1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania së shpejti do të ratifikojë MSA-në me Shqipërinë

A. Shuka/Berlin25 Shtator 2008

Komisioni i jashtëm i Bundestagut dha dritën e gjelbër për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/FOFQ
Karl-Theodor zu Guttenberg
Karl-Theodor zu GuttenbergFotografi: Anila Shuka

Komisioni i parlamentit gjerman për punë të jashtme miratoi të mërkurën rekomandimin për kalimin në parlament të projektligjit përkatës me votat e socialdemokratëve, unionistëve, liberalëve dhe të gjelbërve. Deputeti kristiansocial, Karl Teodor cu Gutenberg(Theodor zu Guttenberg) e vlerësoi pozitivisht vendimin.

"Është një hap i mirë të cilin e mbështesim, por ai kërkon nga të dyja palët të realizojnë detyrat e shtëpisë e kjo vlen edhe për Shqipërinë", i tha ai Deutsche Welles. "Për mua ka shumë rëndësi që të bëhen përparime në sektorin e bashkëpunimit në nivel rajonal dhe në forcimin e shtetit ligjor, përçka jam optimist," shtoi ai.

Vetëm Të Majtët votuan kundër. Qeveria gjermane e kishte prezantuar projektligjin për herë të parë më 19 qershor të këtij viti. Parlamenti e pati kaluar çështjen, sipas procedurës rutinë në komisionet përkatëse. Se kur do të vendoset Shqipëria në rendin e ditës së parlamentit gjerman, kjo nuk është përcaktuar ende. Mbas kalimit në parlamentit projektligji duhet të kalojë edhe në Këshillin Federal. Burime diplomatike nga Berlini parashikojnë që marrëveshja të ratifikohet brenda këtij viti.

Gjermania është një ndër tri vendet e fundit, krahas Greqisë dhe Francës, që nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Shqipërinë. Ratifikimi i marrëveshjes së sigluar në qershor të vitit 2006 do t'i hapte rrugën Shqipërisë për të marrë statusin e kandidatit.