haindl
Fotografi: picture alliance/CTK/Horazny/Sterba

Ambasadori amerikan në Maqedoni Jess. L . Baily dhe ai i Bashkimit Evropian, Aivo Orav marrin përforcim në misionin e tyre ndërmjetësues për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka bërë zyrtare emërimin e përfaqësuesit special për Maqedoninë për zgjidhjen e krizës politike. Bëhet fjalë për ambasadorin Johannes Haindl, i cili do të duhet të koordinojë aktivitetet së bashku me SHBA-në dhe BE-në në procesin e ndërmjetësimit të bisedimeve midis katër liderëve të partive politike në Maqedoni për dalje nga kriza.

Malevski: Lajm i mirë nga Berlini për Maqedoninë

Me emërimin e përfaqësuesit special, Gjermania ndërmerr një diplomaci më ofensive në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Analistët për çështje ndërkombëtare lajmin për emërimin e të dërguarit special gjerman për krizën në Maqedoni e kanë vlerësuar si lajm të mirë për Maqedoninë nga Berlini. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Denko Malevski, thotë se emërimi i të dërguarit special gjerman në Maqedoni jep një mesazh të fortë se në Gjermani ekziston interes shtetëror për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Mazedonien Skopje Jess Bailey (r) US Botschafter
Ambasadori amerikan në Shkup, Jess L. BailyFotografi: DW/P. Stojanovski

Me këtë hap Gjermania dëshmon se është një nga vendet me më përgjegjësi për stabilitetin e kontinentit të Evropës, për proceset e bashkimit të saj, por në të njejtën kohë edhe për unitetin e Bashkësisë Evropiane. Një Maqedoni jostabile dhe jodemokratike, e cila ka probleme të hapura me fqinjët e saj është në kundërshtim me vizionin gjerman për Europën, vlerëson Malevski. “Gjermania është forcë e madhe, ndërsa për zgjidhjen e çfarë do lloj krize vendore apo ndërkombëtare është më se e nevojshme ndërhyrja dhe angazhimi i një force të madhe, siç është në rastin konkret Gjermania”, shprehet Denko Malevski.

Selimi: Gjermania ka çfarë t'i ofrojë Maqedonisë

Gjermania po merr një rol më aktiv në Ballkan e në veçanti në Maqedoni. Që nga fillimi i krizës, diplomacia e BE-së nuk arriti të përdorë “shkopin dhe karrotën” për politikanët e Maqedonisë, vlerëson analisti Selim Ibrahimi. Zgjidhja e krizës politike në Maqedoni kërkon ndërmjetës dhe vëzhgues ndërkombëtarë sepse në të kundërtën nuk do të ketë rezultate. Gjermania si forcë kryesore, pa bagazhin burokratik të Brukselit ka çka ti ofrojë koncertit të ri ballkanik”, thotë Selim Ibrahimi.

Malina Ristevska, eksperte për çështje evropiane, ndan mendimin se prezenca më e theksuar e diplomacisë gjermane në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, do t'i japë asaj një kahje tjetër pozitive. “Përkushtimi diplomatik e forcon praninë e BE-së në Maqedoni. Në esencë, nëse çështja e krizës nuk zgjidhet atëherë ajo do të shkojë duke u komplikuar edhe më shumë”, vlerëson Ristevska.

Mazedonien Protest vor dem Verfassungsgericht in Skopje
Protesta qytetare para Gjykatës KushtetueseFotografi: DW/P. Stojanovski

Ndërmjetësimi ndërkombëtar më se i nevojshëm për Shkupin

Për analistin Muhamed Jashari, Gjermania ka luajtur një rol kyç në shumë vatra të krizës ndërkombëtare, si në Ukrainë. Sipas tij, emërimi i përfaqësuesit special gjerman për Maqedoninë është një hap, i cili më shumë se kurrë i nevojitet skenës politike të Maqedonisë. Për Europën më e rëndësishme është që në Maqedoni të ketë zgjidhje të ngërçit politik se sa të vendosen sanksione. “Krizat në Europë gjithnjë e më tepër ilustrojnë fuqitë e politikës së jashtme të Gjermanisë, në këtë drejtim Berlini jashtëzakonisht mirë përdor dy elemente të fuqisë, atë diplomatik dhe atë të ekonomisë”, shprehet Jashari.

Intervenimi gjerman në kohë të duhur

Emërimi i një diplomati me besim, i njohur për nga transparenca, i qartë e i hapur në komunikim me politikanët, është një tregues për Gjermaninë se si ajo e koncepton zgjidhjen e krizës në Maqedoni, thotë ish-ambasadori i Maqedonisë Arsim Zekolli. Ky emërim, sipas tij ka ardhur në momentin e duhur sepse pas dështimit të takimit të Vjenës, në Shkup nuk ka lëvizje në procesin e zgjidhjes së krizës politike. “Angazhimi i të dërguarit special të Gjermanisë në Maqedoni është lajm i mirë për qytetarët e Maqedonisë, sepse kjo jep shpresë që zëri i tyre do të dëgjohet dhe do të merret në konsideratë si në Gjermani po ashtu edhe në BE”, thotë Zekolli. Gjermania që nga pavarësia e Maqedonisë e ka mbështetur atë në rrugëtimin e saj drejt rrugës euroatlantike. Midis dy vendeve ka programe të shumta bashkëpunimi ndërsa vëllimi tregtar mes dy vendeve para një viti ishte 2 miliardë euro.

Autor : Fatos Musliu