1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania preket nga planet e NATO-s për kursime

10 Qershor 2011

Ministrat e mbrojtjes të 28 vendeve anëtare të NATO-s kanë përfunduar të enjten (9.6.) konsultimet dyditore. Në qendër të vëmendjes ishte tërheqja e trupave nga Afganistani dhe reformat e strukturës komanduese.

https://p.dw.com/p/11XgO
Takimi në BrukselFotografi: picture alliance/dpa

NATO-ja synon që çështja e sigurisë në Afganistan të kalojë sa më parë në duart e afganëve. Vendet që kanë ushtarët e tyre në misionin ISAF kanë gjithnjë e më shumë vështirësi të brendshme politike. Ndërkohë që si problem i madh paraqiten edhe kursimet e domosdoshme. Edhe ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière mbështetë planet për tërheqje.

„Qëndrimi jonë nuk ka ndryshuar: ne duam që misionin tonë në Afganistan të përfundojmë deri në vitin 2014. Në Afganistan më pas do të ketë një prezencë tjetër, sepse Afganistanin nuk do ta lëmë të vetmuar. Për Gjermaninë mbetet në fuqi edhe vendimi që tërheqja të fillojë në fund të këtij viti apo në fillim të vitit tjetër. Por gjithmonë duke pasur parasyshë edhe gjendjen aktuale në këtë vend“, tha ai.

NATO Verteidigungsminister Brüssel Belgien Treffen
Fotografi: AP

Ministrat shpresojnë që trupat amerikane të mos tërhiqen shpejt

De Maizière dhe disa kolegë të tij megjithatë kërkojnë që tërheqja të mos jetë e përshpejtuar, në veçanti e amerikanëve, të cilët kanë kontigjentin më të madh atje. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen mendon se kjo frikë është e pabazë.

„Nuk do të ketë ndonjë ikje pa krye. Kjo është konfirmuar edhe sot. Përkundrazi, partnerët në ISAF duan të përfundojnë obligimet e tyre në këtë vend. Tërheqja do të diktohet jo nga afatet kohore, por nga nevojat në këtë vend", pohon ai.

Ministri amerikan i Mbrojtjes Robert Gates premtoi se vendi i tij nuk do të ngutet me tërheqje nga Afganistani. Por ai nuk u përmbajt pa hedhur gurë në drejtim të qëndrimit të disa vendeve ndaj Libisë, ku deri tani janë angazhuar vetëm gjysma e vendeve të NATO-s. Gates mendon se Franca dhe Britania e Madhe kanë nevojë për ndihma në këtë mision.

Amerikanët e (pa)kënaqur

NATO Verteidigungsminister Brüssel Belgien Treffen
Gates i paknaqurFotografi: AP

„Ne do të jemi së bashku me partnerët tanë deri në fund dhe besoj se do t'ia dalim. Por shtrohet pyetja pse vendet që kanë mundësi, nuk po ndihmojnë në këtë mision?", tha ai.

Gates mendon këtu edhe për Gjermaninë. Ministri de Maizière përsëriti se Berlini nuk do të marrë pjesë në këtë mision, por nuk përjashtoi mundësinë që pas Gaddafit të marrë pjesë në ndonjë mision ushtarak me mandatin e OKB-së. Ai shpreson se do të gjendet ndonjë zgjidhje politike. Në rast të kundërt duhet shqyrtuar të gjitha mundësitë tjera.

De Maizière konfirmoi se Gjermania do të preket nga planet e NATO-s për kursime. Pa punë do të mbeten qindra njerëz në komandën në Heidelberg, ndërsa komanda në Ramstein do të mbetet e paprekur. Megjithatë de Maizière foli me fjalë pozitive për reformat e parashikuara.

„Unifikimi i strukturës komanduese të NATO-s është një sukses i madh. Do të hiqen shtabe dhe qendra komanduese dhe do të largohen njerëz nga puna, por aftësia komanduese do të rritet. Gjëra të ngjashme kemi bërë edhe ne në Budesver, që është një kontribut shumë i madh."

Me këtë duket se ai po përgatitë opinionin edhe për mbylljen e disa qendrave të Bundesverit në Gjermani.

Autor: Christoph Hasselbach / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti