1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania para recesionit?

Dirk Kaufmann/Elert Ajazaj31 Korrik 2012

Atmosfera në ekonominë gjermane po keqësohet, porositë nga jashtë vendit po bien në mënyrë dramatike, firma të mëdha vendosin të punohet më pak. A gjendet ekonomia në Gjermani para një recesioni?

https://p.dw.com/p/15hAs
Fotografi: Fotolia/K.F.L.

Ndaj pyetjes, se si e vlerësojnë gjendjen e tyre ekonomike aktuale, gjithnjë e më shumë sipërmarrës gjermanë përgjigjen me: jo aq të mirë. Dhe një numër i tyre sa vjen e në rritje thotë se nuk presin gjë të mirë nga e ardhmja. Instituti për kërkime ekonomike nga Mynihu, ifo, pyet çdo muaj rreth 7.000 sipërmarrës gjermanë dhe llogarit më pas "indeksin e klimës së biznesit". Drejtori i institutit, Hans-Werner Sinn, e përmblodhi javën e kaluar studimin aktual me këto fjalë: "Kriza e euros ushtron gjithnjë e më shumë ndikim negativ mbi koniunkturën në Gjermani."

A do të demosntrojnë njerëzit së shpejti edhe në Gjermani si këtu në Barcelona
A do të demosntrojnë njerëzit së shpejti edhe në Gjermani si këtu në BarcelonaFotografi: dapd

Kur indikatorët e butë kthehen në të fortë …

Deri tani në ekonominë gjermane shihen vetëm "vrenjtje", thotë në bisedë me Deutsche Welle-n Heiko Peters, analist në bankën Deutsche Bank. Njëherë, një barometër atmosfere si treguesi i klimës së biznesit është një "indikator i butë". Dhe aktualisht "përkeqësimi nuk shfaqet ende te indikatorët e fortë të koniunkturës, si prodhimi, hyrja e porosive dhe xhirot në shitjet te konsumatori."

Mirëpo, në rast se atmosfera nuk përmirësohet sërish, atëherë kjo gjë do të pasqyrohet së shpejti edhe te këta tregues të fortë; në fund të fundit edhe Gjermania e ndjen depresionin evropian, thotë Peters. Kjo mund të ndodhë në të ardhmen e afërt, shton ai, pasi Deutsche Bank pret që koniunktura gjermane "të shfaqet më e dobët" në gjysmën e dytë të vitit.

E varur nga eksporti

Në eksporte ish-"kampionia e botës", Gjermania, ka rënë ndërkohë në vendin e tretë. Sikur të ishte fjala për një disiplinë olimpike, atëherë do të fitonte medalje të bronztë. E me të vërtetë eksporti është për Gjermaninë ende një motor koniunkture vendimtar. Rudolf Hickel, drejtor i Institutit për Punën dhe Ekonominë në Universitetin e Bremenit, paralajmëron se "ndikimi negativ mbi eksportet e prek ekonominë deri në rezerva".

Heiko Peters i Deutsche Bank sheh ndërkohë shenjat e para për një gjë të tillë, sepse "40 për qind e eksporteve gjermane shkojnë në vende të eurozonës, dhe atje kërkesa po bie qartazi". Për profesorin nga Bremeni, Hickel, kjo nuk përbën kurrfarë surprize. "Atje njerëzit kanë gjithnjë e më pak para për konsum, në ekonomi nuk investohet më: kërkesa bie e kësisoj edhe importet e mallrave dhe të shërbimeve nga Gjermania."

Rudolf Hickel nuk është "i befasuar"
Rudolf Hickel nuk është "i befasuar"Fotografi: Universität Bremen

Por deri tani, thotë Heiko Peters, depresioni ekonomik në vendet jugore të eurozonës nuk ka mbërritur ende në Gjermani, sepse "së fundi kërkesa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Kina ka qenë relativisht e madhe". Mirëpo, kjo po ndryshon, vijon ai, pasi ngadalësimi i rritjes ekonomike në Kinë dhe ngecja në SHBA i vështirësojnë qysh tani eksportet gjermane në këto vende.