1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

181109 Europäischer Auswärtiger Dienst

19 Nëntor 2009

Presidentët dhe kryeministrat e vendeve të BE-së mblidhen të enjten në mbrëmje në një samit të posaçëm për të biseduar për emërimeve në Komisionin Evropian. Vëmendja është përqënduar tek zgjedhja e ministrit të jashtëm.

https://p.dw.com/p/Kavh
Ministri i Jashtëm i BE-së, do të duhet të marrë detyrën me 1 dhjetor.
Ministri i Jashtëm i BE-së, do të duhet të marrë detyrën me 1 dhjetor.Fotografi: Fotomontage/DW

Ministri i Jashtëm i BE-së, do të duhet të marrë detyrën me 1 dhjetor, kur të hyjë në fuqi Marrëveshja e Lisbonës. Detyra e tij do të jetë shumë e vështirë sepse shtetet anëtare të BE-së duhet të flasin me një zë, por pa i prekur kompetencat e shteteve anëtare.

Qëllimi i BE-së është që në të ardhmen të gjitha aktivitetet në politikën e jashtme të vendosen nën një kulm. Punët e deritanishme në Këshill dhe në Komision duhet të bashkohen me qëllim që sektori i punëve të jashtme dhe i sigurisë të ketë një strukturë më të mirë. Në ekip do të bëjnë pjesë edhe përfaqësuesit i shërbimeve të jashtme nga të gjitha 27 vendet anëtare.

Havier Solana, Përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Havier Solana, Përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë.Fotografi: AP

Deri në ndërtimin e "Shërbimit të Jashtëm Evropian" do të kalojnë edhe ca vite, por Cristina Gallach, zëdhënëse e shefit aktual të diplomacisë evropiane, Javier Solana, mendon se ia vlenë të angazhohesh. "Në këtë mënyrë do t'i koordinojmë më mirë aktivitetet politike dhe resurset që kemi. Ndonëse të gjithë jemi pjesë e BE-së, ndërlidhja nuk është gjithmonë e mirë. Prandaj aksionet nuk janë të koorduara si duhet dhe shkojnë njëri pas tjetrit".

BE-ja duhet të flasë me një zë

Strukturat e dyfishta duhet të tejkalohen, ndërsa BE-ja duhet të flasç me një zë - zërin e pasardhësit të Javier Solanës, ministrin e ardhshëm të jashtëm. Por për shkak të disa kundërshtimeve, në radhë të parë të britanikëve, në këtë moment ai as që mund të quhet ministër i Jashtëm. Titulli zyrtar i tij është: "Përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së.”

Franziska Brantner, zëdhënëse e ekologjistëve për politikë të jashtme në Parlamentin Evropian, thotë se ky nuk është problemi kryesor. Shumë më të rëndësishme janë çështjet se: "A do të jetë ai një person me njohuri për politikën e jashtme moderne, sa është në gjendje të përballet me egoizmat nacionalë, sa është në gjendje t'i zbatojë iniciativat e veta dhe a mund të shkojë vetë përpara. Nga këto çështje varet se si do të funksionojë Shërbimi i Jashtëm."

Brantner shpreson se synimi kryesor i Shërbimit të Jashtëm Evropian do të jetë realizimi i përbërjes, e jo influenca, pushteti dhe postet. Shërbimi i Jashtëm Evropian do të vendoset mes Komisionit të BE-së dhe Këshillit të Ministrave. Ndërkohë që ndihmat pë zhvillim dhe çështjet e zgjerimit mbeten edhe më tej në kompetencat e Komisionit.

Më 1 dhjetor hyn në fuqi Pakti i Lisbonës.
Më 1 dhjetor hyn në fuqi Pakti i Lisbonës.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Ministri i ri i jashtëm është një përmbledhje e detyrave të deritanishme të Komisioneres për politikë të jashte të BE-së, Benita Ferrero-Waldner dhe shefit të diplomacisë evropiane Solana. Por kompetencat e vendeve anëtare në politikën e jashtme mbeten të paprekura. Asnjë vend nuk do të tërheqë ambasadorët për shkak të një ambasade të BE-së, ndonëse eurodeputeti kristiandemokrat Klaus-Heiner Lehne mendon ndryshe. "Mendoj se shërbimet e jashtme të vendeve anëtare në shumë segmente janë të tepërta. Këtë shumëkush nuk e dëgjon me dëshirë, por kjo është bindja ime personale.“

Edhe me çështjen e vizave?

Ende është e paqartë nëse Shërbimi i Jashtëm Evropian do të merret edhe më çështjet konsullore e më vonë edhe me çështjen e vizave të BE-së. Në fazën e parë do të krijohet vetëm një grup i ekspertëve të Këshillit, Komisionit dhe shërbimeve të jashtme. Ata do të punojnë për përforcimin e strukturave dhe ndërlidhjen e tyre më të mirë, shpjegon Cristina Gallach. „Komisioni Evropian ka në botë rreth 130 zyra, të cilat veprojnë edhe tani. Por në qoftë se në këto zyra hapen mundësi për prezantimin politik të BE-së, veprimtaria e tyre do të ishte më e madhe ndërsa aktivitetet më efikase.“

Në prill të vitit 2010 duhet të miratohen prej vendeve anëtare propozimet e ministrit të ri të jashtëm për rregulimin e këtij Shërbimi. Ndër kërkesat kryesore është që të kushtojë sa më pak dhe t'i kënaqë të gjithë. Pra, shumë diplomaci kërkohet që në fazën e krijimit të Shërbimit të Jashtëm Evropian.

Autor : Susanne Henn / Bahri Cani

Redaktoi : Aida Cama