1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjithnjë e më kritike situata e refugjatëve në Greqi

Wolfgang Landmesser/ARD28 Shkurt 2016

Mijëra refugjatë kanë ngecur në Greqi, sepse në kufirin maqedonas lejohet të kalojnë vetëm sirianët dhe irakianët. Në afërsi të Selanikut mijëra vetë janë nisur më këmbë drejt kufirit.

https://p.dw.com/p/1I3KS
Griechenland Flüchtlinge auf dem Weg zur mazedonischen Grenze
Rrugës për në kufirin maqedonasFotografi: Reuters/Y. Behrakis

Reporterja e televizionit privat grek, Mega raportonte nga kampi i sapongritur për refugjatët në Diavata, jo larg Selanikut: Qindra refugjatë të shtunën (27.02) kanë marrë rrugën më këmbë drejt kufirit maqedonas. Në kalimin kufitar presin të kalojnë ende 3000 refugjatë, shumica nga Siria dhe Iraku. Por kufiri mbyllet në intervale të rregullte. Vetëm 300 refugjatë kaluan kufirin të shtunën paradite.

Kalim përmes Shqipërisë?

Skena dramatike përgjatë kufirit maqedonas: Në afërsi të qytetit Larisa autobusët me refugjatë u bllokuan nga barrikadat e ngritura nga fermerët grekë. Fermerët demonstrojnë prej javësh kundër reformës së pensioneve të qeverisë greke. Refugjatët e shqetësuar vendosën të udhëtonin më këmbë, një rrugë prej 200 kilometrash. Një polic grek tregon se për ta ndryshuar këtë vendim , refugjatëve iu janë ofruar autobusë në anën tjetër të bllokadës.”Nga policia e Larisës mësova se do të vijnë autobusë që refugjatët të vazhdojnë udhëtimin e tyre.” Të gjitha këto zhvillime të së shtunës, pasi që nga fundjava pika kufitare për në Maqedoni është mbyllur për refugjatët afganë. Shumica e tyre u kthyen në Athinë. Ndërkohë që refugjatët e sapoardhur afganë përmes Pireut, policia i ndaloi të merrnin autobusë për në veri.

Griechenland Flüchtlinge kampieren unter freiem Himmel in Athen
Nën qiell të hapurFotografi: Reuters/A. Konstantinidis

Shumë refugjatë afganë qëndrojnë në sheshin Viktoria të Athinës, aty ku kontrabandistët ofrojnë shërbimet e tyre. Për të sjellë një refugjat nëpërmjet rrugëve të tjera në veriun europian kërkohen 3000 euro, rrëfen një refugjat afgan në televizionin grek- rrugët e tjera janë përmes Shqipërisë ose me anije në Itali.

Reagime të ashpra të Greqisë

Ndërkohë Greqia reagoi me ashpërsi ndaj vendimeve të konferencës së Ballkanit të mërkurën (24.02) në Vjenë. Austria dhe vende të tjera në itinerarin ballkanik vendosën të kufizojnë hyrjen e refugjatëve. Athina reagoi me tërheqjen e ambasadores së saj. Do të konsultohemi se si të mos prishen më tej marrëdhëniet miqësore me Greqisë dhe Austrisë, bëri të ditur Ministria e Jashtme në Athinë. Në takimin e ministrave të Brendshëm në Bruksel zëvendësministri grek përgjegjës për Migracionin, Jiannis

Mouzalas paralajmëroi se edhe Greqia mund të marrë hapa të njëanshëm. Greqia po ashtu ka kërcënuar me veto për bllokimin e subvencioneve agrare të BE-së. Mouzalas bëri një krahasim të situatës me Libanin. “Greqia nuk do të pranojë të kthehet në një Liban në Europë. Ne nuk do të kthehemi në një kamp gjigand për njerëzit, edhe pse na është premtuar ndihmë zemërgjerë financiare.” Ndërkohë në kufijtë grekë vazhdojnë të vijnë mijëra vetë. Vetëm në shtatë ditët e fundit erdhën në ishujt grekë Lesbos, Kios, Kos rreth 3000 vetë.